Kandidatët e PD-së nisin takimet në bazë Basha: Krenar për ç’ka bëmë në 8 vite, platforma ime, bashkimi i së djathtës

0

Ina Jano

Loading...

olldashi_basha-300x260Olldashi: Duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme. Ne kemi provuar se dimë që të ringrihemi dhe jemi rikthyer me votën e qytetarëve

 

Të dy kandidatët demokratë që garojnë për pasardhës së Sali Berishës, kanë nisur dje fushatën në bazë, për të bindur anëtarët se selisë blu për të mbështetur platformat e tyre. Siç ishte paralajmëruar edhe një ditë më parë, kreu i Bashkisë së Tiranës, zoti Basha e nisi fushatën nga qyteti i Elbasanit, prej nga doli dhe deputet në 2005, dhe gjithashtu drejtoi fushatën e 2009 në këtë qytet. Gjatë fjalës së mbrëmshme të mbajtur në teatrin e qytetit më bazën e djathtë, zoti Basha tha se për këto 8 vite në pushtet, ndihet krenar. Duke u ndalur në shpalosjen e filozofisë së tij ai tha se kërkon që të bashkojë të djathtën për të mobilizuar forcat dhe për tu rikthyer në pushtet shumë shpejt. “Jemi krenar për gjithçka që i dhamë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 8 vite. Bashkimi i së djathtës moto e platformës time, me qëllim ndërtimin e një mazhorancë reale për të nesërmen”, – theksoi Basha.  Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të PD-së, në sallën e teatrit “Skampa” në Elbasan, kryebashkiaku vuri theksin tek marrja e përgjegjësive për humbjen e 23 qershorit, që prodhoi një rezultat që nuk përputhej me pritshmëritë e demokratëve për sukses, teksa bëri thirrje për mobilizim të të gjithë strukturave për tu rikthyer fuqishëm në mazhorancë sa më parë. Kandidati Basha u ndal edhe tek arritjen e demokratëve në 8 vite pushtet. Basha bëri një bilanc pozitiv të qeverisjes së demokratëve, teksa tha se Partia Demokratike ringriti vendin nga kolapsi ekonomik ku ishte, duke nënvizuar se “Partia Demokratike është partia e sakrificave, partia e Sali Berishës. Partia që i dha shpresë vendit, më të pashpresë të mundshëm.” Gjatë fjalës së tij përpara demokratëve, Basha u shpreh se për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, të gjithë janë përgjegjës. Ai hoqi gishtin e përgjegjësisë për një ose disa individë të vetëm dhe në këtë prizëm tha se gjithsecili është përgjegjës për atë që bën mirë dhe atë që bën keq. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit premtoi një projekt të ri politik. Sipas Bashës ky projekt konsiston në dëgjimin e zërit të çdo anëtari të Partisë Demokratike.

Olldashi

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, e ka nisur fushatën nga qarku i Fierit. Zona elektorale e dyta më e madhe në vend pas Tiranës, është drejtuar nga Olldashi në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, ku në vitin 2009 ai mori gjashtë deputetë, ndërsa në vitin 2013 pesë. Në takimin e parë që pati me bazën në Mallkastër, Olldashi është ndalur në një analizë të humbjes së 23 qershorit, ku ka theksuar rëndësinë e kuptimit të shkaqeve që çuan në disfatë. “Ne i humbën zgjedhjet, por është e domosdoshme të mësojmë pse-në. Përgjegjës për humbjen nuk është Berisha, por të gjithë duke nisur nga ministrat deri tek militantët. Jam futur në garën për kreun e PD,në një moment të vështirë. Kjo është një garë që do t’i shërbejë Partisë Demokratike dhe strukturave të saj. Ne duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme. Ne e kemi provuar se dimë që të ringrihemi dhe jemi rikthyer me votën e qytetarëve. U kërkoj ndjesë militantëve të PD, që me gjithë punën e madhe nuk i fituam zgjedhjet”, – tha ai. Edhe në këtë takim Olldashi ka vënë në shënjestër të sulmeve LSI, që në bindjen e tij ishte një kosto për PD, ndërsa shtoi se detyrë e PD është të bindin shqiptarët që vota nuk është mall që shitet.

Atmosfera

Deputetët e PD-së u rikthyen në selinë e partisë së tyre pas humbjes së 23 qershorit, por këtë fundjavë në ndërtesën trekatëshe dje u panë shumë zyrtarë mes të cilëve ata që kishin ngarkesën e madhe të punës, gjatë këtyre ditëve, departamenti i organizimit, i cili po merret me organizimin e zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së. Por dje u panë në seli edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, nënkryetari, Astrit Patozi dhe deputeti i qarkut të Vlorës, Arben Ristani. Të tjerët duket se janë shpërndarë nëpër bazë, disa në mbështetje të kandidatit për kryetar partie Sokol Olldashi dhe disa të tjerë në mbështetje të kandidatit tjetër Lulzim Basha. Deri më datën 22 korrik, ata do të zhvillojnë fushatë në të gjitha qytetet e vendit për të tërhequr sa më shumë vota nga demokratët për të fituar vendin e Sali Berishës pas dorëheqjes nga postet partiake.

 

 

Procesi i zgjedhjeve

Sa u përket zgjedhjeve, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që në procesin elektoral të marrin pjesë të gjithë anëtarët që kanë marrë teserën deri më 15 maj. Të premten është ngritur në Partinë Demokratike edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të administrojë procesin zgjedhor të 22 korrikut. Komisioni do të drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, dhe në përbërje të tij do të jenë drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra, ish-deputetja e qarkut të Lezhës, Paulina Hoti, drejtori i OST-së, Arben Ibro, zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata, si dhe Gent Minarolli e Barije Isufi. KQZ-ja e PD-së do të asistohet edhe nga dy ndihmësit, Florian Xhuti e Albert Avduli.

 

Rritja e rrogave

Berisha: Zot fale mazhorancën e re, nuk di ç’thotë

Disa prej deputetëve socialistë deri më tani, janë shprehur kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve një vendim që u mor në mbledhjen e qeverisë. Socialistët janë shprehur kundër këtij vendimi, duke u shprehur se qeveria nuk ka legjitimitet për të marë nisma të tilla. Ndërkaq mbrëmjen e djeshme shefi i qeverisë në detyrë zoti Berisha, me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, tha se mazhoranca e re duhet falur, sepse nuk dinë ç’bëjnë. “Të dashur miq, protesta e rrogë lartëve në krye të Partisë Socialiste për rritjen nga qeveria të rrogave të ulëta 11.3% është fytyra e “dhimbsur” e mazhorancës së re!!! Fali Zot se nuk dinë ç’thonë!”, – shkruan Berisha.

 

Pretendimi i Ramës për qeveri kujdestare, antikushtetuese

Kryeministria: Qeveria do përmbushë detyrimet e saj sipas Kushtetutës

Zëdhënësja e shefit të qeverisë Erla Mëhilli i bëri thirrje dje nga selia e ekzekutivit, Kryeministrit të ardhshëm që të heqë dorë nga revanshet dhe sulmet për institucionin e qeverisë. “Këto ditë, zoti Edi Rama, kryetar i mazhorancës së re, ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj. Lidhur me këto qëndrime, shprehje e një revanshi të papërmbajtur të zotit Rama, sqarojmë se Kushtetuta, me nenet e saj 65; 67; 96; 99, përcakton shumë qartë datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të një mazhorancë dhe Kryeministrit të saj” , – deklaroi Mëhilli. Në vijim të citimit të neneve të Kushtetutës ajo tha se mandati i Kuvendit, përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. “Kështu, sipas nenit 65 të Kushtetutës,  mandati i Kuvendit përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë dhe data e mbledhjes së parë është data 7 shtator 2009 dhe sipas nenit 67 të saj, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës. Pra, Kuvendi i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator. Po kështu, sipas neni 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin, pra, pasi mblidhet Kuvendi i ri dhe ky i fundit, sipas nenit  99 të saj,  para fillimit të detyrës bën betimin para Presidentit të Republikës, çka do të thotë  se  mandati i kryeministrit  mbaron pas betimit të pasardhësit të tij. Pra, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues  për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është  votuar  gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re. Të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do jenë  në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe  të bazuara  në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, – vlerësoi Mëhilli. Zëri zyrtar i Kryeministrit Berisha ftoi Ramën që të ndalë sulmet e papërmbajtura dhe kërcënimet e tij, ndaj institucioneve të vendit. Lidhur me termin qeveria kujdestare, Mëhilli deklaroi se kjo është një praktikë që në Shqipëri nuk mund të funksionojë pasi në Ballkan por edhe Evropë nuk ka asnjë nen apo rregullore që e parashikon një gjë të tillë. paralelizmi i vetëm që mund të bëhet në këtë rast është ai me shtetin e Bangladeshit, Kushtetuta e të cilit, 3 muaj para zgjedhjeve jep kryesimin  e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. “Antikushtetuese dhe dëshmi e revanshit të papërmbajtur janë sulmet,  kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit. Antikushtetues është  pretendimi i tij për qeveri kujdestare. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë , nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën  e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve  i jep kryesimin  e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese  dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë. Kryeministri i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet  e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre” – përfundoi Erla Mëhilli, zëdhënësja e shefit të ekzekutivit në detyrë zotit Sali Berisha.

 

 

Loading...