ATRIBUTET E EPOKËS “BERISHA” (III) MITIKA DHE MISTICIZMI TE SALI BERISHA

0
138

berishaDR. ENVER BYTYÇI

 

Mitika dhe misticizmi në shkallë të ndryshme janë dy përceptime, të

cilat e ndjekin çdo udhëheqës politik të përmasave të mëdha. Shumë prej

tyre përpiqen që ta ndërtojnë mitikën përmes një lloj misticizmi që

bartin në raportet me medien, njerëzit, bashkëpunëtorët, vartësit,

piramidën shtetërore, shkurt me publikun. Por ka një lloj udhëheqësish,

të cilët realizojnë vepra të paimagjinueshme dhe për këtë shkak bëhen

mitikë, bëhen mbinjerëz, në kuptimin përceptues te fansat e tyre. Ka të

tjerë të cilët kombinojnë shumë mirë misticizmin, pra distancën, janë

enigmatikë me publikun e ndërkohë japin përceptimin se bëjnë vepra të

mëdha. Këta janë të sukseshëm për të arritur atë shkallë të mundëshme si

njerëz mitikë, pra si njerëz të shenjtë, të cilët i ka bekuar Zoti me

disa cilësi të veçanta, cilësi që ndihëmojnë për të realizuar një epokë

në zhvillimet politike e shoqërore.

 

Duke qenë se kam studiuar veprën e udhëheqësit dhe liderit të

shqiptarëve, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, kam

privilegjin të ndërtoj një paralele krahasuese midis tij dhe udhëheqësit

antikomunist e demokrat të Shqipërisë moderne, Sali Berisha. Rugova

ishte mistik. Ai, në ndryshim nga Berisha, fliste pak, shfaqej pak në

publik, nuk mbante kontakte intensive me njerëzit, për pasojë ishte disi

enigmatik, çka favorizonte të qenit edhe mitik. Pra njerëzit kishin

arsye që nga dukja të kishin një përceptim mitik për njeriun që solli

lirinë e Kosovës dhe që në fakt parashikoi si orakulli një gati një

dekadë më parë, atë çfarë do të ndodhte me Kosovën më 1999.

 

Sali Berisha, ndonëse një aleat i natyrshëm i Rugovës, nga karakteri,

nga sjelljet, nga formimi, edukimi, temperamenti është shumë më ndryshe.

Berisha është i drejtpërdrejtë. Ai lexohet menjëherë. Askush nuk ka

patur vështirësi të dallojë se çfarë përfaëson, çfarë synon dhe çfarë

bën lideri i demokratëve shqiptarë. Përkundrazi sinqeriteti dhe qëndrimi

i lexueshëm shpesh herë i ka krijuar probleme atij, sepse kundërshtarët

politikë, duke e lexuar qartë, kanë patur mundësinë t’i kundërvihen me

një strategji e taktikë të dukshme aggresive, ekstremiste dhe

demprurëse. Kjo do të thotë se Berishës i ka munguar mistika, si farë e

brumit të mitikës. Atëherë shtrohet pyetja: Si është e mundur që lideri

demokrat i shqipraëve, Sali Berisha, të mbartë me vete një farë miti?

Ndërsa kundërshtarët e tij do të shtronin pyetjen tjetër: A mund të ketë

mite në demokraci dhe në shoqëritë moderne? Për pasojë mund të thonë, si

mund të flitet për Sali Brishën si mit?!

 

Për të sqaruar momentin do të më lejohet të ndalem pak në anën

filozofike e sociologjike të çeshtjes. Miti (Mithos), një fjalë që vjen

nga greqishtja e vjetër, sipas filozofëve përdoret për të shprehur një

të vërtetë ose për të arsyetuar një ngjarje apo të vërtetën e veprimit

të një njeriu të caktuar. Ndonëse mitet kanë një domethënie simbolike të

pakontestueshme nga pikëpamja morale, ato mund të jenë të tilla edhe në

rastet kur të pavërtetat ose rrenat janë shndërruar në mit. Për

Platonin, mitet janë reale ose të sajuara, fallco. Për Aristotelin mitet

qëndrojnë më shumë afër të vërtetës sesa imagjinatës. Për filozofin e

shekullit 19-të, Schelling, miti është një instrument i shfaqjes së

njeriut. Ndërsa për Fridrich Nitsche në shoqëritë moderne mitet humbasin

domethënien e kuptimin që kishin në shoqëritë paramoderne. Çka do të

thotë se ato nuk zhduken, por marrin format e përmasave reale. Filozofët

shpjegojnë se mitet nuk kanë nevojë të provohen nga pikëpamja historike,

ato janë të dhëna të pakontestueshme, e të paverfikueshme. Kurse Hans

Blumenberg i rehabiliton mitet e shekullit XX, duke i shpjeguar ato me

përvojën e trashëguar dhe aftësinë e personave për të realizuar vepra të

jashtësakonshme.

 

Shqipëria dhe Ballkani kanë vuajtur nga mitet më shumë sesa kanë

përfituar prej tyre. Por shoqëritë moderne përpiqen të përfitojnë, duke

u përpjekur të krijojnë modele të caktuara. A është një model unikal, i

shndërruar në ikonë dhe legjendë, veprimtaria e udhëheqësit demokrat,

Sali Berisha? Rrallë herë ka ndodhur që dorëheqja e një udhëheqësi

politik të përjetohet si dramë. Nuk njoh ndonjë rast tjetër kur një i ri

të përbetohet se do ta ketë gjithmoë ikonë të vetën udhëheqësin e

sapodorëhequr. As nuk ka ndonjë shembull tjetër kur dikush ditën e

dorëheqjes së udhëheqësit të të realizojë portretin e tij në gjoks. Nuk

po përmend turmën që e shoqëroi Sali Berishën para shtëpisë së tij

thuajse gjithë atë natë të 26-27 qershorit të kaluar. Dikush, prej diku

i bënte thirrje ultimative djaloshit që shkroi në FB për Berishën që të

mos e lexonte përgjigjen e liderit. Por askush nuk mundet të deformojë

përceptimin njerëzve të thjeshtë për figurat historike e politike, si të

Berishës.

 

Berisha në 23 vite është shfaqur mijëra herë në mesin e turmave, duke u

bërë njësh me to. Në këto kushte ndodh natyrshëm që përceptimi për

udhëheqës të tillë të venitet, pra që një udhëheqës me kaq shumë

kontakte, thuajse të përditshme me njerëzit e madje me turmat të mos

shihet si ikonë, si legjendë, si një mit. Por jo, ai mbeti njësoj i

vlerësuar në çdo ditë të këtyre 23 viteve, sepse ishte njësoj i lidhur

në formë të drejtpërdrejtë ose indirekt me njerëzit, me demokratët dhe

me të gjithë shqiptarët. Një lidhje të tillë ai e mbajti, ndonëse në

largësi, edhe me shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi,

Luginën e Preshevës e gjetkë. E megjithatë ai mbetet një mit në këto

lidhje. Miti është një dhunti, një vepër e pabesueshme. Dhe vërtet është

e pabesueshme sesi një udhëheqës politik mund të mbajë të njëjtat lidhje

të forta me publikun, si Sali Berisha në këto 23 vite radhazi e

pandërprerje.

 

Mitet maten me veprat dhe karakteristikat personale të individit. Në

këtë këndvështrim, midis Sali Berishës dhe përceptimit të tij si mit

qëndrojnë disa të dhëna, që shkojnë në kufijtë e legjendës. Ata që më

1997-ën i dhanë biletën për pension politik, ende janë si në ëndërr dhe

nuk kanë kuptuar sesi Berisha u rikthye në pushtet. Të tjerë njerëz të

këtij vendi që brez pas brezi shqetësim të vetëm kishin si do të

lidheshin me pjesën tjetër të vendit për shkak të infrastrukturës së

shkatërruar, e shohin ende si ëndërr faktin që Berisha ndërtoi rrugën e

Kombit, tunelin e Kalimashit, apo tunelin e Kërrabës. Ata që vinin

vërdallë dhe paguanin qimet e kokës për një vizë për në vendet

europiane, e kanë ende enigmë, sesi Sali Berisha arriti ta kapërcejë

këtë pengesë e të liberalizojë vizat. Bashkëpunëtorët e tij, kur dëgjuan

për herë të parë nga goja e kryeministrit për domozdoshmërinë e

përpjekjeve për të realizuar projektin TAP, ishin habitur dhe e kishin

ironizuar shefin e tyre. Dhe kur hap pas hapi ky projekt gjigand u

miratua, atëherë thanë se ende nuk e kuptonin se cila ishte magjia e

Berishës për ta realizuar pjesën e tij të punës. Ata që janë pranë

Berishës nuk mund ta imagjinojnë sesi një udhëheqës si ai mundet të

ruajë të njëjtën energji, përkushtim dhe aftësi si në fillimet e

karrierës së tij politike e nuk mund ta përceptojnë sesi njeriu mund të

punojë 18 orë në ditë. Për këtë arsye Berisha ndoshta është i vetmi

udhëheqës politik në Shqipëri e më gjërë, I cili shihet si mit edhe prej

shumë bashkëpunëtorëve të vet.

 

Por ka patur dhe faktorë të tjerë, të cilët kanë ndikuar në mitizimin e

figurës së kryeministrit shqiptar. Për shqiptarët është enigmë sesi e

gjithë shpura antiberishë e shkëputur prej tij në dhjetëvjetëshin e parë

së tij politike, iu ngjit dhe basjkëpunoi ngushtë me të atij në këto

tetë vite të qeverisjes së demokratëve. Është enigmë sesi kjo shpurë

akuzuesish e kritikuesish më të ashpër e më të rreptë të Berishës u vunë

në mbrojtje të tij, madje me fjalime patetike të pazakonta. Edhe kjo

risi në politikën shqiptare e më gjerë ka shërbyer si shkak për krijimin

e mitit Berisha.

 

Të gjitha keto, e të tjera fakte të panjohura, kanë krijuar idenë se

Berisha nuk është njeri i zakonshëm, çka do të thotë se ai është i

jashtëzakonshëm. E jashtëzakonshmja është e destinuar të prodhojë mitin

e një perosni ose të bëmave të tij. Që nga antikiteti e deri sot

njerëzit dhe veprat e tyre të shndërruara në mite janë përjetësuar në

poezi e poema, romane artistike e historike, si dhe në forma të tjera të

të bërit art. Arti, letërsia rrit kështu shanset që këta njerëz të

ruajnë vazhdimësinë e të qenit mit i një kohe të caktuar. A do të jetë

Berisha personazh epik e mitik i letërsisë dhe artit shqiptar? Këtë do

ta dëshmojë koha, por për një gjë jam krejt i bindur. Figura e Berishës

si udhëheqës, si politikan, si intelektual, si vizionar me ide të mëdha

për zhvillimin e kombit shqiptar, nuk do të zhvleftësohet nga ndonjë e

dhënë e panjohur, sepse ai u shndërrua në një mit për shumicën e

shqiptarëve për shkak të transparencës së tij, për shkak të lidhjeve të

ngushta e të sinqerta me njerëzit, për shkak se ai është tashmë

interpret dhe realizues i ëndërrave të tyre. Kurdisjet dhe fabrikimet e

opozitës në këto 23 vite e veçmas në tetë vitet e fundit janë e do të

dëshmohen thjesht fantazi e sëmurë e llojit të vet specifik, me

frymëzime e mentalitete bolshevike. Dokumentet, arkivat, faktet nuk do

të shkojnë në ndihmë të atyre kritikëve, të cilët nga dita e parë e

karrierës e deri në ditët e sotme pas dorëheqjes, e akuzojnë Sali

Berishën për autoritarizëm e etatizëm, për të mos përmendur faktin se më

dhjetra e qindra herë e kanë etiketuar edhe si diktator, madje duke e

krahasuar me diktatorin komunist, Hoxha. E gjitha çfarë është thënë e

stërthënë për të do të arkivohet si një shpifje ordinere, por me qëllime

politike për ta bërë doktorin gogolin e shqiptarëve. Në të kundërt ai

është dhe do të mbetet një mit për shimicën e shqiptarëve.

 

Në këtë kuptim mitizimi i Berishës dhe veprës së tij nuk vjen nga

qëndrimet enigmatike të tij, as nga doza e autoritetit të tij falls, as

nga distanca me njerëzit e thjeshtë. Përkundrazi, miti Berisha ka fituar

terren me përkushtimin e tij të pashoq në shërbim të njeriut e të

kombit, me energjinë e tij të pashtershme për të realizuar ide dhe

projekte gjigande, të paimagjinueshme edhe për vende të zhvilluara e

industrializuara në botë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency