Standard.al

Strategjia Interi “i plakur” nuk konsideron të rinjtë

interMarrë nga Goal.com

Në ishte njëherë Interi i rekordeve. Na ishte një herë Interi i Xhovani Trapatonit që sukseset i ndërtonte tek lojtarët e rritur në ekipet e veta zinxhirë. Ishte koha e lojtarëve që ndienin fanellën që vishin, edhe nëse vinin nga periferia, siç bënte kapiten Bergomi (nga Setaleze) apo “njeriu merimangë” Zenga (nga Makalezi).

 

Për fatin e keq të tifozëve të Interit, ka ekzistuar edhe një skuadër tjetër që nga 2007 e deri në 2013 që ka lënë Pinetinën (qendra stërvitore e zikaltërve) me një përqafim dhe një urim për suksese të mëtejshme. Interi i dytë është Interi i “fëmijve” të skuadrave zinxhirë. Është Interi i stërvituar me kujdes nga Esposito, Pea, Stramaçoni dhe Bernaxani. Është Interi që vjet fitoi “tripletën” e vogël, duke triumfuar në tri fronte: Turneun e Viarexhios, Serinë A (për 21-vjeçarë) dhe Next Gen Series (njihet ndryshe si Liga e Kampioneve e të rinjve nën 21 vjeç).

 

Formacion dinjitoz

E vëreta është se ata lojtarë që janë larguar tashmë mund t’i kishin bërë shumë punë Interit të Moratit, që tani nuk mendon të shpenzojë shumë në merkato. Ata lojtarë, nëse do të qëndronin, mund të formonin një skuadër që do të luante futboll të bukur dhe do të përfaqësonte shumë mirë ngjyrat zikaltër në Serinë A.

 

Mbrojtja

Nëse do të nisim nga mbrojtja, atehërë duhet të themi se ¾ e tyre sot janë nënkampionë të Evropës me italinë në Evropianin U-21 që u zhvillua pak ditë më parë në Izrael. Nën drejtimin e komisarit teknik Devis Mangia, Italia u mund vetëm në finale nga Spanja. Sa u përket lojtarëve, mund të themi se janë Donati, Kaldirola dhe Andreoli. Këtu nuk përmendim Bonuçin që pasi iku nga Interi, kaloi tek Xhenoa e Bari për t’u ndaluar në Torino. Pikërisht në skuadrën aq të urryer të ekipit milanez, Juventusi. Shitja e tyre i ka sjellë buxhetiti të Interit një bonus prej 14,5 milionë eurosh: 3 milionë i kanë ardhur nga kartoni i Xhiulio Donatit që tani i përket Leverkusenit. Mbrojtësi në fjalë pasi luajti tek Leçe, Padova dhe Groseto, u shit pa iu dhënë shansi që të vihet në provë nga trajneri i ri i Interit, Valter Maxarri. 2 milionë euro kanë ardhur nga Luka Kaldirola (ka lindur në 1991 dhe vjen nga Desio). 22-vjeçari, pasi shkoi tek Vitese, Breshia dhe Çezena nuk u thirr kurrë tek Interi dhe tani ka filluar një jetë të re po në Gjermani. Do të jetë Verder Bremeni skuadra që ka marrë përispër ta rrisë. 5,5 milionë euro të tjerë kanë ardhur nga Marko Andreoli që ishte i pari nga xhevahirët që u shit (në 2007). Qendërmbrojtësi u ble nga Roma që më pas e xhiroi tek Viçenca, Sasuolo e Verona. Tani ai është rikthyer sërish me parametër zero më Milano. Në fund është Bonuçi. Qendërmbrojtësi iu dha Xhenoas verën e dytë të Murinjos në Milano. Tifozët e Interit nuk duhet të harrojnë se tani Bonuçi është 26 vjeç dhe është njëri prej njerëzve më të besuar të Kontes.

 

Mesfusha

Ndërkohë, shifrat që kanë ardhur nga shitja e “xhevahirëve” të mesfushës është edhe më e lartë. Flasim për një mesfushë që u shit për 29 milionë euro. E nisim nga Davide Santon, që u hodh në lojë nga Murinjo. Mbrojtësi i krahut, i lindur në 1991, habiti të tërë vitin e parë kur mbajti më së miri Kristiano Ronaldon. Po Interi mendoi që sapo të vinin ofertat e para t’i jepte duart. Kështu kur Njukasëlli trokiti duke i ofruar 6 milionë euro zikaltërve për 20-vjeçarin gjithçka u mbyll. Po kaq milionë euro Interi duhet t’i paguante Sampdorias për bërë për vetë të tërë kartonin e Andre Polit në verën e 2011. Por për 23-vjeçarin as Stramaçoni e as Branka nuk lëvizi asnjë gisht për të bindur Moratin.

17 milionë euro kanë ardhur nga binomi Kutinjo-Biabiani. I pari erdhi kur ishte 18 vjeç dhe nuk mundi që të bindte as Benitezin, as Leonardon, as Ranierin dhe as Stramaçonin. Braziliani u shit këtë verë tek Liverpuli për 10 milionë euro. Tjetër histori ka Bianiani që edhe shënoi gol në finalen e Kupës së Botës për klube. 23-vjeçari tani po kërkon të rindërotjë karrierën nga Parma. Emilianët e blenë për 7 milionë euro.

 

Sulmi

Kur flasim për sulmin, atëherë shifrat bëhen edhe më serioze, ashtu siç bëhen më të mëdha gabimet e Interit. Dyshja e sulmit Baloteli-Destro është shitur për 35 milionë euro. Të paktën gjysmën e këtyre parave Morati pritet ta shpenzojë tani për të blerë një talent si Belfodil. Sa i përket dyshes së sulmit, Mario shpërtheu që në moshë të re me Mançinin në stol. Paraqitjet e mira e bëra përballë Barcelonës shtynë Mançester Sitin që të shpenzonte 28,5 milionë euro për të. Për fat të keq, Interi tani e gjen Marion përballë rrugës së vet, pasi ai tashmë është një “djall” kuqezi. As një minutë kohë nuk iu desh Interit që të mendohej nëse do të hiqte dorë nga Amtia Destro që u shit tek Xhenoa për që kur ishte 19-vjeçar për vetëm 6,5 milionë euro. Për atë nuk kishte vend as në bankinë për të zëvendësuar Militon.

 

Portieri

Në këtë formacion mungon portieri. Por drejtuesit e Interit duket se po bëjnë gabimin e radhës. Po flasim për Françesko Bardin. 20-vjeçari, që vjen me medaljen e argjendtë në Evropianin e mbajtur në Izrael, duket se është në radarët e Juves. Por ky nuk është i vetmi që rrezikon të ikë. Bianketi, Biragi, Mbaje, Dankan, Obi dhe Samuele Longo janë të tërë të rinj që nuk ditë të ardhmen.

 

Comments are closed.