Takimi me Ramën e Metën Mesazhi i ambasadorit Arvizu: Tranzicioni të jetë i qetë dhe i butë

0
109

Gëzim Saliu

aleksader-arvizuKryediplomati amerikan: SHBA, partnere e Shqipërisë, mbështetje për integrimin në BE

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Alexander Arvizu, shprehu dje dy mesazhe të rëndësishme për fituesit e zgjedhjeve të 23 qershorit, në takimet e ndara që zhvilloi me kreun e PS-së Edi Rama dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Bërja e mundur e një tranzicioni të qetë e të butë si edhe shprehja e mbështetjes së pandërprerë të qeverisë së SHBA-së ndaj shtetit shqiptar ishin mesazhet kryesore të kryediplomatit amerikan në takimet e zhvilluara në dy selitë e partive kryesore të koalicionit të majtë.

Takimi me Ramën

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte i pari që priti ambasadorin amerikan në selinë e kësaj partie, në një takim që zgjati rreth 45 minuta. Në përfundim të takimit, kryediplomati amerikan tha për mediat se përcolli tek kryesocialisti Rama dy mesazhe të fuqishme, që, sipas tij, ishin dhe arsyet e takimeve. “Filluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat që diskutuam ishin që të kemi një tranzicion të lehtë të butë dhe e dyta, arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë dhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA për Shqipërinë. Ky është mesazhi kyç, SHBA janë partner i Shqipërisë”, – u shpreh Arvizu.

Takimi me Metën

Pas takimit në selinë rozë me kreun socialist Rama, ambasadori i SHBA-së iu drejtuar selisë së LSI-së, ku zhvilloi një takim me kreun e kësaj force Ilir Meta. Në këtë takim, i cili zgjati për rreth 30 minuta, Arvizu rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së ndaj Shqipërisë në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.“I vlerësoj shumë komentet e tij dhe i mirëpres ato. E falënderoj që gjeti mundësinë të na presë dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi pasi ai ka pasur një fushatë të lodhshme. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, presim një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z. Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”, – deklaroi ambasadori amerikan. Ndërsa, kryetari i LSI-së theksoi se koalicioni fitues i së majtës do të angazhohet për të përmbushur realizimin e reformave të integrimit të vendit si edhe nga ana tjetër, garantoi ambasadorin Arvizu se Shqipëria do të vijojë marrëdhëniet e mira me SHBA-në. “Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në, me prioritetet që ne kemi për vendin tonë, por edhe për SHBA-në, sidomos në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve. Do të bashkëpunojmë në prioritetet kryesore që ne kemi për vendin tonë, por edhe SHBA-të, si aleati ynë strategjik, kanë për Shqipërinë, edhe si vend anëtar i NATO-s, sidomos në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve, të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike, por edhe në të gjithë shoqërinë tonë, për të krijuar një konsensus sa më të gjerë për përmbushjen e të gjitha reformave, të cilat do të përshpejtojnë integrimin evropian të Shqipërisë”, pohoi kreu i LSI-së. Në këtë kontekst, Meta nënvizoi se forca që ai drejton do të adresojë problemet më të rëndësishme që kanë qytetarët. “Ne besojmë shumë në mbështetjen e vazhdueshme dhe në rritje të SHBA-së për këtë perspektivë të re evropiane të Shqipërisë, e cila ka marrë një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe besojmë se ky partneritet do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit”, – përmbylli deklaratën e tij kreu i LSI-së Ilir Meta.

 

Mimoza Hafizi: Shkodrandëshkoi qeverisjen, LSI faktor plus për fitoren

Deputetja e ardhshme e Kuvendit të ri që do të formatohet nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Mimoza Hafizi, e cilëson fitoren historike të së majtës në Shkodër si një përgjigje të qytetarëve të këtij qyteti ndaj varfërisë dhe papunësisë. “Shkodra është rajoni me burimet më të pasura natyrore dhe njerëzore në vend, por realisht thuajse më i varfëri dhe më i papuni. Ky realitet është rrjedhojë e një qeverisjeje pa shpirt, mosmirënjohëse dhe abuzive. Shkodranët e kishin kuptuar me kohë paradoksin e votës, që sjell varfëri, por u desh një forcë politike, që t’u jepte shpresën. T’u jepte dhe guximin për të dalë nga skemat e atrofizuara politike, të krijuara përmes propagandës rrenacake apo përmes trysnisë së grupeve në pushtet.Programi i rilindjes ishte zgjidhja e duhur dhe shkodranët nuk mund të mos e përqafonin. Ndërkohë, skuadra jonë e rilindjes bëri një fushatë shembullore e të përkushtuar. Organizimi ynë për mbrojtjen e votës hutoi e mpiu prirjet tradicionale për manipulimin e votës. Shkodra jo vetëm u bë pjesë e lumit të rrëmbyeshëm të rilindjes, por i dha atij një drejtim. Shkodranët përmbysën balancat e votës, me mençurinë, guston e hollë, shijen qytetare dhe intelektuale”, – tha Hafizi në një intervistë për “Deutsche Welle”. Ndërkohë, e pyetur për rezultatin surprizues të së majtës në këtë qark, që është njohur si bastion i së djathtës, Hafizi theksoi se ajo ka qenë e bindur që në fillim për këtë fitore. “Që në fillim të fushatës e kam deklaruar mazhorancën në Shkodër, si objektiv të skuadrës së rilindjes. Nuk ishte bllof, se dinjiteti nuk ma lejon të them absurditete. Ishte objektiv, fillimisht i vështirë në dukje, më pas i pranueshëm dhe në fund realitet”. Nga ana tjetër, ajo nuk mohon edhe meritat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në rezultat, duke nënvizuar njëkohësisht se fitorja do të bëhej e mundur edhe vetëm me votat e PS-së. “Një llogaritje e shpejtë e numrave, që ka dhënë 23 qershori, tregon se votat e LSI ishin faktor i rëndësishëm plus në favor të së majtës, por fitorja jonë do të ishte ruajtur gjithsesi. Unë vetë jam e lumtur, që koalicioni ynë s’ka lënë asnjë forcë të majtë jashtë vetes. Ne dhe LSI kemi programe shumë të përafërta qeverisëse”, – u shpreh deputetja e ardhshme e kuvendit për qarkun e Shkodrës, Mimoza Hafizi.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency