Kupat e Evropës, shqiptaret ëndërrojnë për Lisbonën dhe Torinon

0
120

Altin Vorpsi

skenderbeuEdhe këtë vit Shqipërinë do ta përfaqësojë skuadra e Skënderbeut. Kampionët në fuqi të Shqipërisë do të luajnë ndeshjen e parë në transfertë më datë 16 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 23 korrik

Ka kaluar pak më shumë se një muaj që prej finales së madhe në “Wembley”. Liga e Kampioneve njohu kampionen e saj të re vetëm pak javë më parë. Nën qiellin e Londrës, Bajerni i Mynihut fitoi për herë të pestë në historinë e vet këtë kompeticion, që për klubet shqiptare do të mbetet ëndërr vetëm pjesëmarrja në fazën finale.

 

Filloi

Pikërisht dje ka nisur edicioni i ri i Ligës së Kampioneve. Edicioni 2013/2014 këtë vit do të mbyllet në Lisbonë. Gjithçka nisi nga takimet mes kampioneve të shteteve që renditen nga vendi i 50 – 53 i renditjes së UEFA-s. Në stadiumin “Gyumri City” përballë Shirak (të Armenisë) ishin Tre Penne (skuadër e San Marinos). Ndërkohë që Lusitanos (të Andorës) pritën EB/Streymur (të Ishujve Far Oer). Takimet e kthimit janë përcaktuar që të luhen më 9 korrik. Po dje mbrëma nisi edhe Liga e Evropës. Dje në darkë u zhvillua katër nga 38 takimet e vlefshme për turin e parë eliminator.

 

Skënderbeu pretendon të kalojë një tur

Liga e Kampioneve 2013-2014 do të jetë edicioni i 59 i këtij kompeticioni që lakmohet nga tërë klubet më të mëdha të Evropës. Për të qenë më të saktë ky është edicioni numër 22 që kur ky komepticion ndërroi emër nga Kupa e Kampioneve në Liga e Kampioneve. Edhe këtë vit Shqipërinë do ta përfaqësojë skuadra e Skënderbeut. Kampionët në fuqi të Shqipërisë do të luajnë ndeshjen e parë në transfertë më datë 16 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 23 korrik. Shorti për ekipin korçar mund të konsiderohet i pranueshëm duke marrë parasysh se mund të përballeshin edhe me emra si Sëlltik, Steaua Bukuresht, Dinamo Zagreb apo BATE Borisov. Korçarët do të sfidojnë Neftçin që është skuadra e kryeqytetit të Azerbajxhanit dhe më e suksesshmja e këtij vendi me 8 tituj kampion dhe 5 kupa kombëtare. Në Evropë ky ekip ka arritur të hyjë në fazën e grupeve të Europa League në sezonin 2012-2013 pasi mundi APOEL-in e Qipros 4-2 në play-off.

 

Të voglat

Në kupat e Evropës nuk luan vetëm Skënderbeu. Ekipi kampion është i shoqëruar edhe nga të tjera skuadra shqiptare që sfidojnë rivalet e tyre në një kompeticion më të vogël sesa Liga e Kampioneve. Një short favorizues rezultoi ai edhe për tri përfaqësueset tona në Europa League. Kështu, Laçi ka një përballje të thjeshtë në letër ndaj Diferdanzhit luksemburgas, Kukësi sfidon estonezët e Florës së Tallinit e Teuta përballet me Dacian moldave, duke pasur secila prej tre përfaqësuesve tona në Europa League, të paktën hipotetikisht, shanse të mira për të kaluar përtej turit të parë.

 

 

 

 

 

Vëmendja

UEFA shkruan për Kukësin

Pjesëmarrja e Kukësit për herë të parë në Kupat e Evropës vetëm pas një viti në Kategorinë Superiore, është një fenomen që ka tërhequr vëmendjen e qeverisë së futbollit evropian, UEFA. Në një shkrim në faqen zyrtare të këtij institucioni, me titull “Ngjitja meteorike e Kukësit në skenën evropiane”, përshkruhet ecuria e jashtëzakonshme e skuadrës verilindore nga kategoritë më të ulëta të futbollit shqiptar deri në superiore, ku në vitin debutues e mbylli kampionatin në vendin e dytë pas Skënderbeut.

Për kuksianët gjithsesi ëndrra vazhdon me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, ku synohet të paktën kalimi i një turi. Presidenti Safet Gjici, trajneri Armando Cungu, drejtori teknik Sulejman Starova dhe kapiteni Rrahman Hallaçi kanë dhënë opinionet e tyre për faqen e UEFA-s, të bindur se paraqitja e Kukësit në skenën evropiane do të jetë e suksesshme.

 

Lufta ndaj dopingut

UEFA ndryshon rregullat, përveç urinës do të analizohen edhe kampionë gjaku

Prej sezonit 2013/14, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të marrë edhe mostra gjaku për analizat antidoping në të gjitha kompeticionet e saj. Deri tani, provëzat e gjakut ishin marrë vetëm gjatë Evropianit 2008 dhe 2012. Analizat e lojtarëve do të zhvillohen si përpara kompeticioneve të kombëtareve dhe klubeve, ashtu edhe gjatë dhe në përfundim të tyre. Prej këtij sezoni, futbollistëve do t’u kërkohen kampionë urine, gjaku, ose të dyja bashkë në varësi të kërkesës së Agjencisë së Antidopingut. Të gjitha federatat evropiane që do të marrin pjesë në kompeticionet evropiane, janë lajmëruar prej disa kohësh për ndryshimet e rregullores. UEFA njoftoi gjithashtu se gjatë testeve të sezonit të shkuar 2012/13, nuk ka pasur asnjë rezultat pozitiv të testeve antidoping si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Ligën e Evropës. Në klubet kryesore janë kryer 1.374 kontrolle gjatë dhe në përfundim të kompeticioneve. Vitin e fundit UEFA ka mbledhur 813 mostra nga lojtarët, ndërsa më shumë se 67 për qind e tyre janë analizuar për gjetjen e substancës EPO, e cila injektohet tek sportistët për të rritur rezistencën trupore. Për më tepër, në bashkëpunim me laboratorin e VADA-s (Agjencia Botërore e Antidopingut) në Lozanë të Zvicrës, UEFA do të nisë dhe një studim për të analizuar profilet e steroideve të 900 lojtarëve të cilët janë testuar të pakëtn tre herë në kompeticionet e UEFA-s që prej vitit 2008.

 

Miqësorja

Skënderbeu vazhdon përgatitjet

Skënderbeu vazhdon përgatitjet me dy seanca stërvitore në ditë. Gjatë seancës së radhës me ekipin është bashkuar edhe Orelesi. Një lajm i mirë ky për Josën, që tashmë pret gjithashtu edhe rikthimin e Bicit. Përveç informacioneve nga infermieria, trajneri bardhekuq është duke pritur edhe ardhjen e një sulmuesi. Skënderbeu do të luajë edhe një ndeshje të fundit miqësore në tokën austriake para kthimit në Korçë. Nesër korçarët do përballen me klubin gjerman, Energia Kotbus, ndërsa më 6 do të kthehen në Shqipëri, për të vazhduar në këtë të fundit përgatitjet. Deri më tani bardhekuqtë kanë zhvilluar 4 miqësore.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency