Fëmijët e vegjël janë egoistë, edhe pse e dinë

0
172

egoistyËshtë një mister shkencor dhe një dilemë prindërore fakti se si ndodh që fëmijët mësojnë të ndajnë gjërat e tyre me të tjerët. Që në moshën trevjeçare, fëmijët e kuptojnë konceptin e drejtësisë. Drejtësia për ta është që si njëri edhe tjetri të marrë numrin e njëjtë të gjërave.

Por nëse e lini drejtësinë në duart e një fëmije, do ta shihni se ajo do të zhduket, sepse fëmijët e vegjël kanë prirje t’i ruajnë sa më shumë gjërat për vete, kur u është ngarkuar detyra t’ia japin ato edhe një tjetri. Për shembull, nëse i kërkoni një fëmije të ndajë lodrat apo karamelet e tij me një tjetër fëmijë, ai me shumë gjasa do të japë sa më pak.

Një studim i ri po fillon të zgjidhë ngatërresën e deritanishme të krijuar mes njohjes dhe sjelljes te fëmijët. Përfundimet janë tepër të befasishme: fëmijët e vegjël, kur duhet të ndajnë diçka me të tjerët, e kthejnë situatën gjithnjë në favor të tyre. Kur vjen puna për të ndarë, fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç janë shkencërisht një tufë e vërtetë hipokritësh. Në çaste të caktuara ata janë të sinqertë dhe tregojnë vetëdije. Ata e kuptojnë se po mbajnë më shumë se ç’duhet për vete, shprehet Peter Blake, asistent profesor psikologjie në Universitetin e Bostonit dhe bashkautor i studimit.

Në karakterin evolutiv, të dhënat e marra nga studimi mund të na ndihmojnë shumë. Fëmijët në lidhje me dhënien janë më të tërhequr dhe më shumë egoistë në mënyrë që të mbijetojnë dhe të riprodhohen. Studimi u publikua në revistën shkencore “Plos One” nga Blake dhe kolegët e tij të Universitetit të Harvardit dhe Miçiganit.

Fillimisht shkencëtarët i dhanë çdo fëmije të moshës nga tre deri në tetë vjeç nga katër letra ngjitëse të përzgjedhura me shumë kujdes. Letrat ishin në ngjyrën e preferuar, kishin të stampuar personazhin e dëshiruar në mënyrë që fëmijës t’i pëlqente sa më shumë. Kërkuesit e nxitën ndjenjën e pronësisë mbi letrat ngjitëse duke u thënë fëmijëve se ato u përkisnin atyre. Më pas, atyre iu kërkua t’i shpërndanin letrat me një vajzë apo djalë tjetër. Pastaj shkencëtarët i pyetën fëmijët në lidhje me sasinë që duhet të shpërndante gjithsecili.

Të gjithë fëmijët e çfarëdo lloj moshe pranuan se ndarja duhej të bëhej në mënyrë të barabartë. Por kur erdhi çasti që ata personalisht të ndanin letrat e tyre ngjitëse, fëmijët më të vegjël kishin më shumë gjasa që të mbanin për vete më tepër. Për të provuar nëse ky ishte apo jo një problem i kontrollit të impulseve, shkencëtarët u bënë fëmijëve një test tjetër të projektuar se sa mirë ata mund t’i frenonin impulset. Kështu kërkuesit u treguan fëmijëve një pikturë të diellit dhe u kërkuan të thoshin të kundërtën e asaj që shihnin, duke vërtetuar aftësinë e frenimit të impulseve.

Nga përfundimet u zbulua se impulset nuk kishin aspak lidhje me vendimin e fëmijëve për të ndarë sendet e tyre. Ndryshimi më i madh qëndronte midis mënyrës se si fëmijët folën në fillim të kërkimit, kur thanë se duhet të ndaheshin sendet në mënyrë të barabartë dhe me mënyrën sesi vepruan. Fëmijët më të vegjël folën më shumë për dëshirat e tyre, sesa për drejtësinë që duhej vendosur në ndarjen në mënyrë të barabartë. Në një eksperiment të dytë, kërkuesit e ndryshuan pyetjen. Ata pyetën një grup tjetër sesa imagjinonin ata se do të ndante fëmija tjetër nga letrat e tij ngjitëse.

Pavarësisht faktit se fëmijët e të gjitha moshave e bënë të qartë se e kuptonin konceptin e barazisë në ndarje, fëmijët më të vegjël parashikuan se ata do t’i mbanin sendet për vete, në mënyrën e njëjtë siç veproi grupmosha e tyre më parë. Fëmijët e vegjël nuk u përpoqën aspak të bënin gjënë e duhur, përkundrazi ata bënë çfarë dëshironin, pra i mbajtën letrat e tyre për vete. Kërkuesit dëshirojnë që këtë tendencë të fëmijëve për të njohur të drejtën, por të vepruar sipas interesave të tyre, ta provojnë edhe me fëmijë të tjerë të kulturave dhe shteteve të ndryshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency