Miq tashmë me njëri-tjetrin Zonja, zotërinj, miq tashmë me njëri-tjetrin!

0
138

karikatureDesha t’ju thosha qysh në krye se humbja i bën njerëzit më të mençur dhe më të mirë dhe fitimtarët më mendjelehtë dhe më bërtitës, kur jeta është jetë dhe jo festë e rreme, por manifestim i një të vërtete të shenjtë.

Do t’ju kisha shkruar më shumë e më shpesh, por këto ditë unë humba nënën, nesër ka të shtatat, kam vajtur tek varri i saj i freskët, me lule të pathara, mes të cilave edhe një buqetë lulesh nga Kryeministri Berisha, nga kryetari i bashkisë Basha, nga ministra, nga farefisi, familjarët patjetër etj., por ai dhé i shkrifët bën që të kuptoj më mirë rrudhat e jetës, nga ato petale kuptoj më mirë yjet, pra botën. Edhe njeriu është univers. Çmojeni jetën, çastin, ditën, të dashurin pranë, është dhurata më e çmuar, më e shenjta që na kanë dhënë shenjtët, Qielli, Zoti, që…

Por le të flasim për ditën sot. Kam marrë një letër nga një i ri, Çeloaliaj, djali i një ish-të burgosuri politik, kemi qenë bashkë në Spaç dhe më ngazëlleu mençuria e tij. Ishte i dëshpëruar nga humbja në zgjedhje. Ndër të tjera më thotë:

…Është e vërtetë se koalicioni i djathtë nuk rezultoi fitues në mandate për këto zgjedhje, duke na mohuar një mandat të tretë. Por kjo nuk do të thotë të humbësh! Nuk mund të quhet humbëse një forcë politike që ka qeverisur për 8 vjet. Në këtë garë elektorale për të djathtën kishte vetëm dy opsione: 1) Një arritje kolosale e një mandati të tretë. 2) Mbyllja me sukses dhe dinjitet e këtyre 8 viteve. Të arrihej një mandat i tretë do të ishte një sukses i paprecedentë në demokracinë shqiptare dhe do të korreshin të mirat nga rrugët, hidrocentralet dhe veprat e tjera të mëdha. Por nëse kjo nuk do të realizohej, nuk mund të quhej humbje. Me këtë mbyllje të dy mandateve njeriu bënë një rezyme. Ku ishte dhe ku është Shqipëria? Lista e të mirave është aq e gjatë sa do detyrohesha ta stërzgjasja këtë letër. Është tërësisht ndryshe nga ajo që la qeveria “Nano”. Nuk duhet harruar se PS mori të njëjtin numër mandatesh si 4 vjet më parë! Dy mandate qeverisjeje e konsumojnë mazhorancën, por kur nuk forcohet opozita, tregon atë që përflitej vazhdimisht se populli nuk kishte besim te lideri i opozitës. Kjo qeveri ua bëri tepër të lehtë pasardhësve punën, pasi u duhet vetëm të korrin atë që ne lamë përgjysmë. E rëndësishme është të bëhet mirë për Shqipërinë. “Edhe nëse nuk të sheh robi, të sheh Zoti!”

Ajo që ishte vërtet tronditëse dhe ka çuditur njerëzit është numri i lartë i votuesve për LSI-në. Kjo goditi rëndë moralin e shqiptarit, të paktën të atyre që e kanë. Unë këtë do ta quaja një humbje të madhe. Më shumë më shqetëson shitja që i bëjnë vetes së tyre. Do të ishte më mirë nga ana morale që të votonin majtas (nëse janë të pakënaqur) sesa të shiten. Në një popull, ku nuk gjykohet aspak para votimit, por shihen lekët, unë i jap të drejtë W. Churchill-it: “Argumenti më i mirë kundër demokracisë është bisedimi pesëminutësh me votuesin e mesëm”… Këtu mendoj se është gabuar disi gjatë fushatës. Nëse shqiptaret nuk ngjiten në një stad tjetër, punët nuk kanë për të shkuar mirë. Ka njerëz që thonë pa pikën e turpit apo ndrojtjes se bënë mirë që votuan LSI-në për lekë. “Unë lekë dua”, – thonë. Kjo më shqetëson si shqiptar që jam! Qytetarët duhet t’i largojnë këto ide degjeneruese. Ata e vlerësojnë moralin, por më shumë lekët!

Më gëzon pa masë që një i ri mendon kështu dhe shqetësohet me përgjegjësi të lartë qytetare. Kam besim dhe këto mendime vijnë nga ne, të persekutuarit. Mendime të papersekutuara, që i duhen Parlamentit të ri, patjetër.

Dhe unë ndër të tjera iu përgjigja:

…se demokracia, aq sa sistem jashtë nesh, është edhe konstrukt i brendshëm. Ne jemi si mjedisi ynë dhe e shndërrojmë mjedisin siç jemi edhe vetë. Mbase në këto zgjedhjeje humbëse për ne, pamë se demokraci si sistem ka, ka arritje, ndërsa demokraci si qëndrim vetjak, si edukatë, moral etj., jemi prapa. Unë jam për edukimin e njerëzve, ka po aq rëndësi sa rrugët. Së pari duhet ngritur tuneli që të fut në mendjen e errët të tjetrit, të çash paragjykimet, mendësitë e dëmshme etj., pastaj të ngrihen edhe tunelet që çajnë malet e na afrojnë. Më saktë, duhet punuar njëkohësisht.

Së fundmi desha të thosha diçka për Burrin e Shtetit, më të shquarin e viteve të demokracisë, prof. dr. Sali Berisha. Ka dhënë dorëheqjen… Po është e pamundur, do të thosha, jo vetëm metaforikisht, se nuk e lënë bëmat e Tij, veprat e Tij, historia jonë dhe e ardhmja jonë që të ikë. Ai është Reformatori më i guximshëm i kohës dhe qëndron në krye të saj e do të qëndrojë. Kjo që ndodhi, duhet të shndërrohet në përvojë për të përmirësuar dhe besuar më shumë. Shqipëria sot ka më shumë nevojë se kurrë për të persekutuarit e saj dhe jo për persekutorët e shndërruar. I duhet rënkimi i gjakut të atyre që u vranë dhe jo ahet e torturuesve të pasuruar.

Nuk ka Shqipëri të vërtetë, po mungoi Shqipëria e harruar, e shtypur, po nuk u fut zëri i asaj vuajtjeje në Parlament dhe si frymë të fryjë kudo si duf lirie që të krijojmë nga ajo vuajtje e madhe kulturën e së mirës, të ndjesës së madhe, të lirisë edhe më të madhe.

Kemi tunele të tjera të padukshme për të çarë që të dalim tek e nesërmja e ëndërruar. Le të themi prapë: përpara së bashku!

T’i lëmë humbjet prapa,

Me ju edhe unë,

Visar Zhiti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency