INSTAT: Tremujori i parë 2013, sërish Shqipëria jashtë krizës globale, PBB rritje 1.7%

0
138

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012 me rritje u paraqit Ndërtimi me 3.8 për qind, Industria me 3.3 për qind, Posta dhe komunikacioni me 1.4 për qind dhe Shërbime të tjera me 1.3 për qind

 

Ekonomia shqiptare ka arritur edhe tremujorin e parë të këtij viti të mbajë ritme pozitive zhvillimi, në një kohë kur shumë ekonomi të ngjashme, madje edhe shumë më të zhvilluara, kanë rrëshqitur prej vitesh tashmë në terren negativ. Ekonomia në tremujorin e parë të vitit 2013 u rrit me 1.7 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2012, ndërsa, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012, u rrit me 0.7 për qind, bëri të ditur INSTAT.

Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin Posta dhe komunikacioni dhe Industria respektivisht me 15.4 për qind dhe 14.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2012. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin Ndërtimi, Transporti dhe Tregti, Hotele dhe Restorante respektivisht me 4.8 për qind, 2.9 për qind dhe 2.1 për qind.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012 me rritje u paraqit Ndërtimi me 3.8 për qind, Industria me 3.3 për qind, Posta dhe komunikacioni me 1.4 për qind dhe Shërbime të tjera me 1.3 për qind. Transporti dhe Tregti, Hotele dhe Restorante u shfaqën me rënie krahasuar me tremujorin para-ardhës respektivisht me 2.3 për qind dhe 0.4 për qind.

Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 2.1 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2012 dhe ra me 1.1 për qind kundrejt tremujorit paraardhës.

Ritmet e rritjes në tremujorin e parë janë të ngjashme me ato të vitit të kaluar.

Sektori i post-komunikacionit po regjistron rritje mjaft të lartë për të katërtin tremujor radhazi, çka tregon aftësi për ta ruajtur ecurinë me një farë vazhdimësie. Edhe industria u rrit për të katërtin tremujor radhazi, por në këtë degë nivelet janë më të luhatshme. Duhet thënë se shkallët më të larta të rritjes vazhdon t’i sigurojë industria nxjerrëse me 35.2% duke regjistruar të katërmbëdhjetin tremujor radhazi pozitiv. Rritja në këtë nëndegë të industrisë mbështetet kryesisht në eksportin e lëndëve të para dhe konfirmon faktin se rritja ekonomike e Shqipërisë po mbështetet në një masë të madhe në kërkesën e jashtme. Rritje disi më të lehtë se mesatarja ka arritur bujqësia, me 2.1%, çka megjithatë përfaqëson një rezultat zhgënjyes, duke pasur parasysh nivelet e larta gjatë vitit të kaluar dhe pritshmëritë që ka nga sektori bujqësor edhe për këtë vit.

Gjatë vitit 2012, bujqësia u rrit me afro 7.5%, ndërsa këtë vit Banka Botërore parashikon një kontribut të lartë të këtij sektori në rritjen e ekonomive të Rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Në zonë pozitive është edhe sektori i shërbimeve me 1.3%, ndërsa sektorët e tjerë ekonomikë kanë rezultuar në rënie. Edhe në tremujorin e parë të këtij viti ndërtimi ishte sektori me rënien më të thellë, 4.8% kundrejt një viti më parë. Në rënie më të përmbajtur sektori i Transporteve me 2.9% dhe Tregtia me 2.1%. Të dhënat e tremujorit të parë konfirmojnë një ekonomi që po rritet me hap të ngadaltë, në gjurmët e vitit 2012.

Ndikimi i krizës europiane dhe pasiguria e aktorëve ekonomikë e kanë dobësuar kërkesën agregate dhe kanë përcaktuar një rritje në më pak se gjysmën e atij që vlerësohet si potenciali prej rreth 5%. Megjithatë, duke ju referuar statistikave zyrtare, ky vit ka nisur me këmbë më të mbarë, po të kemi parasysh se vitin e kaluar ekonomia e pati nisur me një tkurrje prej 0.4%. Projeksionet e Bankës Botërore dhe të Bankës së Shqipërisë e vendosin rritjen ekonomike edhe për këtë vit në nivele të përafërta me vitin 2012 dhe të paktën për tremujorin e parë këto parashikime janë vërtetuar.

 

 

PBB tremujore sipas degëve të ekonomisë

 

Bujqësia/ Aktiviteti bujqësor në tremujorin e parë të vitit 2013 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë u rrit me 2.1 për qind dhe ra me 1.1 për qind kundrejt tremujorit të katërt te vitit 2012.

 

Industria/ Grupi i industrive u rrit me 14.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2013 krahasuar kjo me tremujorin e parë të vitit 2012. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012, dega e industrisë u rrit me 3.3 për qind.

 

Ndërtimi/Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2013 pati rënie prej 4.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2012 dhe një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012.

 

Tregti, Hotele dhe Restorante/Ky grup pati një rënie prej 2.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2013 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012 kjo degë pati rënie prej 0.4 për qind.

 

Transporti/Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë të vitit 2013 u ul me 2.9 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rënie prej 2.3 për qind ndaj tremujorit para-ardhës.

 

Post komunikacioni/Dega e post komunikacionit u shfaq me rritje prej 15.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2013 përkundrejt tremujorit të parë të vitit 2012 dhe një rritje me 1.4 për qind përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012.

 

Shërbimet/Dega e shërbimeve në tremujorin e parë të vitit 2013 pati rritje me 1.3 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2012 dhe një rritje me 1.3 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012.

 

Durrës, nga porti janë nisur 41% më shumë eksporte në gjashtë muaj

Në kalatat e portit të Durrësit, vetëm gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, janë përpunuar 691 anije tregtare, me 1 milion e 731 mijë ton mallra të ndryshme, duke shënuar një rritje të përgjithshme prej 2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit Portual (APD) bënë të ditur se eksportet nga porti më i madh i vendit, drejt vendeve të tjera, kanë pasur një rritje prej 41 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2012.

Gjatë këtyre 6 muajve, nga Durrësi janë nisur drejt porteve të tjera afro 823 mijë ton mallra, thanë burimet e APD-së, sipas të cilave, sasia e mallrave të importuar në të njëjtën periudhë arrin në afro 903 mijë ton mallra gjithsej.
Anijet e specializuara kanë transportuar drejt Durrësit apo anasjelltas afro 50 mijë kontejnerë me mallra të ndryshme, ndërkohë që sasia e kontejnerëve të përpunuar në portin më të madh të vendit, gjatë kësaj periudhe është 25 për qind më e lartë se sa ajo e 6-mujorit të parë të vitit paraardhës, u shprehën burimet, ndërsa pohojnë se në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2010, numri i kontejnerëve të transportuar me anije është 14.600 njësi më shumë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency