Standard.al

Intervista Ilir Meta: Kërkesa e Ramës për koalicion me LSI-në tregoi se ai mendoi mençur strategjikisht

metaDorëheqja e Berishës, kreu i LSI-së: Ishte një gjest civil dhe normal

Meta: Nuk kemi nisur kontaktet për ndarjen e posteve ministrore, parësore është ndërtimi i një mazhorance të përgjegjshme

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilëson suksesin e arritur në zgjedhjet e 23 qershorit një besim të rritur të qytetarëve shqiptarë ndaj vlerave të forcës që ai drejton si faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe integrimi. Në një intervistë për Vizion Plus, Meta theksoi se fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentarei takon aleancës së majtë, Partisë Socialiste si edhe LSI-së. Nga ana tjetër ai e cilëson kërkesën e PS-së dhe kreut të saj për bashkëpunim elektoral me LSI-në si një veprim të mençur strategjik.

 

Z. Meta, me çfarë e lidhni rezultatin e LSI-së në këto zgjedhje. Në vitin 2009 ju kishit katër mandate ndërkohë në këto zgjedhje keni një numër të konsiderueshëm. Mund të na thoni si cilët kanë qenë ato faktorë kryesorë që ndikuan në këtë rritje spektakolare?

Mendoj se arsyeja kryesore pse ne kemi arritur një rezultat shumë të mirë por të pritshëm nga ana jonë dhe të deklaruar paraprakisht ka të bëjë në radhë të parë me faktin se qytetarët shqiptarë, përtej angazhimit të anëtarëve dhe simpatizantëve tanë të mrekullueshëm, kanë vlerësuar LSI-në si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi, integrimi në radhë të parë. Së dyti kanë perceptuar drejtë mesazhet tona kryesore për ekonominë, për punësimin dhe për prioritetet për të gjithë ristrukturimin e ekonomisë së vendit. Sigurisht që një faktor shumë i rëndësishëm është edhe puna e jashtëzakonshme e strukturave të LSI-së në të gjithë vendin dhe në mënyrë të veçantë e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe përkrahja e të rinjve dhe të rejave, sidomos votuesve për herë të parë. Nuk duhet ta harrojmë që LSI që prej krijimit të saj në vitin 2005 ka pasur 120 mijë vota dhe këto janë konfirmuar vazhdimisht, më përjashtim të viti 2009 kur u bë një kod përjashtues vetëm kundër LSI-së dhe u përjashtua nga procesi i administrimit të zgjedhjeve. Kështu që gjithmonë ka ekzistuar një bazë e qëndrueshme e përkrahjes ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Besoj që pozicionimi i qartë i LSI-së për një ndryshim, për një rrotacion dhe për të kontribuar më tej në interes të stabilitetit dhe të paqes sociale në vend janë vlerësuar dhe LSI-ja është votuar si një faktor stabiliteti, qëndrueshmërie dhe integrimi.

Në këto zgjedhje të 23 qershorit humbi e djathta, fitoi e majta apo fitoi Lëvizja Socialiste për Integrim?

Mendoi se fitoi shpirti i ndryshimit të qytetarëve shqiptarë. Së dyti fitoi demokracia. Natyrisht që fitoi “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Sigurisht që fitoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duke pasur në konsideratë përforcimin e pozitave të saj në Parlament por edhe votën popullore, pra 180 mijë vota. Është një rritje shumë domethënëse e cila nuk na kalon as në eufori dhe as në vetëkënaqësi por në vetëpërmbajtje dhe në rritje përgjegjësish për të justifikuar besimin dhe inkurajimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë nga Kukësi në Sarandë.

 

Pavarësisht analizave që thonë se në këto zgjedhje fitoi Lëvizja Socialiste për Integrim?

Mendoj se fitoi “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” dhe natyrisht që fitoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim siç padyshim që ka fituar edhe Partia Socialiste. Jo vetëm që edhe ajo ka përmirësim në raport me zgjedhjet e kaluara por në fund të fundit PS e kërkoi këtë koalicion, sidomos kryetari i saj, duke treguar se bëri një mendim të mençur strategjik.

 

Si e vlerësoni dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha? A ndjeni nostalgji duke qenë se keni qenë bashkëpunëtori i tij deri përpara disa kohësh? A ju përshkoi emocion deklarata e tij, duke qenë se ishte dalja e tij e parë pas humbjes?

Unë jam mësuar vetë më këto dorëheqjet dhe mendoj se dorëheqja në një rast të tillë është detyrë e çdo politikani të përgjegjshëm në respekt të përgjegjësive që ka pasur dhe që duhet të marrë. Kështu që e shikoj si një veprim fare normal pas këtij rezultati. Është një veprim civil por natyrisht që është diçka që normalisht duhet të ndodhte. Pra, çdo veprim tjetër nuk do të ishte normal.

Tashmë është bërë fakt fitorja e koalicionit të majtë dhe normalisht ka filluar të mendohet për ndarjen e posteve të ekzekutivit. Z. Meta, a do të jeni pjesë e ekzekutivit? A keni menduar për postet që do të keni dhe kur do të nisin negociatat me kryesocialistin Edi Rama për këtë çështje?

Ende jemi në fazat e përmbylljes së gjithë procesit. Vetëm dje ka përfunduar numërimi ndërkohë që procesi nga ana ligjore ka atë vijueshmërinë e vet normale dhe të gjithë palët kanë të drejtën dhe detyrën që ta ndjekin atë deri në fund. Kështu që është tepër herët për të folur për të ardhmen. Aktualisht jemi duke lexuar sa më qartë dhe me përgjegjësi mesazhin e kësaj vote, në mënyrë që ta administrojmë atë në mënyrën më qytetare, më civile dhe natyrisht edhe në mënyrën më të përgjegjshme.

 

A do të jeni pjesë e ekzekutivit?

Kjo është çështje më e parëndësishme për mua dhe për forcën që unë përfaqësoj. Unë jam kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe mendoj që kjo është një detyrë shumë e rëndësishme. Tani akoma më shumë edhe se më parë duke vlerësuar këtë përkrahje mjaft të gjerë të votës së 23 qershorit. Tani është e rëndësishme që LSI të vazhdojë të rrisë përgjegjësitë e saj si faktor stabiliteti, si faktor bashkëpunimi, si faktor integrimi dhe njëkohësisht të arrijmë të kemi një mazhorancë të përgjegjshme e cila shërben me përkushtim dhe me përulësi ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë.

 

 

Comments are closed.