Liga e Evropës, shqiptaret nisin aventurën

0
162

 kuksiAltin Vorpsi

Kukësi, Laçi dhe Teuta do të nisin sot aventurën evropiane në kompeticionin e dytë për nga rëndësia të organizuar nga UEFA. Liga e Evropës, që ka nisur dy ditë më parë, do të njihet sot me verdiktet e para.

 

Shorti ka qenë bujar me skuadrat tonë që sot do të luajnë takimet e para me rivalet përkatëse. Kukësi, Laçi dhe Teuta kanë shanse reale që të bëjnë mirë dhe të kapërcejnë pengesën e parë në fazën e eliminatoreve të Ligës së Evropës.

 

Debutuesja

Ekipi i Kukësit, pjesëmarrës për herë të parë në kupat e Evropës, ka kohë që stërvitet intensivisht për t’u kualifikuar në turin tjetër. Formacioni pritet të jetë ai që ka mbyllur sezonin pa ndonjë ndryshim, pasi me Kukësin kanë fluturuar të gjithë lojtarët. Trajneri Armando Cungu pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, por edhe të zbatojë një strategji fituese në Talin, në mënyrë që ndeshja e kthimit të rrisë shpresën e kualifikimit për në turin e dytë. Pritet që trajneri i Kukësit, Armando Cungu, të hedhë në fushë në sfidën e sotme ndaj Flora Talinit formacionin më të mirë. Kështu, në portë do të jetë Halili; në mbrojtje do të rreshtohen Peqini, Brahja, Malakarne dhe Hallaçi. Për sa i përket mesfushës, do t’i besohet Hoxhës, Musollit, Allmuçës dhe Alikajt. Si gjithmonë, dyshja e sulmit do të përbëhet nga Gerhard Progni dhe Llazar Popoviç.

 

Fatlumët

Pas mësimit të emrit të kundërshtarit me të cilin do të përballen kurbinasit në Ligën e Evropës, presidenti Pashk Laska në një prononcim për mjedrat deklaroi se kundërshtari duhet vlerësuar në maksimum, pasi shanset për të kaluar më tej janë të barabarta për të dyja ekipet. Këtë vlerësim për kundërshtarin ai e ka shprehur edhe pak ditë më parë, teksa u ka premtuar lojtarëve të tij se, në rast se kalohet ky tur i Ligës së Evropës, do të përfitojnë plot 20 mijë dollarë premio. Diçka e tillë pritet të mobilizojë edhe më tepër lojtarët e tij, të cilët do tentojnë ta sigurojnë kualifikimin që në ndeshjen e parë në Korçë. Ata kanë pasur mundësi që të shikojnë disa DVD të ndeshjeve të Diferdanzh dhe, me sa është parë, luksemburgasit janë një ekip i kalueshëm, por sigurisht që nuk duhet nënvlerësuar aspak, pasi do të ishte fatale. Ndeshja e parë në Korçë do jetë tepër e rëndësishme dhe një fitore e bardhezinjve do të ishte një hap pozitiv drejt kualifikimit. Për të ndodhur diçka e tillë do duhet edhe ndihma e tifozëve të zjarrtë kurbinas, që pritet të udhëtojnë drejt Korçës jo vetëm privatisht, por edhe të organizuar, pasi me shumë mundësi presidenti Laska do të vendosë disa mjete transporti falas për tifozët e tij.

 

Të pjekurit

Sfida që tërheq më shumë vëmendjen e opinionit sportiv në vend është pa dyshim ajo e “Niko Dovanës” mes Teutës vendase dhe Dacia Kishinievit, që do të nisë në orën 21:00. Ekipi moldav konsiderohet një kundërshtar I kalueshëm për durrsakët, por statistikat nuk flasin në favor të djemve e detit. Në tri pjesëmarrjet e fundit në kupat e Evropës Dacia Kishiniev ka arritur ta kalojë turin e parë dy herë, duke eliminuar në sezonin 2010-2011 Zetan e Podgoricës në Europa League, ndërsa në sezonin 2012-2013 kaloi skuadrën sllovene të Celjes. Nuk ka lënë shije të mirë aventura evropiane e Teutës sidomos në sezonin e fundit. Përtej optimizmit të ekipit durrsak në momentin e hedhjes së shortit, që një vit më parë e vuri përballë Metalrug Rustavit të Gjeorgjisë, fusha e blertë tregoi diznivel të madh mes futbollit të dy vendeve. Teuta u mposht 3-0 në fushën e saj, ndërsa në sfidën e kthimit difsata rezultoi edhe më e rëndë me shifrat 1-6. Duket si diçka ka ndryshuar te “djemtë e detit” këtë sezon me trajnerin Gugash Magani që premtoi një lojë sulmuese, për të hedhur një hap drejt kualifikimit që në takimin e parë.

 

 

Skeda

 

19:30 Flora – Kukësi

 

20:00 Laçi – Differdang03

 

21:00 Teuta – Dacia

 

 

 

Merkato

Kavani shkon tek PSG

E ardhmja e Edinson Kavanit me shumë gjasa nuk do të jetë as Çelsi dhe as Reali i Madridit, dy klubet që kanë shfaqur interesimin më të madh për uruguajanin deri tani. Nga Parisi, erdhi këtë të mërkurë “bomba”, kampionët e Francës janë të gatshëm të paguajnë menjëherë 63 milionë euro për futbollistin, që është edhe vlera e shitjes së tij automatike nga Napoli. Golashënuesi më i mirë i Serisë A, i cili preferon Realin, por ka arritur një marrëveshje edhe me Murinjon, do të joshej nga parisienët me një pagë më të lartë se ajo që i kanë propozuar të dy klubet e tjera. Në atë që është një prej tratativave më të gjata të kësaj vere, të gjithë të interesuarit e tjerë për futbollistin nuk kanë mbërritur deri në pagimin e klauzolës së lëshimit, duke ofruar në rangun e 50-55 milionë eurove apo marrëveshje ku të përfshiheshin edhe futbollistë të tjerë. Për Paris SG i preferuari në këtë merkato ishte Falkao, por pasi kolumbiani shkoi tek rivalët e Monakos, tashmë Kavani është vendosur në krye të listës së dëshirave të trajnerit Loran Blank.

 

Itali

Empoli nuk kërkon të humbasë Hysajn

Prej disa ditësh, Empoli dhe Lacio kanë nisur bisedimet për të gjetur gjuhën e përbashkët në lidhje me transferimin e mundshëm të mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj nën urdhrat e trajnerit Vladimir Petkoviç. Situata vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të disa pengesave në qëndrimet mes shoqërive por drejtori sportiv i skuadrës toskane, Marçello Karli e komenton personalisht këtë situatë duke zbuluar edhe disa nga detajet e takimit të fundit me presidentin Klaudio Lotito dhe drejtorin sportiv Igli Tare: “Kemi diskutuar me ta dhe mund të them se ishte një takim frytdhënës. Lazio ka shfaqur interes konkret për lojtarin por aktualisht jemi larg në qëndrime sepse ata duan gjithë kartonin, ndërsa ne dëshirojmë të zotërojmë gjysmën”. Strategjia është e qartë, bardhekaltrit kërkojnë ta kompletojnë plotësisht transferimin, madje duke i premtuar Empolit edhe ndonjë shkëmbim, por nga ana tjetër, toskanët i tremben faktit se Hysaj mund të rritet edhe më shumë si lojtar dhe në këtë rast vlera e kartonit të tij do të rritej shumë: “Në këto momente ne jemi të interesuar për të diskutuar vetëm rreth Elseidit, por edhe në rast tub kundërt, Lacio nuk është e gatshme të transferojë te Empoli lojtarë që ne na interesojnë”. Në fund, drejtori sportiv Karli lë të kuptohet se diferenca mes shoqërive për vlerësimet që i bëjnë shqiptarit sillet rreth shumës 1 milion euro: “Këtu nuk po flasim për Kavanin. 1 milionë Euro mund të jetë një shumë e vogël për dikë por me peshë të madhe për dikë tjetër. Ne e konsiderojmë të rëndësishëm faktin që po diskutojmë me Lacion, por duhet të tregohemi realistë sepse nuk mund të zbresim poshtë çmimit real të lojtarit. Do të takohemi me Taren edhe gjatë ditëve të ardhshme por nuk e di se çfarë rrjedhe do të marrë kjo histori”. Një situatë që duket e qetë dhe pa shumë komplikime por që nuk arrin të marrë zgjidhje për talentin shqiptar, pasi trajneri Petkovic i ka kërkuar presidencës të punojë sa më shpejt në merkato për ta pasur të gatshme skuadrën në fazën përgatitore dhe vonesat në bisedime mund ta çojnë situatën drejt dështimit duke ditur se ditët e grumbullimit të ekipit po afrojnë.

 

Sulmuesit

Mesi mbron Nejmarin: Do të shkëlqejmë së bashku

Lionel Mesi vazhdon të hedhë poshtë zërat se mes tij dhe Nejmarit do të ketë një rivalitet të fshehtë, për sa i përket rolit te Barcelona. Johan Krujfi deklaroi disa ditë më parë se argjentinasi do të bëjë të pamundurën që ta lërë në hije talentin brazilian. “Unë jam i bindur që Nejmari do të shkëlqejë te Barcelona. Së bashku do të japim maksimumin për të drejtuar ekipin te fitoret dhe te realizimi i objektivave sezonalë. Ai tregoi me Brazilin se është një futbollist i shkëlqyer. Jemi të lumtur që e kemi në ekip”, – u shpreh Mesi. “Nuk ka arsye që dikush të mendojë në aspektin personal dhe jo për skuadrën. Gjithsesi, ne i kemi bindur gjithmonë skeptikët në fushën e lojës. Na pret një sezon i gjatë, por që kam besim se do të jetë shumë i suksesshëm”, – shtoi ylli i katalanasve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency