4 profilet e kandidatëve potencialë për kreun e PD-së

0
160

Ina Jano

selia e pdEduard Selami, Lulzim Basha, Arben Imami, Sokol Olldashi përflitet se do të jenë përballë njëri-tjetrit në garë. Katër personaliteteve të mësipërm u shtohet dhe i Aleksandër Biberaj

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe ish-themeluesi dhe kryetari i PD-së, Eduard Selami janë emrat që përfliten si pasardhës të Sali Berishës. Këtyre emrave iu shtohet edhe ai i ish-deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili ka shprehur ambicien për të kandiduar. Tre ditë më parë Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode deklaruan se nuk do të jenë pjesë e garës. Ajo që bie në sy në këtë drejtim është se të katër kandidatët potencialë as e kanë mohuar, dhe as e kanë pohuar faktin që do të jenë në garë edhe pse tashmë që prej së premtes sytë dhe veshët e medias janë mbi selinë blu. Kjo le të kuptohet se ata do të jenë përballë njëri-tjetrit për të qenë në timon të selisë blu. Ndërsa të shtunën, një deklaratë e papritur u bë nga Aleksandër Biberaj, i cili deri pak javë më parë ishte në postin e numrit dy të partisë Fryma e Re Demokratike. Zoti Biberaj tha se do të jetë në garë për të kandiduar për postin e kryetarit të PD-së dhe se të gjithë kalimin e tij tek FRD e konsideronte si një reformim të së djathtës, brenda së djathtës.

 

Eduart Selami

Eduart Selami, rikthyer pas afro 18 vjetësh që kishte lënë jo zyrtarisht partinë Demokratike është kthyer për të mbështetur PD në fushatë. Ai u pa afër me Kryeministrin Berisha të cilin e shoqëroi gjatë të gjithë muajve përpara se të fillonte fushata në eventet e partisë, ndërsa gjatë garës elektorale u fokusua në rrethin e Librazhdit. Selami ka qëndruar në këto vite i heshtur, duke lëshuar një profil publik i rezervuar. Selami nuk ka deklaruar asnjëherë tërheqjen e tij nga PD, në pohimet se është pjesë e strukturave të PD, anëtar i Këshillit Kombëtar të saj. Potenca dhe kapaciteti i tij politik është ajo që ka mbetur në vite të shkuara, por pa u zbehur në prezencën e herë pas hershme në Shqipëri. Shpesh është diskutuar si mëkëmbës i Berishës, apo dhe në poste të tjera të larta. Por kjo ka mbetur gjithmonë vetëm tentativë. Selami gjithmonë ka folur në media, për këtë qëndrim të ftohtë me PD, se ruante një vizion politik të ndryshëm, por asnjëherë nuk ka mohuar se i përket të vetmes forcë politike në vend, që është PD. Çfarë e bën kandidaturë të fortë Selamin është vështrimi i tij progresiv, gjë që e ka lejuar të deklarojë mbajtjen e tij të vazhdueshme afër PD-së, kur ka deklaruar se PD është forca progresive që shembi komunizmin dhe e futi Shqipërinë në progres. Me rikthimin e  tij nga SHBA profili i një tij, si një politikan i emancipuar, u shtua edhe me tepër sidomos në deklaratat e tij publike.

 

Lulzim Basha

Lulzim Basha, kryebashkiaku aktual i kryeqytetit shqiptar, Tiranës është një nga profilet më potente të padiskutueshme si zbulim i PD-së në këto vite të fundit. Prej tetë vitesh, Basha është shndërruar në një nga figurat kryesore të strukturave politike brenda PD-së. Ndër të vetmit me karizmën e liderit dhe i lakuar prej kohësh se mund të jetë kandidatura e mundshme nëse Berisha do të largohej nga drejtimi i së djathës. Edhe ndërkombëtarët e kanë vlerësuar Bashën, si politikani i djathtë që ka rritjen më të shpejtë në kaq vite eksperienc politike. Lulzim Basha u shfaq në arenën e politikës shqiptare në vitin 2005, si pjesë e KOP-it, në PD. Ai koordinoi Komitetin e Orientimit të Politikave (KOP), ku mishëroi frymën e re në udhëheqjen e Partisë Demokratike. Basha u zgjodh deputet i Tiranës në zgjedhjet e 2005 dhe pas zgjedhjeve Kryeministri Berisha e emëroi atë Ministër të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë moment arritja më e madhe e tij, është ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës një realitet që prej qershorit të vitit 2009. Kjo është një rrugë më një rëndësi jetike, rrugë e cila bashkoi kombin shqiptar të ndarë që prej vitit 1912, dhe për këtë arsye njihet si“Rruga e Kombit”. Basha u bë Ministër i Jashtëm një muaj para vizitës historike të Presidentit Amerikan George W. Bush në Tiranë në 12 Qershor 2007. Ai ndërtoi shpejt një reputacion bindës si Ministër i Jashtëm në mjediset diplomatike perëndimore. Përkushtimi dhe përgjegjshmëria e lartë në krye të diplomacisë shqiptare ishin kontribut i rëndësishëm në përmbushjen e kushteve për hyrjen e Shqipërisë në NATO në vitin 2008. Si Ministër i Jashtëm, ai siguroi gjithashtu financimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e tunelit të autostradës Tiranë- Elbasan. Pra duket se në pak vite, zoti Basha ka qenë personazh kyç në ngjarjet më të rëndësishme për kombin, për analogji kjo edhe me liderin Berisha i cili ka shenjuar të gjitha ngjarjet e rëndësishme në vend që pas rrëzimit të diktaturës. Dinamika e brendshme e PD-së shpesh ka gjeneruar profile që i kanë rezistuar kohës, por pa mundur të ngrihen në moralin e lidershipit. Modeli i Berishës për liderin që i takon PD-së e bën të vështirë ballafaqimin në këtë rast, dhe kur merret përsipër t’i shkuar afër kësaj qasjeje me portretin e Bashës. Vënia në krye të bashkisë është një nga sprovat për qeverisjen politike, si kusht ekzekutiv në të ardhmen e fitoresh së djathtës. Në daljet publike të Bashës modeli politik është një alternativë e re për qytetarin, duke iu afruar qëndrimit si produkt i së djathtës. Ky është artikulim i një mendimi të ri politik, me të cilën përfaqësohet sot dhe e djathta progresiste. Në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit Basha ka pasur peshën më të madhe duke udhëhequr fushatën për Tiranën. Mbështetja publike për Bashën, është e një niveli të lartë, aq sa në qarqe të ndryshme politike thuhet me bindje se ai do të jenë lideri i ri i demokratëve, një pasues i denjë pas zotit Berisha.

 

 

Arben Imami

Aktualisht Ministër i Mbrojtjes, Imami është një nga themeluesit e Partisë Demokratike në vitin 1991. Ai ka qenë edhe në postin e nënkryetari të PD-së, dhe po ashtu kryetar i Komisionit Elektoral. Ajo që bie në sy në profilin e zotit Imami është fakti se ai për sa kohë që ka qenë në PD, ka pasur gjithnjë poste ministrore të një rëndësie të veçantë. Veç detyrës aktuale në qeveri, ai ka qenë edhe ministër i drejtësisë, por edhe i pushtetit vendor dhe decentralizimit. Mund të veçohet edhe një tjetër pikë kulmore në karrierën e tij, pasi ai ka qenë bashkëkryetar i Komisionit Parlametar për hartimin e Kushtetutës. Në vitin 1992 Imami u largua nga Partia Demokratike dhe së bashku me Neritan Cekën, Preç Zogajn etj krijuan Partinë Aleanca Demokratike, ku deri në vitin 1997 ishte sekretar i Përgjithshëm dhe nga viti 2000 deri në 2002 kryetar ekzekutiv i kësaj partie. Në karrierën e tij politike ai ka pasur përplasje të forta me Berishën, të cilat kulmuan me krizën e ’97, ku u akuzua edhe si “gjeneral i rebelimit komunist”. Por, gjithçka duket se është sheshuar në 2005, ku Imami u ftua nga Berisha si ish-themelues i PD-së duke u zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar nga Kongresi në 2005. Pas rikthimit në pushtet, Berisha i ofroi Imamit një post shumë afër vetes si drejtor i kabinetit të Kryeministrit. Imami që në fillimet e veta ka gëzuar një mbështetje popullore edhe për shkak të rolit që ai ka pasur në dy filma shqiptarë, “Në çdo stinë” dhe “Ballë për ballë” duke i ofruar publikut edhe një tjetër dimension të tijin.

 

Sokol Olldashi

Olldashi, prej 2001 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe vijon të mbajë një post të tillë, duke qenë se edhe në zgjedhjet e 23 qershorit ai e fitoi përsëri një mandat të tillë. Aktualisht zoti Olldashi është një prej vitit 2007 Ministër i Punëve Publike dhe Transportit. Ai ka qenë i angazhuar në PD që më herët se viti 2001, dhe ka qenë edhe kryetar i forumit rinor demokrat, periudhë gjatë së cilës ka pasur rritje të dukshëm të anëtarësimeve, ndërsa për 4 vjet ka qenë edhe kryetar i selisë blu për Tiranën. Gjatë këtyre viteve në krye të këtij dikasteri, ai ka përballuar me sukses objektivin e qeverisë për infrastrukturën e vendit, duke kapur vetëm gjatë këtij mandati shifrën prej 10 mijë kilometrash rrugë të ndërtuara, njw premtim i mbajtur ky nga kabineti Berisha. Profili i tij publik mund të thuhet se është i një niveli të lartë, ku shpesh edhe nga ekzekutivi është zgjedhur për të përballuar debate me opozitën, dhe nuk vihet në dyshim që është një prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit. Aftësia komunikuese e Olldashit, është një tjetër aftësi e tij, pasojë që vjen edhe nga puna  e tij disa vjeçare në media. Përballë “grupazheve” të ndryshme në parti ai mund të jetë një prej kandidatëve për të cilët mund të thuhet se do ja vështirësojë garën fituesit, ose për të qenë vetë fituesi.

 

 

Berisha: E lë garën të hapur

“Unë jam njeri i sinqertë. Nëse unë do të doja të shënjoja pasardhësin, ai do të dilte në shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë. Pse? Sepse unë do ta lë të jetë një garë e hapur. Cilido nga strukturat e Partisë Demokratike, cilido, le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht: të pranojë garën”. Këtë deklaratë bëri shefi i qeverisë të premten para mediave dhe anëtarëve të kryesisë së demokratëve. Në këtë mënyrë shefi historik i demokratëve, mohoi të gjitha zërat se kryetari i ri do të ishte një “pasardhës” që ai vetë do ta emëronte, duke e lënë të hapur garën për liderin që do të udhëheqë PD-në në zgjedhjet vendore të 2015. Ai tha gjithashtu se lidershipi i ri i PD-së do të bëjë analizën e zgjedhjeve të 23 qershorit si dhe do të ketë mundësi të ketë shumicën në forumet drejtuese. Megjithatë që pas të premtes duket se një atmosferë jo shumë pozitive po rrethon selinë blu, pasi shumë demokratë nuk e kanë mirëpritur vendimin e Berishës për të hequr dorë nga posti i kryetari të PD-së.

 

Biberaj: Po punoj për platformën time

I larguar tashmë nga FRD-ja me arsyetimin se ka qenë brenda së djathtës dhe ka punuar për reformimin e saj, zoti Biberaj ka shpallur në mënyrë të hapur synimin e tij për të qenë në krye të selisë blu. Ish-nënkryetari i Frymës së Re Demokratike tha dje se është larguar nga kjo forcë politike për arsye parimore. Ai ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim, por megjithatë nënvizon se është duke punuar për një platformë dhe program të cilin do ta paraqesë përpara organeve të PD-së. “Po shoh mundësinë për të kandiduar për kreun e Partisë Demokratike, vendim të cilin nuk e kam marrë akoma. Është natyrisht një përgjegjësi e madhe, kështu që po e shqyrtoj me të gjithë seriozitetin që meriton ky pozicion në përputhje me interesat më të mira të Partisë Demokratike dhe të demokratëve. Besoj shumë shpejt do të kem edhe një vendim për këtë. Natyrisht që kam një projekt-statut që do ta paraqis në kuvend. Do të filloj të punoj për programin dhe të paraqis alternativat e mia për lidershipin e Partisë Demokratike”, – u shpreh Biberaj, vetëm pak ditë pasi është hapur gara për liderin e ri të partisë së djathtë më të madhe në vend.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency