Sigurimet shëndetësore, çfarë përfitojnë të papunët dhe pensionistët

0

barnaTë papunët, të cilët vërtetojnë statusin e tyre, mund të përfitojnë që nga vizitat falas deri te ekzaminimet më të rëndësishme

Loading...

 

Në një kohë kur skema e sigurimeve shëndetësore është kundërshtuar fort nga kritikët, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore thekson se kjo skemë është më e mira që mund të ketë vendi ynë. Të parët që përfitojnë nga skema janë pensionistët, të cilët një sërë barnash mund t’i përfitojnë falas. Po kështu një shans është dhe për të papunët të cilët, nëse vërtetojnë statusin e tyre, mund të përfitojnë që nga vizitat falas deri te ekzaminimet më të rëndësishme. Mjafton që të kesh librezën shëndetësore dhe të përfshihesh në një nga kategoritë e mëposhtme për të përfituar shërbim shëndetësor falas.

Barna falas

Gjatë vitit 2013, ISKSH ka shtuar me dhjetëra barna të rimbursueshme. Kjo pa dyshim ka lehtësuar më shumë shtresën e pensionistëve të cilët i blinin me para këto barna. 19 barnat e reja të përfshira në listën e rimbursimit do të përdoren për trajtimin e leucemisë, diabetit, reumatizmit, insuficencës renale, epilepsisë rezistente ndaj mjekimeve të tjera, mungesës së hekurit te fëmijët, për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare etj., duke e çuar në 426 numrin e barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2013.

Çfarë përfitohet

– Shërbimin shëndetësor falas te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes.

– Shërbimin shëndetësor falas te mjeku specialist.

-Shërbimin shëndetësor falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital

-Ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike falas.

-Ekzaminimet unikale terciare me rimbursim në masën 90% dhe bashkë pagesë nga personat e siguruar 10%.

-Barnat e listës së rimbursuar falas për fëmijë 0-12 muajsh, Invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët.

-Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës.

-Barnat falas për të sëmuret me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemia major

-Barna me rimbursim të pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50%. Barnat e listës, kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me ISKSH. Lista e barnave, e cila përmban dhe çmimet përkatëse, disponohet nga të gjitha farmacitë dhe vihet në dispozicion të çdo personi të interesuar.

 

 

Dokumentet që duhen paraqitur

Për personat e punësuar apo të vetëpunësuar duhet të paraqiten:

-Libreza e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore

-mjet identifikimi (pasaportë ose certifikatë)

-rekomandimi i mjekut

Për kategoritë joaktivë duhet të paraqitet vërtetimi i kategorisë përkatëse si:

-Libreza e pensionit për pensionistët

-Vërtetim i lëshuar nga zyra e punës dhe përkrahjes sociale për të papunët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike

-Vërtetim KMCAP për personat me aftësi të kufizuar

-Vërtetim i konsultorit nëna dhe fëmija për nënat me leje lindje

-Vërtetim i repartit ushtarak për ushtarët

-Certifikatë lindjeje, vërtetim i shkollës për fëmijët, nxënësit dhe studentet me shkëputje nga puna

-Vërtetim i invaliditetit për invalidët e plotë, jo të plotë, të luftës

-Statusi përkatës për veteranët, jetimët, të verbrit

 

 

Transmetimet numerike, AMA çel garën për tri licenca

Janë hapur dje nga Autoriteti i Mediave Audiovizive procedurat për dhënien e tri licencave private kombëtare të transmetimit audioviziv numerik. AMA përmes një konferencë për shtyp ka ftuar operatorët private historikë kombëtarë dhe ato me eksperiencë në transmetimet numerike për të marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve. “Në zbatim të dispozitave ligjore AMA njofton sot (dje) publikisht çeljen e procedurës për dhënien e tre licencave private kombëtare të transmetimit audioviziv numerik. Janë tri, jo pse ne kemi vendosur të jetë 3, por kaq është kapaciteti apo mundësia teknike për të dhënë për rrjetet numerike tokësore kombëtare”, – tha kryetarja e AMA-s, Endirë Bushati. Po kështu, Bushati iu përgjigj akuzave për shkeljen e ligjit nga ana e AMA-s për miratimin e rregullores për transmetimet numerike vetëm me 4 vota. “Në bazë të ligjit rregulloret miratohen me shumicë të thjeshtë prej katër anëtarësh”, – tha ajo. Anëtarit të pestë të AMA-s, Gent Ibrahimit, i ka përfunduar mandati dhe prej muajsh institucioni ka 4 anëtarë të ligjshëm. “Sqarojmë ish-deputetët Alfred Dalipi dhe Mark Marku, se në miratimin e rregullores, nuk ka asnjë “ngut”, por thjesht respektim të afateve ligjore, që ata vetë i kanë parashikuar në ligj. U kujtoj atyre që vendi ynë është ndër të fundit e rajonit në procesin e kalimit në transmetimet numerike, dhe për këtë arsye nuk ka kohë për të humbur. Përfitoj nga rasti t’ju kujtoj këtyre dy ish-deputeteve, të rilexojnë ligjin, që pretendojnë se e kanë bashkëhartuar.
Gjithë sa më sipër, provon qartë se sa e pavërtetë, ka qenë kronika e djeshme në lidhje me procesin e miratimit te Rregullores së sipërpërmendur”, – theksoi Bushati.

 

75 milionë euro për energjinë, një pjesë e merr Shqipëria

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të financojë në Ballkanin Perëndimor 75 milionë euro për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike, por edhe për të rritur investimet në eficiencën dhe energjinë e rinovueshme. Ky është projekti “Energy Financing Facility II” (WWBSEFF II). Rreth 11.5 milionë euro ofrohen nga BE-ja për programet e bashkëpunimit teknik dhe nxitjen e investimeve për huamarrësit, të cilët do të përfitojnë nga konsultime dhe këshilla të tilla si auditimeve të energjisë së lirë. Ai mbulon programet e vendeve si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Huamarrësit drejtpërdrejtë do të jenë kompanitë e sektorit privat, kompanitë e shërbimeve të energjisë (ESCO), komunat dhe entet publike të ndërtimit. Programi i parë “WWBSEFF I” u prezantua në prill të vitit 2009. Kredia e parë u dha për Bosnje-Hercegovinën në masën 5 milionë euro.

Loading...