PD e PS shtyjnë nxjerrjen e rezultateve, kërkojnë kohë për tabelat përfundimtare

0
105

Florenc Drizari

kqzDebate mes përfaqësuesve politik në KQZ për tabelat e rezultateve

KQZ miraton tabelat e rezultateve për Elbasanin dhe Fierin, shtyhet Shkodra dhe Durrësi

 

Kur kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga mbyllja e votimeve për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ende Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka miratuar zyrtarisht tabelat e rezultateve për të gjitha qarqet e vendit. Prej disa ditës përfaqësuesit ligjor të partive politike në KQZ kërkojnë shtyrjen e vendimmarrjes për miratimin e tabelave, duke argumentuar se materialet voluminoze dhe pasaktësitë e vërejtura në disa prej tyre kërkojnë kohë për t’u shqyrtuar. Fillimisht ishte PS dhe LSI që kukoi dy ditë kohë për verifikimin e rezultateve në Qarkun e Kukësit, ndërkohë që dje ishte përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti që kërkoi  kohë për analizuar materialet e vëna në dispozicion nga KQZ-ja për Qarkun e Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Durrësit. Edhe pse subjektet politike e kanë të përcaktuar në kod të drejtën e tyre për të marrë kohë për shqyrtimin e të tilla dokumentacioneve, shpesh herë ata janë kritikuar për pengesat që po i sjellin procesit pas zgjedhor nga anëtarët e KQZ-së, të cilët kanë kërkuar një mbyllje sa më të shpejtë të nxjerrjes së rezultateve përfundimtare.

Në replikë me përfaqësuesin ligjor të partisë socialiste Genc Gjonçajn, i cili akuzoi homologun e tij të djathtë për krijimin e vonesave në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare, Niazi Kosovrasti iu përgjigj duke thënë se: Sot (dje) kam kërkuar kohë në bazë të hapësirës që na jep kodit zgjedhor ndërsa sot (dje), kërkoj shtyrje në kohë për faktin se materiali ishte shumë voluminoz. Sa për falje, për Kukësin u kërkuan dy ditë kohë, ndërsa ne 24 orë kohë”, -tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ilirjan Muho në replikë me Kosovrastin tha se çështja e Kukësit dhe shtyrjen e nxjerrjes së rezultateve rastet e sipërpërmendura nuk mund të krahasohet pasi sipas tij, kërkesat aktuale po bëhen më shumë se 10 ditë pas mbylljes së votimeve.

VENDIMET E KQZ

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e djeshme miratoi projektvendimin “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Fier”, projektvendimin “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Elbasan” dhe me kërkesën e përfaqësuesve të partive politike, KQZ vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Shkodër dhe Durrës.

Gjithashtu KQZ hodhi shortin për kërkesën ankimore nr.5 të subjektit, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar. Relatori i çështjes Hysen Osmanaj, i propozoi Komisionit që kërkesa ankimore të kthehej për plotësim. KQZ me 4 vota pro, vendosi të kthejë për plotësim kërkesën ankimore nr.5 të subjektit Partia për lëvizja për Zhvillim Kombëtar.

Aktualisht subjektet politike janë ende në kohë për të ankimuar parregullsitë e konstatuara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ankimime të cilat pas shqyrtimit në KQZ mund të dërgohen edhe në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Mbyllja e proceseve ankimore në KQZ mbyllet tri ditë pas shpalljes së rezultateve për çdo zonë zgjedhore.

 

PD kërkon shtyrjen për komunën Sevaster

Partia Demokratike kërkoi një ditë më parë shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së saj për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Komunën Sevaster në Qarkun e Vlorës. Kërkesa e PD-së u argumentua në KQZ me pamundësinë e ndjekjes së çështjes nga avokati përkatës për arsye shëndetësore. “Me kërkesën e përfaqësuesve të partive politike, KQZ vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit ” Për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Partia Demokratike dhe përfaqësuesi i saj në KQZ, me objekt, kundërshtimin e Vendimit të KZAZ nr.81,Qarku Vlorë, për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës Sevaster”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së.  Ndërkaq, Fryma e Re Demokratike, e cila nuk arriti të siguronte asnjë deputet për Parlamentin e ri, sipas rezultateve paraprake është ngushëlluar me fitimin e zgjedhjeve për komunën Sevaster në Vlorë. Kandidati i FRD-së, Kujtim Sinani, rezultoi fitues me disa vota më shumë se kandidati i PD-së, Luan Binaj. Shqyrtimi i kësaj ankese pritet të bëhet mesditën e së premtes në KQZ.

 

KQZ, jep dorëheqjen drejtori i qendrave të votimit

Pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, drejtori i qendrave të votimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mësohet të ketë dhënë dorëheqjen pranë kryetares Lefteri Luzi (Lleshi). Burime pranë KQZ-së konfirmojnë se Alfred Spahiu ka kërkuar dorëheqjen pak ditë më parë, ndërkohë që ende procesi paszgjedhor nuk është mbyllur. Më herët mes drejtorit Spahiu dhe kryetares së KQZ-së ka pasur disa debate publike lidhur me trajtimin e komisionerëve dhe caktimin e vendeve të trajnimit. Lidhur me pjesëmarrjen në trajnime të komisionerëve, KQZ me anë të disa deklaratave për shtyp ka kërkuar një pjesëmarrje me aktive të tyre në proceset trajnuese, duke evidentuar faktin se mungesa e kualifikimit rrezikon mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Për këtë edhe kryetarje e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), gjatë kohës që përfaqësuesit ligjor të partive politike zëvendësonin anëtarët në komisionet e niveleve më të ulëta, është shprehu kundër zëvendësimit të tyre në prag të zgjedhjeve parlamentare.

 

 

 

 

Dita e pavarësisë së SHBA, Bumçi mesazh urimi Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry

Ministri i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi i dërgoi një telegram urimi sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA. Në mesazhin Bumçit, thuhet: “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më miqësore. Në këtë ditë të veçantë për popullin mik amerikan, gjej mundësinë, Zoti Sekretar i Shtetit, të konstatoj me kënaqësi se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë më të mira se kurrë, duke u karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit miqësor dhe partneritetit të ngushtë. Ne ju falënderojmë sinqerisht për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme që na keni ofruar, duke filluar nga formimi i shtetit shqiptar e deri sot në përballjen e sfidave për forcimin e demokracisë. Shqiptarët ju mbeten shumë mirënjohës, duke besuar plotësisht tek vlerat që ndajmë së bashku”, thuhet në njoftimin e nisur nga MPJ.

 

Ambasadorja Holtkemper: Zgjedhjet e qershorit ishin më të mirat

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim lamtumire, Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper, në përfundim të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.

Me këtë rast Presidenti Nishani përsëriti mirënjohjen e tij ndaj Gjermanisë për ndihmesën e vazhdueshme të dhënë përmes zërit të saj të fortë në mbështetje të zhvillimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit ligjor, anëtarësimit në NATO, realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në zonën Shengen dhe në ecurinë e Shqipërisë për realizimin e objektivit të saj strategjik, integrimit në BE.

Kreu i shtetit e përgëzoi Ambasadoren Müller për kontributin e saj, veçanërisht në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe vendeve tona mike, të cilat, nga pikëpamja e bashkëpunimit institucional, kulmuan me vizitat e Ministrit të Jashtëm Gjerman, Westerwelle, në Shqipëri dhe vizitës së Presidentit Nishani në Gjermani.

Ambasadorja Müller, duke falënderuar Kreun e Shtetit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar, gjatë misionit të saj në Tiranë, u shpreh e keqardhur për largimin nga Shqipëria dhe e lumtur njëkohësisht, sepse zgjedhjet e zhvilluara në fund të mandatit të saj, ishin më të mirat.

Kryediplomatja gjermane shtoi se, përveç zgjedhjeve, ka edhe probleme të tjera të hapura për Shqipërinë, për të cilat, ajo shprehu besim se Qeveria e re do t`i përballojë nëpërmjet zbatimit të Programit të saj.

Presidenti Nishani, shprehu mbështetjen e plotë ndaj shumicës dhe pakicës politike të dala nga zgjedhjet, secila në rolet përkatëse dhe e siguroi për bashkëpunimin e tij institucional me aktorët politikë, rolin e tij si garantues i kushtetutës dhe funksionimit të institucioneve të pavarura.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency