Meditim poshtë fikut

0
191

Ficus caricaAgim Popoci

 

Jam poshtë fikut. Përpiqem të ulem, se ç’më përshkon trupin një ndjenjë ankthi poshtë kësaj peme fisnike, aty ku dasmën e bën e gjithë Shqipëria e Mesme. Dita e zgjedhjeve kaloi, të gjithë presin përfundimin e numërimit të votave, ndërsa kanë parasysh premtimin që kishin dhënë komunistët për “rrëzimin e Salës nga fiku” me çdo mjet.

Shikoj lart, nuk është Sala, rrotull nuk ka gjak, qetësohem paksa dhe stepem nga gumëzhima e një makine të çuditshme që më ofrohet. Është Hummer, me ca të rinj që me flamuj të LSI-s po festojnë fitoren, ndalojnë dhe janë shumë “happy”:

-Çfarë shikon o njeri, janë fiq, fiq ore dhe të kuq bile, qesh pasagjeri i Hummerit me gjithë të tjerët, dhe nxjerr një arkë me Red Bull duke më këshilluar: – Freskohu, dhe mos shiko fikun kot, sepse edhe ca ditë do ta ngjisim Edin vetëm për ta rërzuar! Ha, ha, ha…largohen të rinjtë e qesëndisur për dasmën e tyre të madhe.

Ç’ne Edi në fik, po dajren kush do ta mbajë, i rikthehem meditimit dhe sërish buri makinash pa fund të kryesuara nga një Q-7, dhe normalisht flamur të kuq LSI-je.

-Mos jeni gjë ju Faja, me fal Sala…hahaha…po Edi mo, Edi je ti, ngjitu çfarë pret, thotë shoferi tapë i Q7-ës, i alkoolizuar kokë e këmbë ndërsa buzëqeshë me zë. Dalin 7-8 çuna dhe goca duke qeshur në grup dhe më ofrohen.

-Ç’janë këta Red-Bull të ftohtë, mos je gjë i yni, më thotë njëri nga nga Q7-shi dhe kur merr vesh se nuk isha i atij soji, nxjerr nga kjo makinë luksoze dhjetëra qofte zgareje dhe 2-3 pica: – Merri o njeri se kemi dasëm e po shkojmë të festojmë në pub, se Edi ka nxjerr ca morra komunistë të festojnë dorëheqjen e Salës para PS-së.

– Pse ka dhënë dorëheqjen Sala, pyes dhe ndeshem me një buzëqeshje edhe më të zëshme, ndërsa njëra nga ato gocat e hareshme lsi-ste, merr një Ipad nga makina dhe më thotë: – Ja ku e ke, shiko lajmet, e ke me të tëra, internet çudira, çaooo! Karvani i makinave me flamuj të fituesit largohen me xhirim të gomave, fërshëllimë përmes së cilës vazhdoj meditimin. Paska ikur Sala, shyqyr nuk ra, nuk kishte gjakderdhje, Zoti e bëft sa më mirë. Ulem, mbështetem në fik, dhe shikoj dorëheqjen e kryetarit të PD, Sali Berisha në Ipad-in që sapo më dhuruan. Përfundoi…bëj një kërkim për të gjetur tekstin e tërë, dhe kërkimi ishte i panevojshëm, sepse filloi të shpërndahet në FB me shpejtësinë e zërit.

 

“Nuk e zu dekiku” 

Humbje e thellë e PD-së. Nuk e mendonte njeri, madje as fituesi LSI, dhe e gjitha përfundoi ashtu siç kishte premtuar lideri demokrat, menjëherë sapo foli sovrani. Nuk e zu dekiku, dhe përgjegjësinë e mori mbi vehte, që të gjithën, sapo kishte përfunduar procesi i numërimit të votave. Lider i vërtetë demokrat, po ku janë përgjegjësitë e atyre që ka përreth, nga erdhi humbja, ku u tretën demokratët. Meditimi dhe trishtimi ndërthuren!

Përgjegjësinë e mori Dr. Berisha po çfarë ndodhi me Shkodrën dhe Malësinë, ku është Jozefina. Apo, vetëm pas 23 vjetësh, persekutorët mund të rikthehen në vendin e krimit; duhet të gjejnë sërish armë në kuvendin e Gjuha Dolit dhe të vrasin edhe ca priftërinj françeskan; duhet prap të arrestojnë dhe vrasin njerëz; duhet ti rimarrin pronat, qoftë edhe të Jozefinës e për të pabindurit, 2 Prilli nuk është larg, do të gjunjëzohen para herojëve të Vigut. Thjeshtë fare, sepse tre nga pesë policët që gjuajtën në vitin 1991, janë aty, madje edhe në strukturat aktuale të policisë së shtetit. Pse edhe për këtë Doktori kishte faj?! Ndoshta edhe Isa Boletini është mërzitur me pastërtinë rreth vehtes. Mos ndoshta i duhen gjithë ato plehëra që socialistët i gjuanin në surrat, gomën në kokë, ndërsa mburreshin me heroin e madh kombëtar nga Kosova.

Po Postriba ç’pati, e votuan komunistët në vitin 2013! Ndoshta edhe nuk janë sajdisur aq nga Jozi, por gjakëderdhja e të kuqëve ende është aty. Gjaku nuk është tharë, madje as pastruar, dhe nuk ka lekë që e pastron. Apo ndoshta Bazhdari me vullnetarët e Agronit do të gjejë edhe ilaçin e ri komunist, që nëse jo kokat, do tu pastroj të paktën xhepat. Tmerr!

Zbret më poshtë, edhe më kuq, kuq edhe në Mirëditë! Aty ku u vranë mbi 1.600 persona për vetëm 14 ditë, në çarmatosjen e famshme të ’45-ës; Aty ku jo vetëm kisha por u ndalua edhe kryqi, aty ku Gjon Marka Gjonin nuk arritën ta blejnë, por ama e vranë. Dhe jo vetëm atë, por të gjithë ata që e ndihmuan, nga Malësi e Madhe deri në Mirëditë. Aty ku sot kalon Rruga e Kombit dhe vetëm pesë vjet më parë kundërshtohej nga po këta komunistë që vehten dijnë ta quajnë edhe socialist; përf fat të keq ishin edhe të tërbuar ndërsa akuzonin Salën se po ndërton gjithë këtë rrugë për katër fshatëra të Mirëditës. Çfarë ka sipër Rreshenit nuk e quanin Shqipëri, as Spaçin ku vranë mijëra njerëz të pafajshëm, dhe sot premtojnë se do ti dëmshpërblejnë. Kjo e fundit normalisht se është utopi, por një zgjidhje Edi e ka, dhe për ta rezultoi praktike dhe pa ndërhyrje buxhetore, sepse bëhej fjalë vetëm për disa shishe të vogël me benzinë. Po ku ishte Aldo Bumçi, apo ai është vën nga Doktori, i pari në listë e Zoti ju ndihmoftë. Për Lezhën është më mirë të mos meditohet fare, kthej dorën, nuk ka më Red Bull, ikën gjashtë copa, çfarë sikleti, ku të mos pihen. Ikën edhe këta të LSI-së, kush kalon këtej, për çfarë, për fiq…

Ndaloj për momentin meditimin, në horizont më dalin ca të kuq të pluhurosur, ofrohen dhe nuk janë me humor, as me Red Bull dhe as me flamuj në dorë.

-Nga Fushë Kruja jeni, dua të shuaj kuriozitetin e pluhurit të bardhë.

-Po, pse, përgjigjet i pari me vrazhdësinë që e karakterizon mbretërorin e kësaj zone.

-Jo, them ky pluhur, mos e keni nga çimentoja, e bëj të paditurin.

-Po çfarë çimentoje, ngelëm duke bajtur miell si të babzitur. Kanë dhënë lekë këta të kuqt sa na u mbushën depot e shtëpive me miell. Mirë është, kujt i plasi për Doktorin, shiun, breshërin. Do ta kalojmë këtë dimër. Largohen qytetarët e ish-vendit mbretëror, që nuk iu bindën osmanlive dhe Enverit, dhe u shitën vet në vitin 2013, për të mos u shitur nga PD-ja si në vitin 2009.

Meditimi vazhdon, nuk shoh, ku jam futur, si në tunel! Po në tunel jam, shof drita, diçka dixhitale, çfarë shkruan, ndaloj: “Mbaj krahun e djathtë!”Aha, jam në tunelin e Elbasanit, të përuruar para pakë kohësh. Po ç’ne e kuqja këtu, ishte 7:7, me gjithë këtë investim. Këtë e sqaron vetëm Arben Imami, ai i cili e bëri nul këtë tunel, ndërsa Doktori nuk e di se si e kishte menduar si dyzim, aty ku bën pjesë edhe Cerriku i ’97-ës dhe duhet të bëj garë një gjeneral kaq shumë i përfolur grek. Dhe në kulmin e turpërimit, i lejon vehtes ta akuzoj edhe Luanin! Jo luanin, mbretin e…po Luanin e republikanëve, të cilin e luftoi hap pas hapi, por as nuk e bëri të kuq, dhe as nuk e rrëzoi. Për Librazhdin e shkretë të mos flasim fare. Ose, më mirë të kthehem se sa të mrekullohem me këtë projekt.

Shumë shpejtë ndërsa kthehem drejtë Tiranës më del në krahun e djathtë godina e famshme me mbishkrimin TEG. Kur ta shef një godinë të tillë përveç të gjitha rrugëve dhe Bodes, nuk ka se çfarë të bjen tjetër në mend. Uuu po me Ridvan Boden ç’u bë, ka ky ndonjë përgjegjësi për humbjen e Korçës. Po qytetarët çfarë thonë, apo vazhdojnë të thonë sikur se tetë vjet me rradhë, se po nuk e njohe Boden kot që mendon të fitosh ndonjë tender.

Lëre fare se me doli një unazë e madhe, gjashtë korsi që do lidhin Tiranën me Durrësin. Hehehe Durrësin, aty ku PD futet me këtë qytet bregdetar në garë pa asnjë durrsak. Madje as Edin e portit, këtij projekti të madh me aq shumë të punësuar. E kujt do ti hyn në punë, ai nuk është servil, e shumta është punëtor i mirë. Për që është i përndjekur, ta gëzoj Simoni se në PD nuk është se kujtohet njeri për persona të tillë. Meditim kot, se Durrësi si e gjithë Shqipëria na u bë kuq dhe vetëm kuq; pavarësisht se sot po i thonë mavi, madje edhe në Kavajë, ku priten të shkulen edhe ato dy gishta që kanë ngelur në qendër të qytetit. Edhe i shkulin, se të kuqtë nuk kanë punë tjetër.

 

Se ç’po digjet një shami 

 

TË KUQT! Pa vetëdije ngris zërin, hap sytë ndërsa më dalin para katër të rinjë me flamuj të LSI-s në dorë. i rrethuar jam me kuti picash, kanoçe Red Bulli dhe gojëhapur dëgjoj një gocë që më thotë:

-O xhaxhi, c’ke që gërthet, ne jemi të kuq, dhe të kuq do të jemi, po hajde me ne e bëj ca lekë e mos na qaj trapin.

-Jo, them i habitur, nuk kam mbërri në Fier.

-Ok, po deshe, rri me kanoçe, përeçeshen me sjellen time të rinjtë që janë nisur në darsëm.

Ku ngela, po, te Fieri. Nuk ka më Ruzhdie, nuk i hyn më njeriu në punë, aq sa Albapetroli. Nejse nga kjo e fundit përfituan dhe ca, por jo punëtorët. Po kush u ka faj që nuk janë nga Erseka ose nuk kanë lidhje me Taçin. Ç’i do ata demokratë që nuk kanë pika karburanti. Më del para një pus i pistë nafte, Olldashi me Doktorin që përurojnë një rrugë, mundohem të lexoj tabelën, më dalin ca kuaj, Berati, Gjirokastra, dajret, helikoptera, Vlora dhe një makth i tërë me Pollon, Astritin, Rulin që shikojnë nga Sala kokëulur, i cili vetëm një gjë ka në mendje, të dorëhiqet. Komunistët që ka përreth në kryeministri nuk i ndryshojnë dot mendjen, as Myqeremi që turpëroi Dibrën edhe pse është Zv/kryeministër dhe as bashkëpunëtorët e tij të ngushtë mediatik. Sepse ata tashmë heshtin në kryeministri, dhe ka kohë që kanë filluar të flasin me Ilir Metën, pavarësisht se në darsëm nuk po i shohim. Ndërkohë darsma vazhdon, siç vazhdojnë komentet për pasardhësin e Doktorit. Fjalët nuk mund ti ndaloj njeri, vërtetë ai mund të zëvendësohet vetëm nga Lul Basha, i cili përvec se i ri, është i vetmi që nuk ka dosje…O Zot, ngrej kokën lartë, ndodhi edhe kjo, iku Berisha nga PD. Vazhdoj të shikojë lartë, retë ndërthuren me degët e fikut që vazhdojën të jenë bosh, meditimi im tashmë qartësohet ndërsa darsma vazhdon me po atë këngë, aty ku ngeli, me tjetër njeri që pritet të ngjitet në fik:

Se ç’po digjet një shami
Porsi gjaku flakë e kuqe
Vello e Edit po nxierr tym
Edhe zjarri si të shuhet?

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency