Kreu i ri i PD-së Demokratët zgjedhin kryetarin në 22 korrik, gara mes Bashës dhe Olldashit

0

Ina Jano

berisha   ghBerisha: Detyra e anëtarësisë së PD-së është të japë procesin më dinjitoz, pastaj besoj që të dy kandidatët janë plotësisht të përgatitur për të pranuar me qetësi verdiktin e anëtarësisë së partisë

 

Kryetari në detyrë i selisë blu, zoti Sali Berisha, ka thirrur dje kryesinë e kësaj force politike për të diskutuar dhe analizuar kandidaturat e paraqitura për procesin e zgjedhjes së liderit të ri të Partisë Demokratike. Kreu i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, dhe ministri i Punëve Publike, Olldashi, janë dy kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e PD-së. Lajmin e bëri të ditur vetë shefi i qeverisë, i cili në përfundim të mbledhjes së kryesisë me dyer të mbyllura u shpreh: “Rezultoi që kushtet për të qenë kandidatura zyrtare të Partisë Demokratike plotësojnë dy kandidatët, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi. Kryesia paraqet para anëtarësisë këto kandidatura zyrtare të Partisë Demokratike, sepse kandidaturat mund të jenë zyrtare të kryesisë, por mund të jenë edhe individuale. Kryesia konstatoi se përveç këtyre dy kandidaturave kanë shprehur vullnetin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike dy anëtarë të saj Sokol Paja nga Tirana dhe Astrit Sinanaj. Kryesia mendoi që këta kanë të drejtë duke plotësuar rrugën që përcakton statuti për ata që duan të dalin. Nëse ata i plotësojnë i garantoj që do vendosen në lista”. Kryesia vendosi që data e zgjedhjeve të jetë 22 korriku, ndërsa më parë ishte përcaktuar se votimi do të ishte në fillim të gushtit.

Berisha

Gjatë fjalës së tij, zoti Berisha u shpreh se këto zgjedhje duhet të jenë një model për të gjithë politikën shqiptare dhe se demokratët nga ky proces do të dalin më të bashkuar, ndërsa shprehu bindjen e tij për një event që do të bëjë të mundur që ta çojë PD-në drejt një fillimi të ri. Më tej lideri historik i të djathtës ka kërkuar një proces dinjitoz për t’i dhënë PD-së liderin e ri që meriton, i cili më pas do të ngrejë edhe ekipin e vet që do e shpjerë partinë drejt fitores. “Detyra e anëtarësisë së PD-së është të japë procesin më dinjitoz, pastaj besoj që të dy kandidatët janë plotësisht të përgatitur për të pranuar me qetësi verdiktin e anëtarësisë së partisë. Pas kësaj çdo kandidat do ketë të drejtë të ndërtojë lidershipin e PD-së. Këshilli Kombëtar i partisë është absolutisht parlamenti i saj që përzgjedh kryesinë dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë, por edhe lideri do ketë një zë të fuqishëm në këtë drejtim”, – pohoi ai. Duke iu referuar të gjithë kundërshtarëve, Berisha shtoi se integriteti moral i gjithë anëtarësisë duhet të jetë në nivelin më të lartë, për të mos lejuar ata sharlatanë që i quajti ai të kenë mundësi të përfitojnë. “Përpjekje të dështuara bëhen nga segmente të caktuara të atyre që kontrollojnë mediat nga botë me të cilën ne s’na lidh asgjë, nga të huaj sharlatanë të cilët harrojnë që kur tentojnë të ndërhyjnë në këtë mënyrë janë thjesht një qe në pleh dhe asgjë tjetër. Por, ndërgjegjja, integriteti juaj është më i lartë se çdo kush tjetër, ndaj dhe kërkoj nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të refuzojmë me përçmim përpjekjen për të ndërhyrë, nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero. Detyra ime dhe e juaja është ta nxjerrim procesin në bregun e fitores siç na takon”, – deklaroi kreu në detyrë i demokratëve.

Detajet

Kryesia në mbledhjen e saj më të fundit vendosi të krijohet një KQZ me shtatë anëtarë dhe dy ndihmesa, do të kenë të dy kandidatët nga një anëtar në KQZ. Është caktuar data 22 për votimin e përgjithshëm për Kryetarin e ri. “Mendoj se kjo ishte një mbledhje shumë normale. Kemi edhe personalitete të çmuara, por që s’e kanë emrin në listë dhe që natyrisht Statuti i autorizon të vendosen të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar. Kjo do të marrë një zgjidhje. Shoh një proces shumë dinjitoz për Partinë Demokratike”, – vlerësoi Berisha. Ky i fundit u shpreh se në fakt do të ketë një organizim veçmas për kandidatët që do të duan të kenë takime me bazën dhe anëtarësinë nëpër rrethe. Degët do të marrin porosi nga Kryetari në detyrë që të organizojnë takime dhe ata të paraqiten veças.

Kandidatët

Në nisje të takimit me anëtarët e kryesisë shefi i demokratëve përmendi katër kandidatë, të cilët ishin regjistruar për të kandiduar për t’u ulur, pas 22 korrikut në karrigen e tij. Lideri Berisha pamendi emrat e Olldashit, Bashës, Pajës dhe Sinanit, ndërsa në përfundim të mbledhjes, ai deklaroi se kandidaturat zyrtare janë vetëm dy. “Kam kënaqësi t’ju informoj se kandidaturat të cilat plotësojnë kriteret sipas degës së organizimit të Partisë Demokratike janë katër: kryetari i Bashkisë së Tiranës, anëtari i kryesisë z. Lulzim Basha. Nuk besoj se ka nevojë që unë të ndalem në renditjen e CV-së, sepse do të botohet në gazetën e partisë. Kandidaturë është ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi. Kandidaturë që ka paraqitur dokumentet dhe plotëson kushtet janë dy. Astrit Sinani, i cili është anëtar i Partisë Demokratike, dega Fier. Sektori i organizimit më njoftoi se z. Sinani është anëtar i Partisë Demokratike dhe mbi bazën e statutit ai ka të drejtë të kandidojë. Kandidatura e katërt që ka paraqitur dokumentet është Sokol Prek Paja, anëtar i Partisë Demokratike, dega Tiranë”, – u shpreh Berisha. Që kur ky i fundit pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe shpalli largimin e vet nga drejtimi i PD-së, gjatë kësaj jave vetëm dy politikanë të rëndësishëm të saj kanë dorëzuar kërkesat për kandidim. I pari u paraqit ministri aktual i punëve publike, Sokol Olldashi dhe më pas kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në media janë dëgjuar edhe emra të tjerë më pak të rëndësishëm. Ministri Olldashi, 4 herë deputet, tha se synon të rindërtojë themelet morale, mbi të cilat PD do të duhet të rikthehet në pushtet. Ndërsa kryebashkiaku Basha nuk është deputet në sallën e parlamentit dhe nëse fiton, do ta drejtojë grupin parlamentar nga bashkia, ashtu si bëri për shumë vite edhe kryetari i PS-së dhe kryebashkiaku Rama.

 

Deklarata

Olldashi e Basha: Do të pranojmë rezultatin

Të vetëdijshëm për garën që i pret në 22 korrik, si Sokol Olldashi ashtu edhe Lulzim Basha janë treguar të gatshëm që të pranojnë çfarëdo lloj rezultati që do të prodhohet nga votimi i gjithë demokratëve në vend. “Jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë pozitive dhe e cila do ti japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vetë të datës 22 korrik”, – tha Olldashi. Ky i fundit i pyetur në lidhje me pranimin e rezultatit tha se kjo është një pyetje që as nuk duhet të bëhet fare. Kurse kandidati tjetër Basha, në prononcimin e tij për mediat pas mbledhjes së kryesisë u shpreh: “Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizmin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar”. Në lidhje me rezultatin ai tha se sigurisht që do ta njohë atë. Do të jenë rreth 100 mijë anëtarë që do të votojnë në këtë datë për të zgjedhur liderin e tyre që do të udhëheqë partinë në vitet në vijim, përmes parimit një anëtar, një votë.

 

Qëndrimi

Biberaj: Kandidimi im u përball me murin e arrogancës

Aleksandër Biberaj, pas refuzimit të kandidimit për kreun e PD-së, shprehet se përkushtimi i tij u ndesh me murin e arrogancës. Në një postim në faqen e tij personale në Facebook, Biberaj hedh akuza ndaj drejtuesve të PD-së, që cilët sipas tij e konsiderojnë partinë pronën e tyre. Zoti Biberaj, themelues edhe i Partisë Demokratike, edhe i FRD-së, vlerësoi se drejtuesit e PD-së do të dëmtojnë të ardhmen e partisë. “Mora vendimin e kandidimit, duke pasur parasysh, jo thjesht mërzitjen dhe zhgënjimin e demokratëve pas humbjes së thellë të 23 qershorit, por më tepër nevojën për bashkim më qëllim ngjalljen e shpresës dhe besimit. Me shpalljen e kandidimit mora të gjithë përgjegjësitë e mia qytetare dhe patriotike përpara demokratëve, shqiptarëve dhe vendit tim. Fatkeqësisht, dëshira, vullneti dhe përkushtimi im ndeshën në murin e arrogancës së kolltufagëve që i shkaktuan demokratëve humbjen e 23 qershorit. Këta humbës të mëdhenj vazhdojnë akoma ta konsiderojnë PD-në si pronën e tyre me të drejtën e trashëgimisë mbi të. Qëndrimi i mëtejshëm i këtyre kolltukofagëve në krye të PD-së, do ta dëmtojë rëndë imazhin dhe të ardhmen e PD-së”, – shkruan Biberaj, ndërsa shton se është optimist për të ardhmen.