Zyrtarizohet kandidatura Basha: Qëllimi im ringritja e PD-së dhe rikthimi si shumicë

0
148

Ina Jano

bashaAskush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha ka zyrtarizuar ditën e djeshme kandidaturën në garën për postin e kreut të Partisë Demokratike. Qëllimi i tij do të jetë ringritja e selisë blu dhe rikthimi i saj si shumicë, duke u rikthyer në pushtet. “Kam ndierë në shtrëngimin e çdo dore vendosmerinë për tu ringritur, kam lexuar në sytë tuaj forcën për tu përballur me sfidat që na presin, dhe kam dëgjuar nga zemrat tuaja thirrjet për të nisur të gjithë së bashku, plot shpresë, besim dhe energji, një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si mazhorancë!”, – tha Basha, gjatë fjalës së tij nga selia blu. Ai nuk e mohoi faktin se ky ka qenë një vendim i vështirë, por që është marrë me vetëdije dhe kthjelltësinë e duhur. Një javë më parë kreu i PD-së dhe kryeministri Berisha iu drejtua demokratëve me një mesazh që jam i bindur që ju ashtu edhe unë donit që të ishte krejt tjetër. Sot familja e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me Kryeministrin Berisha jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe te kthjelleta te jetes time. Vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike” – tha Basha, duke mos i zhgënjyer pritshmëritë e opinionit publik. Ajo që ra në sy gjatë fjalimit të kreut të bashkisë së kryeqyetit, ishte fakti se përveçse ishte më i gjatë se ai i kundërshatrit direkt sokol Olldashit, edhe përmbajtja ishte e ndryshme, dhe vetëm mënyra e shpalljes së kandidaturës ishte ajo që i bashkonte.

Fillimi i Ri

Zoti Basha përdori disa herë termin “Fillim i Ri” duke e shndërruar në lajtmotiv të fjalës së tij disa minutëshe në selinë blu, nga I njëjti vend ku vetëm një javë më parë zoti Berisha dha dorëheqjen. “Le ta nisim projektin tonë për një Fillim të Ri, të bashkuar si kurrë më parë në vendosmërinë tonë për ta rikthyer PD në udhëheqje të projektit tonë historik: Shqipërisë së zhvilluar europiane. Është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë Fillim të Ri”, – pohoi anëtari I kryesisë së PD-së.  Basha theksoi se qëllimi i garës është ringritja e PD-së dhe nuk duhet të ketë vend për negativizma por të gjithë të japin kontributin e tyre. “Qëllimi i parë i kësaj gare është që të dalim më të bashkuar. Iu kërkoj që kjo garë të jetë një shembull i asaj që ne dimë të bëjmë më mirë. Negativizmi nuk ka vend. Qëllimi i madh është ringritja e PD-së dhe fitorja e ardhshme” – tha Basha. Ky i fundit në fjalimin e tij që mund të quhet dhe si një prezantim i shkurtër i programit që ai do të ndjekë nëse zgjidhet lider i selisë blu, vlerësoi të gjithë demokratët dhe tha se ata do të jenë një forcë dhe mbështetje e madhe. “Në projektin tonë të Fillimit të Ri, Partia Demokratike duhet dhe do të mbështetet fort tek ju, anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite. Burra dhe gra gjigantë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot dhe ndër vite. Do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishës, që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të Fillimit të Ri”, – theksoi Basha. Në fjalimin programatik si kandidat për kreun e Partisë Demokratike, kreu I bashkisë së Tiranës përfshiu angazhimin për ribashkimin e së djathtës në opozitë me pushtetin, garancitë e opozitës së re për të bashkëpunuar për reformat e integrimit europian të vendit, si dhe një pikë që ai e konsideron të fortë, aksesin në kancelaritë perëndimore. “Unë do të punoj fort që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do të vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin. Zëri ynë duhet dhe do të dëgjohet kumbueshëm me fakte dhe argumenta në çdo kancelari të Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe në çdo zyrë të miqve dhe partnerëve tanë në Uashington. Dhe mbështetja e miqve tanë nuk do të mungojë, jam i bindur, si gjatë përpjekjes tonë opozitare ashtu dhe kur projekti ynë të kurorëzohet me rikthimin tonë si mazhorancë zyrtare”, – theksoi Basha. Ndërsa ka vlerësuar arritjet e vendit në sajë të drejtimit të Partisë Demokratike, Basha shtoi se opozita e djathtë nuk do të hezitojë të japë kontributin e saj që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat me Bashkimin Europian.

Ndërsa duke u ndalur tek roli që ka pasur Kryeministri Berisha në të gjithë këtë proces dhe rrugë të gjatë të demokratëve Basha tha se ai është I pazëvendësueshëm. “Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar. Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik, dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegjia e Partisë Demokratike. Por misioni i lirisë dhe Shqipërisë se zhvilluar europiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment”, – nënvizoi kandidati demokrat. Përballë Bashës, në mënyrë zyrtare është edhe Sokol Olldashi, i cili vetëm dy ditë më parë shpalli zyrtarisht kandidaturën.

 

Nuk i pranohet kërkesa për kandidat të PD-së, Biberaj: Urdhër politik

 

Edhe pse ishte i pari, që ditën e shtunë deklaroi dëshirën e tij për të kandiduar për kreu e PD-së Aleksandër Biberaj, duket se nuk do të ketë mundësi as që të jetë pjesë e garës dhe jo më të zgjidhet si drejtues i selisë blu. ditën e djeshme zoti Biberaj i është drejtuar dje selisë blu për të dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kreun e Partisë Demokratike. Në një prononcim për mediat pas daljes nga selia blu, Biberaj bëri me dije se administrata refuzoi kërkesën e tij, për shkak të çështjes së anëtarësisë. “Administrata ka marrë urdhër për të mos e pranuar dosjen time për të kandiduar për kreun e PD. I bëj thirrje kryetarit aktual të PD-së të hapë realisht garën”, – tha Biberaj. Ai sqaroi edhe çështjen e statutit lidhur me anëtarësinë, duke thënë se ai asnjëherë nuk e ka tërhequr anëtarësinë në PD, dhe realisht vazhdon të jetë anëtar, ndërkohë që FRD e cilëson një kapitull të mbyllur. Biberaj theksoi se dëshiron të japë kontributin e tij në kushtet e vështira në të cilat ndodhet sot PD-ja dhe demokratët. “Kam dëshirën, vullnetin eksperiencën dhe mbështetjen e demokratëve për të qenë kandidat potencial. Është interpretim i problemit të statusit lidhur me anëtarësinë. Ky është një vendim që i takon kryesisë. Administrata nuk më pranoi . Jam larguar nga FRD dhe nuk kam tërhequr asnjëherë anëtarësimin në PD. FRD histori e mbyllur jam rikthyer për të dhënë kontributin tim. Mua nuk më ka përfunduar anëtarësia, kjo është një çështje politike për të më penguar, unë dëshiroj të futem në gare, por vendimi i takon kryesisë. Sot duhet të jemi të bashkuar se kundërshtari im nuk është në PD, por majta. Unë nuk e kam dëmtuar PD dhe nuk kam bashkëpunuar me PS, unë nuk e kam sulmuar PD, por e kam kritikuar. Rezultati i 23 qershorit tregoi se po të ishin marrë kritikat e mija situata do ishte ndryshe”, – u shpreh ai. Pyetur për rivalet në garë, ai deklaroi se “është shpejt për të folur për rivalë”. “Për mua shumë rëndësi do të kishte gara e ndershme dhe çdo kandidat do të vlerësohej nga platforma,” – tha ai. Biberaj theksoi se kërkesën e tij do ta çojë me postë, dhe më pas do të jetë kryesia e PD ajo që do të marrë vendimin për pranimin apo jo të kandidaturës së tij.

 

 

Sot mblidhet kryesia e PD-së, vlerësohen kandidaturat

Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar para pak ditësh se e sotmja do të jetë dita kur kryesia e selisë blu do të mblidhet për të vlerësuar të gjitha kandidaturat që janë zyrtarizuar dhe që regjistruar në administratën e PD-së për të qenë pjesë e garës. “Diten e enjte, kryesia e PD-së do të mblidhet për vlerësimin dhe shprehjen e mbështetjes së saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë të mbështeten prej saj zyrtarisht. Kjo nuk do të thotë se jashtë mbështetjes së kryesisë së PD-së anëtar apo anëtare të PD-së mund të pengohen dhe nuk mund të konkurrojnë për kryetar të Partisë Demokratike. Dallimi i vetëm është se ata nuk do jenë kandidatura zyrtare të kryesisë së PD-së”, – saktëson një mesazh që lideri Berisha ka dërguar për të gjithë anëtarët apo simpatizantët demokratë, në të gjithë vendin, ditën e martë.

 

Gara

Nallbani e shpall kandidaturën për lider të PD-së

Garës për kreun e ri të PD-së, i shtohet dhe një emër i njohur për demokratët, i cili në mars 1990 i vuri dinamit bustit të Stalinit pran Hotel “Dajtit” Tiranë. Nallbani i cili zyrtarizmi emrin e tij në selinë blu, u shpreh i keq ardhur nga mungesa e vëmendjes së medias, teksa theksoi se sheh si rival më të fortë Sokol Olldashin. “Çuditem sesi njerëz të tillë që kanë një radhë në kandidim të lihen në harresë, dhe të zhvendoset vëmendje tek një i kollarisur. Natyrisht kanë dhënë kontribute te tyre njerëz të mrekullueshëm si Sokol Olldashi dhe të tjerë, por dhe nuk duhet te lihemi ne harresë. Rivali i im më i fortë Sokol Olldashi”, u shpreh i indinjuar Bujar Nallbani. Tashmë emri dhe kontributi i Bujar Nallbanit si ithtar i demokracisë, ka vite që është bërë i njohur. Ai është një nga nismëtarët e parë të lëvizjes Demokratike në Shqipëri. Më 10 mars 1990 i vuri dinamit bustit të Stalinit pran Hotel “Dajtit” Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency