Mbledhje e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ shtyn nxjerrjen e rezultateve, Kukësi bëhet “molla e sherrit”

0
100

Florenc Drizari

kqzGjonçaj: Duam 48 orë kohë
për të verifikuar tabelat

Kosovrasti: Tabelat janë
gati, po vonohet procesi

 

Një javë pas zgjedhjeve në KQZ nisin debatet për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve në qarqet e vendit. Shkak për vonesat sipas anëtarëve të KQZ-së po bëhen subjektet e majta politike të cilat kërkojnë verifikimin e tabelave të rezultateve.

Debatet e përfaqësuesve të PS-së, LSI-së me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e miratimit të tabelës së rezultateve për Qarkun e Kukësit, bëri që administrata zgjedhore të vendosë shtyrjen e rezultateve edhe për disa qarqe të tjera të vendit me argumentin se publikimi i tyre, duhet të jetë i njëjtë në kohë për të gjitha zonat. Ndërkohë, në Qarkun e Kukësit sipas rezultateve paraprake koalicioni i djathtë ka marrë 3 mandate dhe koalicioni i majtë ka marrë 1 mandat. Sipas të dhënave që pretendojnë subjektet politike, më konkretisht Lëvizja Socialiste për Integrim, këtij subjekti i ka humbur një mandat për disa dhjetëra vota. Për këtë arsye përfaqësuesit e LSI dhe të PS-së, kërkojnë dy ditë kohë për verifikimin e rezultateve me ato të marra nga komisionerët e tyre, për t’i krahasuar me tabelat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Ka një pasaktësi në tabelën e vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të duam ta verifikojmë që të jemi të saktë. Kjo është arsyeja që ne kërkojmë shtyrjen me 48 orë për të marrë dhe tabelën e fundit nga Qarku i Kukësit dhe për ta ballafaquar nëse administrata është korrekte, jemi gati që t’i themi, po. Në këto momente na rezulton që ka një diferencë në materialin që ka paraqitur administrata. Duhet ta dimë zonja kryetare që mandati në këtë qark lëviz në më pak se 15 numra, vota”, – deklaroi përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj. Më herët përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ilirjan Muho, tha se rezultati në Kukës është shumë i ngushtë për këtë i kërkohet KQZ-së kohë për të verifikuar tabelat e rezultateve. “Që të premten kam kërkuar që kjo çështje të shtyhej në një seancë tjetër për shkak të mospërputhjeve të shifrave të propozuara nga administrata dhe atyre që neve na vijnë nga grupet e numërimit atje. Puna është voluminoze dhe ne kërkojmë një përqendrim më të madh. Nuk po kërkohet shtyrja e daljes së rezultatit”, – tha ai. Në diskutime mes përfaqësuesve të subjekteve politike në KQZ, Niazi Kosovrasti në emër të PD-së tha se të dhënat janë të sakta dhe komisioni nuk ka pse shtyn publikimin e rezultateve. Sipas tij, përfaqësuesit e majtë po kërkojnë shtyrjen e publikimeve për të vonuar procesin.

“Unë jam që materiali të kaloj sot. Tabelat janë, kanë ardhur në KQZ dhe subjektet kanë marrë kopjet e tyre origjinale dhe materialet janë hedhur në sistem për të vërtetuar të dhënat. Po të jetë për kohë, aspak. Koha ka qenë e tepërt për të nxjerrë konkluzione dhe për të nxjerrë shifra. Gjëja është fare e thjeshtë. Kush është marrë me këtë ka tabelat dhe nxjerr rezultatet. Po të vazhdojmë kështu me të gjitha qarqet nuk mbaron procesi”, – tha Nizai Kosovrasti. Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), vendosi shtyrjen e publikimit të rezultate për disa qarqe të vendit me argumentimin se ato duhet të nxirren të gjitha në një afat kohor.

Vendimi i KQZ u shoqëruar me debate mes anëtarëve dhe përfaqësuesve ligjor të subjekteve politike lidhur me vendimin për shtyrjen e publikimit të rezultateve për disa qarqe të tjera të vendit. Anëtarët e KQZ-së thanë se rezultati zgjedhor tashmë është i bërë i ditur në mbarë opinionin publik dhe subjektet e majta po tentojnë të prishin procesin zgjedhor duke kërkuar shtyrjen e publikimit të rezultateve në disa qarqe, ku një ndër to ishte dhe Kukësi.

 

 

 

KQZ i rikthehet numërimit të votave në komision

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rikthehet numërimit të votave në ambientet e KQZ-së. Një ditë më parë KQZ vendosi të urdhërojë KZAZ-në, nr. 80 në Gjirokastër të hapë kutinë me fletët e votimit të QV nr. 3410 dhe të vazhdojë procesin e numërimit të votave për këtë qendër votimi, sipas procedurave të përcaktuara në nenin 116, 117, 118, 119 të Kodit Zgjedhor. Procedura e numërimit të fletëve të votimit për këtë qendër votimi do të zhvillohet në ambientet e KQZ-së. Akti u miratua me 4 vota pro. Gjithashtu KQZ vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për projektvendimet; Projektvendim: “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Kukës”. Projektvendim: “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Dibër”. Projektvendim: “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Korçë”. Projektvendim: “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Berat”. Projektvendim: “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Vlorë”.

 

 

Berisha pret në takim lamtumire ambasadoren e gjermane Holtkemper

Kryeministri Berisha priti në një takim lamtumire ambasadoren e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri Carola Müller-Holtkemper, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, të cilat janë forcuar dhe thelluar edhe më tej gjatë këtyre viteve në shumë fusha. Në mënyrë të veçantë kryeministri vlerësoi projektet e financuara nga vendi mik Gjermania dhe të zbatuara nga kompanitë gjermane në vendin tonë.

Nga ana e saj, ambasadorja gjermane znj. Carola Müller-Holtkemper falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e saj kryeministrit Berisha për bashkëpunimin e hapur që qeveria shqiptare dhe kryeministri Berisha kanë ofruar, si dhe për kontributin e dhënë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve. Ajo vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të realizuar nga Shqipëria në të gjithë këto vite, si dhe arritjet në fusha të ndryshme dhe uroi për suksese të mëtejshme në të ardhmen.

 

 

Sequi: Fryma konstruktive në Shqipëri ndihmon në ecjen përpara drejt BE

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, tha se fryma paszgjedhore në Shqipëri tregon një politikë ndryshe duke qenë larg konfliktualitetit. Kjo gjë sipas tij, do ta ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

“Mendoj se fryma konstruktive që kemi parë këto kohë janë vërtet kuptimplota. Shoh që ka shenja që mentaliteti politik po lëviz nga kultura e konfrontimit drejt kompromisit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe në fakt mund të ndihmojë Shqipërinë që të ecë përpara drejt BE-së”, – deklaroi ambasadori Sequi, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në BE.

Ambasadori Sequi theksoi se Kroacia është një shembull për të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

“Në vitin 2003, në samitin e Selanikut u bë tepër e qartë dhe u tha se e ardhmja e Ballkanit do të jetë në BE, dhe sot në vitin 2013 ne kemi kënaqësinë që Kroacia të bëhet pjesë e BE-së. Perspektiva e këtij anëtarësimi në BE është shumë e rëndësishme për të gjitha vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Anëtarësimi i Kroacisë është një shembull për vendet e tjera të rajonit, duke përfshirë Shqipërinë”, – deklaroi Sequi.

Ambasadori i Kroacisë në Tiranë, Aleksander Stipetic, tha se Kroacia po përmbyll tashmë një udhëtim të gjatë dhe të vështirë drejt afirmimit të saj si një vend proatlantik, i pavarur, që ka mundësinë dhe kapacitetet që të jetojë sipas standardeve të vendeve më të zhvilluara evropiane. “Pa procesin e anëtarësimit në BE ne nuk do të kishim arritur deri këtu. Kroacia ka përfituar tashmë një transformim të thellë”, – tha Stipetic.

Në ceremoni merrnin pjesë ambasadorë të vendeve të ndryshme, anëtare dhe jo anëtare të BE, mes tyre edhe ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Kroacia u bë dje zyrtarisht anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency