Artet pamore Bukuri natësore dhe turbulluese!

0
138

med_519b8c0e5e35e1369148430-39Në librin e tij “Historia e bukurisë”, Umberto Eco merret një aspekt tjetër të kundërtisë në bukuri, duke e konkretizuar këtë ndërmjet Apolonit dhe Dionisit që ka të bëjë me çiftin largësi/afërsi. Këtu historiani i referohet mënyrës se si arti grek dhe ai perëndimor në përgjithësi, ndryshe nga forma artistike e Lindjes, i japin përparësi largësisë së duhur nga vepra, me të cilën hyhet në kontakt të drejtpërdrejtë.

Përkundrazi për Econ një skulpturë japoneze preket, kurse me një mandala tibetiane prej rëre dhe ndërveprohet. Kështu që Bukuria greke thotë Eco shprehet nga shqisat, të cilat lejojnë që të ruhet largësia ndërmjet objektit dhe soditësit; nga shikimi dhe dëgjimi dhe jo nga të prekurit, të shijuarit e të nuhaturit. Por ndodh ndryshe, shpjegon historiani i bukurisë, me trajtat e dëgjueshme, siç është muzika që ngjall dyshim, pasi e trazojnë shpirtin e shikuesit. Ritmi i muzikës vlerësohet se na shpie te rrjedha e përjetshme e gjërave.

Këtu, konsideron Eco, qëndron në thelb pika e fortë e interpretimit që i bën Niçja kundërtisë ndërmjet apolonianës dhe dianisiakes, përtej naiviteteve të tij të rinisë dhe disa kuturisjeve, të goditura me të drejtë nga filologët. Harmonia e kthjellët, e kuptuar si rregull dhe masë, shprehet tek që Niçja e emërton “Bukuri apoliniane”. Mirëpo, thotë Eco, në të njëjtën kohë kjo bukuri është mbulesë, që rreh të fshehë praninë e një “Bukurie dionisiake”, turbulluese, e cila nuk shfaqet në trajtat e jashtme, por shkon përtej anës së jashtme. Kjo cilësohet prej Ecos si bukuri e hareshme dhe e rrezikshme, e kundërt me arsyen dhe shpesh e paraqitur si zaptim dhe marrëzi; është ana natësore e qiellit të butë të Atikës, i cili gëlon nga fshehtësitë e rishtarisë dhe ritet e errëta të flijimit, sikurse janë dhe ritet dionisiake. Historiani na thotë se kjo bukuri natësore dhe turbulluese dot mbetej e fshehtë deri në epokën moderne, duke u shfaqur më pas si burim i fshehtë dhe jetësor i shprehjeve moderne të bukurisë dhe duke marrë kështu revanshin mbi harmoninë e bukur klasike.

V. Murati

 

 

Bukuria apoliniane

Fridrih Vilhelm Niçe

Lindja e tragjedisë, III, 1872

 

“Naiviteti i Homerit duhet kuptuar vetëm si fitorja e plotë e iluzionit apolinian; ky është një iluzion i ngjashëm me atë që natyra shumë dendur përdor për të arritur qëllimet e shumë veta. Qëllimi i vërtetë fshihet prapa një pamjeje njimtare: ne i shtrijmë krahët drejt kësaj, ndërkohë që natyra me anë të mashtrimit tonë arrin qëllimin e vet. Te grekët “vullneti” duke rifytyruar gjeniun dhe botën e artit, deshi të rrokte vetveten. Krijesat e saj, për të himnizuar veten, u desh të ndiheshin të denja për t’u himnizuar, u desh ta shihnin veten në një sferë më të lartë, mirëpo në të njëjtën kohë kjo botë e përkryer e intuitës nuk duhej të kishte një fuqi urdhëruese ose qortuese. Kjo është sfera e bukurisë, ku ata panë figurat e tyre të pasqyruara te perënditë e Olimpit. Me anë të këtij pasqyrimi të bukurisë, “vullneti” grek luftoi kundër talentit të dhembjes dhe të domethënies së dhembjes, talent ëq shoqëronte talentin artistik; dhe Homeri, ky artist naiv, na shfaqet përpara syve si përmendore e fitores së vet.

 

Bukuri dionisiake

 Fridrih Vilhelm Niçe

Lindja e tragjedisë, XVI, 1872

“Ne besojmë në jetën e amshuar”, kjo është klithma e tragjedisë, ndërkohë që muzika është ideja e drejtpërdrejtë e kësaj jete. Krejt tjetër qëllim ka arti i skulptorit: këtu Apoloni e kapërcen vuajtjen e individit me anë të himnizimit të ndritur të përjetësisë së pamjes së jashtme, këtu Bukuria fiton mbi vuajtjen,që shoqëron jetën, dhembja zhduket në një farë mënyrë nga tiparet e natyrës. Në artin dionisiak dhe në simbolizmin e tij tragjik, vetë natyra na flet me zërin e saj të vërtetë dhe të çiltër: “Të jeni kështu si jam unë, në një ndryshim të pareshtur të pamjes së jashtme, çka është nëna e parë, përjetësisht krijuese, e cila përjetësisht na detyron të jetojmë, e cila përjetësisht kënaqet me këtë ndryshim të pamjes së jashtme!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency