TAP nënshkruan marrëveshje me operatorin grek të furnizimit të gazit

0

tapiErvin Kaduku

Loading...

 

Tubacioni do të lidhet me gazsjellësin Trans-anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi në Greqi, do të kalojë në Shqipëri, detin Adriatik për të përfunduar në bregdet në jug të Italisë

 

Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) nënshkroi në Athinë një marrëveshje bashkëpunimi me operatorin grek të transmetimit të sistemit të gazit natyror, DESFA, njoftuan dje burimet zyrtare të TAP-it. Në mënyrë të veçantë TAP dhe DESFA planifikojnë marrëveshje për ditë-operimet teknike dhe mirëmbajtjen për pjesën greke të gazsjellësit TAP si dhe të tjera bashkëpunime si, rishikimin e pikave te interkonieksionit me sistemin e tubacionit të DESFA për të rritur më tej sigurinë e furnizimit, etj.
Marrëveshja vjen 5 ditë pas njoftimit të datës 28 qershor kur TAP u zgjodh fitues nga konsorciumi ‘Shah Deniz 2’ në Azerbajxhan si gjurma më e mirë e tubacionit për të eksportuar gazin e Azerbajxhanit në Evropë, edhe si pasojë e përpjekjeve të jashtëzakonshme të bëra nga qeveria shqiptare për të siguruar një burim të ri energjie, për të hapur vende të reja pune për shqiptarët dhe për ta kthyer vendin në një nyje të rëndësishme të gazit natyror në Ballkan.
Duke komentuar marrëveshjen, Rikard Scoufias, drejtori rajonal i TAP-it në Greqi, tha se “duke qenë i zgjedhur nga konsorciumi ‘Deniz Shah 2’ si opsioni më i mirë për të transportuar gazin në Evropë, projekti tani hyn në fazën e ardhshme të ekzekutimit. Ne po bashkëpunojnë me shumë kompani lokale greke, që aspirojnë të përfshihen në këtë angazhim. Kjo marrëveshje, që vjen pas më se 9 muaj angazhim konstruktiv me DESFA, përbën një hap të madh drejt realizimit të suksesshëm të hapave për realizimin me sukses të planit që ka TAP në Greqi”.
Ndërsa Lutz Landweher, drejtor Komercial i TAP, i kënaqur nga bashkëpunimi me DESFA-n, vlerësoi përvojën e saj në Greqi, duke u shprehur se “të dy ndajmë pikëpamjet mbi rëndësinë e zhvillimin e tregjeve të gazit në Ballkanin Lindor dhe Perëndimor”.
Seksioni i tubacionit të gazit TAP në Greqi do të fillojë në Kipoi në kufirin turko-grek, dhe do të jetë me gjatësi 550 km deri në veriperëndim të Dipotamias, për të hyrë në Shqipëri, në zonën e Bilishtit. Ky projekt mbështet ambiciet e Greqisë për t’u bërë i rëndësishëm si “Autostradë Energjetike”. Për më tepër, pikat e planifikuara interkonieksionit me drejtim të kundërt me rrjedhën e TAP mbështesin gjithashtu sigurinë e furnizimit për vendet e tjera në rajon.

 

TAP-i
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të transportojë gazin natyror nga fusha gjigand “Shah Deniz II” në Azerbajxhan në tregjet më atraktive në Evropë. Tubacioni do të lidhet me gazsjellësin Trans-anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi në Greqi, do kalojë në Shqipëri, detin Adriatik për të përfunduar në bregdet në jug të Italisë. TAP pritet të lehtësojnë furnizimin me gaz në disa vende të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj.
Duke zbarkuar në Itali TAP hyn në tregu e tretë më të madh të gazit në Evropë, ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të tij në disa nga tregjet më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.
Për të zgjeruar kapacitetin nga 10 në 20 MMK/vit, TAP do të hapë të ashtuquajturin Korridori Jugor i Gazit që rrit sigurinë e energjisë së Evropës me një burim të ri gazi.
Aksionarët e TAP janë: “Axpo” e Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON e Gjermanisë (15%). Anëtarët e konsorciumit Shah Deniz: BP, SOCAR dhe Total gjithashtu kanë tashmë mundësi për t’u bashkuar me projektin TAP.
DESFA, (degë e DEPA, kompani publike e furnizimit me gaz në Greqi) është operatori i sistemit të transmetimit të gazit në Greqi dhe përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit të gazit natyror grek.

 

 

 

 

Firmat shqiptare investojnë 206 milionë euro jashtë vendit

Rekordin për investime dalëse e mbajnë Kroacia dhe Serbia, përkatësisht me 4.5 dhe 2.2 miliardë euro.

Stoku i fluksit dalës të investimeve për Shqipërinë, në fund të vitit 2012 ka arritur në 206 milionë euro. Shifra bëhet e ditur në Raportin Botëror të Investimeve përgatitur nga UNCTAD dhe të publikuar pak ditë më parë. Shqiptarët kanë investuar më shumë jashtë në raport me shtete të tjera të rajonit, në nivele zhvillimi të krahasueshme me ne, si Maqedonia, bizneset e të cilës kanë një stok të investuar jashtë prej vetëm 104 milionë dollar dhe në nivele pak më të ulëta se Bosnja, që ka një nivel prej 286 milionë dollarësh. Rekordin për investime dalëse e mbajnë Kroacia dhe Serbia, përkatësisht me 4.5 dhe 2.2 miliardë euro.

Rritja e shpejtë e kompanive gjatë viteve 2004-2007 i nxiti bizneset shqiptare jo vetëm të investonin më shumë brenda vendit, por të rrisnin ndjeshëm edhe investimet në tregjet e huaja. Nuk ishin të paktë sipërmarrësit që nisën dhe zhvilluan projekte në vendet e rajonit e madje edhe në shtete evropiane, si Itali, Austri etj.

Më aktivet në investime kishin firmat e ndërtimit, që nisën ndërtimin e komplekseve të banimit dhe të hapësirave tregtare.

Megjithatë, këto investime rezultojnë të jenë goditur nga kriza ekonomike evropiane, sipas bizneseve të kontaktuara. Sidomos më të goditura kanë qenë kompanitë e ndërtimit. “Nga informacionet që kemi nga anëtarët tanë, thuajse të gjitha kompanitë që kanë investuar në tregun e rajonit kanë pasur ecuri negative, duke nisur që nga Bullgaria dhe deri në Maqedoni dhe Mal të Zi”, thotë ndërtuesi Hajredin Fratari.

Në Bullgari (Sofje), Fatos Pustina ishte ndër të paktët sipërmarrës të ndërtimit, i cili ndërtoi një kompleks të madh banimi. Ecuria deri para goditjes nga kriza ka qenë shumë e mirë, pasi edhe shitjet kanë pasur dinamikë të kënaqshme. Por Konfindustria konfirmon se kompania tashmë është në vështirësi për të shitur apartamentet.

“Në Bullgari, thuajse të gjitha shitjet realizohen përmes kredive të bankave, Në këtë kohë, kur bankat e kanë ulur shumë huanë, kjo situatë është e pashmangshme, prandaj edhe kompania e ka të vështirë të shesë apartamentet”, shpjegojnë drejtuesit e Konfindustrisë.

Të njëjtin “fat” kanë pësuar edhe investimet e disa sipërmarrësve shqiptarë në Maqedoni, sidomos në “zonën shqiptare” të Shkupit. Edhe në Strugë, kompanitë nuk po mundin të shesin dot apartamentet apo dyqanet.

 

 

Loading...