8 “mësimet” e Kupës së Konfederatave

0
127

Fred_319490 Marrë nga “Eurosport”

Edicioni i nëntë i Kupës së konfederatave është preludi i Kupës së Botës që do të mbahet vitin tjetër në Brazil. Ky kompeticion që bëhet për të “testuar” pritësen, nxori këtë vit disa të vërteta. Përveç dhunës, që u ul këmbëkryq në tërë Brazilin, gjithçka tjetër që e mahnitshme.

 

 

Mbase Kupa e Konfederatave nuk është kompeticioni më i bukur në botë, por sigurisht që ka lënë disa të vërteta. Më poshtë do të keni mundësi që të njiheni me disa prej verdikteve të edicionit të nëntë të këtij kompeticioni që të dielën e kaluar uli siparin.

 

1. Nejmari është një lojtar i vërtetë

Nëse nuk do të hidhej aq shpesh në bar, do të flisnim edhe më mirë. Përveç faktit që i pëlqen të simulojë, Nejmari ka treguar se është një lojtar me perspektivë. Ndryshe nga ç’bëri Ganso katër vite më parë (në Kupën e Konfederatave që u mbajt në Afrikën e Jugut), Nejmari i ka dhënë të drejtë Barçës. Blaugranët shpenzuan 58 milionë për të blerë një nga talentet më të mëdhenj të Brazilit. Ata që vendosën diçka të tillë, ndihen më të qetë pas këtij edicioni të Kupës së Konfederatave. Nejmari dhe Mesi pa dyshim është dyshja më e frikshme e Evropës.

 

2. Sa shumë vrapon “Xhakerinjo”!!!

Italia e Çezare Prandelit ia ka dalë që përveçse të mbrohet, edhe të bëjë diçka më shumë për tifozët e saj. Në këtë Kupë Konfederatash “axurrët” zhvilluan disa ndeshje të bukura. Një gjë e tillë ndodhi, pasi Prandeli me vetë kishte marrë edhe njëfarë Xhakerini që me Juven nuk është se ka shkëlqyer. Djaloshi që në të kaluarën ka luajtur edhe për skuadra mediokre si Çezena, vrapon shumë. Këtë “dhunti” tek Italia nuk e gëzojnë shumë. Prandaj, Xhakerini me zbritjet e tij të shpejta ra në sy. Dhe, duke qenë se u luajt në Brazil, atëherë përse mos të thërrasim “Xhakerinjo”…?

 

3. Fundi apo vetëm pauza e Tikki-Takka-s?

Rezultati i finales në “Maracana” duket si një sentencë. “Felipao” Skolari tregoi se Spanja mund të mposhtet me mushkëri dhe forcë guximi. Italia ia kishte dalë që ta limitonte, ndërsa Brazili i hoqi oksigjenin Spanjës. Tikki-takka mbaroi? Është herët për ta thënë, por futbolli i sotëm nuk është vetëm teknikë. Mbi të gjitha ai është vrap, vrap dhe vetëm vrap… dhe talent në çdo zonë të fushës.

 

4. Klima mund të bëjë diferencën

Për të gjithë përgatitësit atletikë ky është problemi i madh. Vapa dhe lagështia do të jenë të pranishme edhe pas 12 muajsh. Ashtu si në SHBA 1994, takimet që do të luhen në mesditë, nuk do të vendosen vetëm nga vlerat e futbollistëve. Brazil 2014 do të jetë edhe një sfidë e fortë rezistence.

 

5. Kavani meriton një skuadër të madhe

Nëse nuk shikojmë lojën dhe rezultatet e Uruguait, atëherë mund të flasim me superlativa për Edinson Kavanin. “Il Matador”, edhe pse ishte në mes të “ciklonit” të merkatos, iu përgjigj “prezent” thirrjes së “Celeste”-s. Ai nuk është lideri i vërtetë i Uruguait të Tabarezit, por në sulm di të bëjë shumë mirë. Nëse nuk besoni, atëherë mund të pyesni Zhulio Sezarin dhe Bufonin.

 

6. Tahiti, përse Tahiti?

FIFA duhet të gjejë një zgjidhje, pasi rivalet nuk kanë mëshirë. Tahiti është një përfaqësuese që nuk mund të sfidojë më të mirat e botës. Me gjithë respektin për Vahiruan (i vetmi profesionist mes të ftuarve të Etaetës) me shokë, Tahiti është një përfaqësuese që nuk mund të bëjë as figurë të mirë.

 

7. Tifozë si në kohërat e vjetra

“Maracana” që buçet për 90 minuta nuk ishte diçka që të qëllon ta shohësh shpesh. Prej kohësh ai stadium nuk njihte atë shkallë ekzaltimi. Një nga faktorët që Spanja humbi mizorisht përballë Brazilit, ishte edhe lojtari më numër 12. Brazili shastisi iberikët si në fushë edhe në shkallët e stadiumit. Brazili jo më kot njihet si “nëna” e tifozerisë. Kush e di se çfarë do të ndodhë vitin tjetër…

 

8. Kupa e Konfederatave është gjithmonë Kupa e Konfederatave

Këtë edicion të Kupës së Konfederatave patëm shumë takime që u shënuan mbi shtatë gola. Pamë shumë lojtarë të mrekullueshëm që humbnin topin për asgjë. Pamë shumë skuadra që ndizeshin dhe fikeshin brenda vetëm 90 minutave. Pamë diçka që nuk do të shohim pas 365 ditësh… atëherë kur edhe protagonisti më “i humbur” do të jetë përgatitur si për të shkuar në luftë…

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency