Standard.al

Qeverisja e re Pretendimet e para të aleatëve, Milo: Do të jem në ekzekutiv, PDS e meriton

Gëzim Saliu

miloRezultati pozitiv i të vegjëlve të djathtë, kreu i PDS-së: Vinin nga pushteti me financa të fuqishme

 

Shfaqen pretendimet e para për poste qeveritare në ekzekutivin e ri që do të krijohet në shtator nga aleatët tradicionalë të Partisë Socialiste. Kreu i Partisë DemokraciaSociale, Paskal Milo, tha dje se forca që ai drejton e meriton të marrë një vend në qeverinë e majtë, pasi, sipas tij, kontributet e saj kanë qenë të mëdha në vitet e opozitarizmit. “Se ku nuk e di, në qeverisje është e sigurt. Një përvojë shumëvjeçare bashkëpunimi, duhet vlerësuar Demokracia Sociale për kontributet që ka dhënë”, – tha ai në një prononcim për “abcnews”.

 

Zgjedhjet

Për kreun e PDS-së, megjithëse nuk arriti të përmbushte votat e mjaftueshme për të marrë një mandat deputeti, forca që ai drejton nuk mund të konsiderohet humbëse. “Unë nuk jam humbës, sepse jam pjesë e një koalicioni që i fitoi zgjedhjet”, – u shpreh Milo. Sipas tij, mungesa e mandatit erdhi për shkak të sistemit zgjedhor që nuk favorizon partitë e vogla. Ndërkohë, lidhur me rritjen që pësuan disa parti të vogla,aleate të PD-së, kreu i PDS-së theksoi se kjo ka ardhur për shkak të financave që ata kishin si pjesë e qeverisë. “Vinin nga pushteti, parti me burime financiare të jashtëzakonshme, dukeshin edhe nga propaganda elektorale që bënë.Parti që shfrytëzuan pakënaqësinë e një pjese të elektoratit të djathtë, të cilët të zhgënjyer nga qeverisja e djathtë preferuan të votonin kundër saj, por jo të kalonin barrikadën politike të cilës i përkasin”, – pohoi ai.

Dorëheqja e Berishës

Aleati tradicional i PS-së, njëkohësisht kundërshtar politik i kreut të PD-së dhe Kryeministrit të vendit Sali Berisha, e vlerësoi dorëheqjen e këtij të fundit nga funksionet brenda partisë më të madhe si një gjest normal. Sipas tij, kjo ishte e vetmja rrugë, por ndërkohë Milo theksoi se Berisha do të vazhdojë të jetënjëzë i fuqishëm në PD dhe Parlament. “Pas një qeverisjeje të vështirë dhe problematike, nuk mbetej gjë tjetër vetëm se dorëheqja. Ishte një gjë normale”, – deklaroi kreu i PDS-së. Dy ditë më parë, Kryeministri i vendit, njëkohësisht kreu i PD-së, dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet brenda partisë që e drejtonte prej 22 vitesh. Duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha pohoi se ai i bindet plotësisht verdiktit të sovranit. “Duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve”, – ka theksuarKryeministri i vendit, njëkohësisht kreu i PD-së, Sali Berisha.

 

Kreu i PBDNJ-së

Dule: Athina zyrtare harroi minoritarët në zgjedhje

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në një intervistë për median greke, ka komentuar zgjedhjet e 23 qershorit, duke dhënë edhe arsyet përse PBDNJ mori dy mandate në këto zgjedhje. Në këtë analizë, Dule nuk ngurroi të kritikonte qeverinë greke, e cila, sipas tij, nuk dha mbështetjen e duhur ndaj minoritarëve. Sipas tij, PBDNJ-së dhe pakicës greke i ka munguar mbështetja e Athinës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, drejtuar nga ministri Avramopulos, ndërsa qeveria greke, theksoi ai, u kujtua për minoritetin vetëm në minutat e fundit dhe bëri disa gjëra të vogla. “Pakica greke është në një situatë të palakmueshme; politikanë dhe grupe politike në Athinë për interesa votash, nuk hezitojnë të vënë dorën mbi të dhe kjo është vendimtare”, – theksonte Dule në deklaratën e tij për mediat greke. Një tjetër arsye, sipas kreut të PBDNJ-së, ishte edhe indiferenca e përgjithshme apo pamundësia e bashkatdhetarëve në Greqi, për t’u kthyer në Shqipëri e për të votuar. Dule theksoi se pjesëmarrja në zonat ku jetojnë pakicat greke, ishte më e ulëta në mbarë vendin. Ndërkohë, i pyetur për vendin e PBDNJ-së në qeverinë e re, kreu i partisë së pakicave greke u shpreh: “kjo varet nga Kryeministri i ardhshëm, nëse na fton për të marrë pjesë”. Ndërkohë, ai u shpreh se nuk ka iluzione se do të ndryshojë diçka me PS, pasi sipas tij edhe Kryeministri Berisha gjatë qeverisjes së tij dha disa mesazhe irredentiste kundër fqinjëve. “Të dyja partitë e mëdha shqiptare kanë elemente nacionaliste dhe anti-greke. Por është e domosdoshme, që marrëdhëniet mes dy vendeve të ecin përpara, për të mirën e tyre dhe stabilitetin në rajon. Me politika të tilla si ato të Berishës apo Partisë Socialiste në disa raste, nuk mund të kultivojmë një marrëdhënie të besimit reciprok me afat të gjatë”, – përfundoiDule analizën e tij.

 

 

 

Comments are closed.