Festa e fitores në Tiranë Rama: Do mirëqeverisim për të gjithë, asnjë profesionist i administratës nuk do hiqet nga puna

0
139

Gëzim Saliu

rama ne konventeMajko: Ata që shkelën ligjin, është koha të ikin. Bushati: Ta çojmë Shqipërinë aty ku meriton

 

Partia Socialiste festoi mbrëmjen e djeshme në kryeqytet fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Në aktivitetin “Faleminderit Tirana” të zhvilluar në amfiteatrin tek Liqeni Artificial, PS mblodhi të gjithë aktivistët e saj, pjesëmarrës në fushatë si edhe mbështetësit politikë, të cilët morën falënderimet të veçanta nga i gjithë ekipi i kandidatëve për deputetë të PS-së në kryeqytet. Në fjalën e tij, kreu socialist Edi Rama shprehu vendosmërinë e të majtëve për të mirëqeverisur Shqipërinë për të gjithë dhe siguroi punonjësit e administratës se askush nuk do të largohet nga puna, nëse e ka fituar atë me meritë. “Shqipëria është shumë e vogël për tu ndarë në ne dhe ata. Ka 20 vite që është qëllimisht e ndarë në ne dhe ata, etërit dhe të bijtë, ata të veriut dhe të jugut. Harta e Shqipërisë që shqiptarët pikturuan me ngjyrën e purpurt të rilindjes, është prova më kuptimplotë se shqiptarët e kuptojnë rilindjen si një shtet që u shërben shqiptarëve pa dallim nga veriu në jug. Ne kemi emrat, kemi detyrën. Nëse duam të dalim faqebardhë, pushteti duhet të jetë i juaji”, – deklaroi Rama. Po ashtu, kryesocialisti rikujtoi premtimin e tij për legalizimin e banesave brenda mandatit të parë, duke thënë: “Ne nuk jemi më në fushatë elektorale dhe prandaj unë ndihem më i lehtësuar që t’u them të gjithë atyre që presin të legalizojnë shtëpinë, që janë liruar nga kthetrat e një partie që i la pa legalizuar vetëm e vetëm për t’u marrë votën. Ne në fund të mandatit tonë të parë do të jemi shumë krenarë para tyre, se gjithkush që ka ndërtuar një shtëpi do ta ketë atë pronë të patundshme të regjistruar në hipotekë. Procesin e legalizimit do ta bëjmë një proces që do të përfshijë çdo familje që ka nevojë për titullin e pronësisë”.

Deputetët

Kryesuesi i listës së qarkut të Tiranës, Pandeli Majko, deklaroi dje se me fitoren e 23 qershorit, socialistët përmbushën atë që shumëkush e cilësonte si një ëndërr. “Kishte shumë që thoshin “do t’i marrë prapë ai, do t’i manipulojë”. Një falënderim të veçantë sot nga Tirana, ia drejtoj qytetit të demokracisë, Kavajës, që foli fort me zë të lartë dhe me votë për rilindjen e gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot është data 2 korrik. Në 2 korrik të ‘90-ës mijëra shqiptarë hynë nëpër ambasada duke refuzuar realitetin. Në 23 qershor shqiptarët nëpërmjet votës refuzuan staniacionin, krizën, ndarjen në ne dhe ata dhe i thanë po rilindjes”, – tha Majko. Në fund të fjalës së tij, anëtari i kryesisë së PS-së premtoi: “Të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, që i kanë nxirë buzën, i kanë hequr nga puna njerëzit, tani është koha të ikin, është koha të vijnë këta. E kanë merituar, e meritoni, sepse na keni mbajtur dhe do t’ju mbajmë”. Ndërkohë, deputeti i PS-së Ditmir Bushati nënvizoi faktin se qeveria socialiste ka përpara një sfidë të madhe, për të realizuar rilindjen që u kanë premtuar shqiptarëve. “Kemi marrë një votë bindëse, një mbështetje të madhe popullore. Kemi një sfidë shumë të madhe përpara, shumë më të madhe ndoshta se ajo e vitit ‘97, për ta çuar Shqipërinë aty ku meriton dhe për të realizuar rilindjen që u kemi premtuar shqiptarëve”, – theksoi Bushati. Po ashtu, edhe kreu i PS-së së Tiranës, njëkohësisht i rizgjedhur deputet në këtë qark në zgjedhjet e 23 qershorit, Saimir Tahiri, falënderoi të gjithë mbështetësit dhe aktivistët socialistë për fitoren. “Jam shumë i bindur dhe jam shumë krenar me veten që t’jua them prapë sot: Po, ne luftuam bashkë, e bëmë fushatën bashkë, ne fituam bashkë dhe nesër do të qeverisim bashkë në emër të qytetarëve, në emër të shqiptarëve dhe në emër të rilindjes së Shqipërisë. Unë dua t’ju falënderoj nga zemra dhe nuk besoj se kam aq fjalë sa të mundem t’ju falënderoj sa duhet. Uroj shumë që këtë fitore të mos e mbajmë thjesht në zemër, por këtë fitore ta kthejmë në punë dhe puna për ne sapo ka filluar”, tha ai. Në aktivitetin e djeshëm festiv, morën gjithashtu fjalën të gjithë kandidatët për deputetë të PS-së në qarkun e Tiranës, të cilët përshëndetën qytetarët e kryeqytetit dhe falënderuan të gjithë socialistët që kontribuuan për fitoren.

 

 

Rama: Rrugëtim im në PS, si më këshilloi Pandi për çorapet e kuqe dhe beqarinë

Në takimin e djeshëm festiv në kryeqytet në kuadër të fitores së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, kryesocialisti Rama nuk ngurroi të rrëfente para të pranishmëve një sërë detajesh nga karriera e tij politike si edhe rrugëtimin e tij nga 2005 kur mori drejtimin e PS-së deri ditën e zgjedhjeve të fundit, kur mundi të siguronte mandatin qeverisës. “Në fakt, e kemi nisur bashkë me Saimirin rrugën për të arritur deri këtu, ka qenë i pari që ka ardhur me mua në Partinë Socialiste se ju e dini që mua nuk më linin të futesha nëpër zyrat e partisë si kryetar. Ju kujtohet që e kemi filluar me tabelën e zezë ku Saimiri dilte e shkruante për të pabërat e qeverisjes dhe me radhë për të ardhur deri këtu dhe për arsye të kësaj historie e falënderoj me shumë mirënjohje, posaçërisht, Saimirin. Për ta mbyllur historinë; shkuam bashkë me Saimirin, unë sa isha zgjedhur kryetar i partisë, Saimiri kishte ardhur me mua, ishim njohur tërësisht në mënyrë procedurale se më kishte bërë një letër në e-mail e më thoshte jam filani e kam shumë dëshirë të punoj me ju, kjo është CV ime. U takuam e ramë dakord të punojmë së bashku. Ndërkohë që besoj që duhet t’u japim mundësi të gjithëve atyre që duan të kontribuojnë, që përmes letrës së tyre të motivimit dhe përmes CV-së së tyre të paraqesin interesin për t’i shërbyer shtetit shqiptar. Të gjithë atyre që janë këtu në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë. Kemi shkuar tek zyra e Pandit kur u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, por nuk ishim dakord në atë kohë se më doli kundër, megjithatë e zgjodhi kongresi Sekretar të Përgjithshëm, mua më zgjodhën kryetar. Dhe unë e Saimiri i shkojmë në zyrë, Pandi nuk më shikonte fare mua. I thotë Saimirit “po ti i martuar je?”. Me një fjalë, ky është rast pa shpresë. Saimiri i thotë ‘Jo s’jam i martuar’ dhe Pandi i thotë mirë dil jashtë. Saimiri më pa mua, por unë s’i flisja dot se më duhej ta rregulloja me Pandin. Pandi kthehet nga unë më tha kam dy kushte “e para mos hajde me çorape të kuqe në parti dhe e dyta tha fillo mendoje se nuk e ke pa afat këtë të qenit beqar”. Dhe i realizova të dyja, megjithëse çorapet e kuqe i përdor kur nuk kemi mbledhje grupi”.

 

Deputeti i PKDSH-së

Frroku: Marrëveshjen e kemi me PS-në, posti ministror, jo kusht

Partia e kristiandemokratëve shpreh ambicien për një post ministror në qeverinë e majtë, por thekson se ky nuk është kusht për koalicionin me socialistët. I ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, deputeti i vetëm i kësaj force, Mark Frroku, theksoi se kristiandemokratët kanë një marrëveshje parazgjedhore me PS-në, sipas të cilës, një deputet aleat konvertohet në një ministër. “Marrëveshja është nëse ne dalim direkt me një deputet në çdo qark, ne do të kemi një post ministror. Kjo është marrëveshja. Negociatat vazhdojnë, por ne nuk kemi ushtruar shumë trysni në lidhje me këtë ndaj PS-së. Marrëveshja është shumë e qartë, marrëdhëniet janë shumë të mira, presim. Ne nuk i mëshojmë patjetër që të kemi një ministri. Ne punën tonë e kemi bërë. Puna jonë ishte që të dilnim triumfues në këto zgjedhje, të merrnim një mandat, pastaj të tjerat hap pas hapi”, – tha Frroku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency