Standard.al

Bozdo: Vendimi i TAP-it, cili do të jetë plan-biznesi për tregun shqiptar

tapIntervista/ Flet komisioneri i Entit Rregullator të Energjisë, Shkëlqim Bozdo

 

Komisioneri i Entit Rregullator të Energjisë në një intervistë për “Standard” flet për vendimin që prek dhe realizon edhe shumë fusha të tjera, si: krijimin e një kornize të unifikuar rregullatore, e cila do të nxisë investimet dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe tregut të gazit në Shqipëri dhe në rajon. ”Krahas kontratave afatgjata, TAP do të ketë gjithmonë në dispozicion të tregut 10% të kapacitetit të vet për kontrata afatshkurtra (më pak se një vit), në mënyrë të veçantë për Shqipërinë”, – tha Bozdo.

 

Çfarë përmban projekti dhe përfitimet e Shqipërisë?

 

Sikurse dihet, projekti i TAP-it ka rëndësi shumëdimensionale për vendin tonë. Marrëdhëniet e tij me shtetin shqiptar mbulohen nga dy marrëveshje kryesore, të cilat janë tashmë të miratuara prej Parlamentit shqiptar; Marrëveshja e Vendit Pritës (Host Government Agreement) dhe Marrëveshja Ndërqeveritare (Inter Government Agreement). Në sektorin e energjisë, TAP pritet të ketë një kontribut shumë të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji të vendit dhe rritjen e konkurrencës mes burimeve alternative të energjisë. Legjislacioni shqiptar, në përputhje me Direktivat e BE-së për sektorin e energjisë i përcakton Entit Rregullator të Energjisë rol parësor në krijimin e një tregu konkurrent në këtë sektor si dhe në përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji.

Për pasojë, analiza do të fokusohet në kontributet që TAP pritet të japë në sektorin e energjisë. Projekti TAP fillimisht ka pasur planin e tij të biznesit, i cili si synim kryesor ka pasur tregun italian të gazit natyror. Gjatësia e tij prej 810 km, me dimensione të tubacionit 48 inch (ose 1.2 m) në tokë dhe 36 inch (0.91 m) për pjesën në det së bashku me pajisjet e kompresorëve etj., kanë kosto shumë të larta. Për shkak të këtij investimi të konsiderueshëm dhe risqeve që e shoqërojnë, TAP në përputhje me legjislacionin e vendeve nëpër të cilat kalon, dhe Direktivat e BE-së për sektorin e energjisë, ka paraqitur që në shtator të vitit 2011 pranë autoriteteve rregullatore të energjisë të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë një aplikim për përjashtim prej së drejtës së hyrjes së palëve të treta dhe prej tarifave të rregulluara.

E drejta e hyrjes e palëve të treta është mekanizmi bazë për zhvillimin e konkurrencës në infrastruktura të tilla. Ndërkohë vendet përmes të cilave tubacioni shtrihet, Shqipëria, Greqia dhe Italia, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, synojnë të furnizohen me gaz natyror dhe të kenë një treg me çmime konkurrente të gazit dhe energjisë. Është e rëndësishme të theksojmë këtu se studimet e kryera për vendin tonë kanë evidentuar nevojën për furnizim me gaz, por tregu i vogël dhe kostoja e konsiderueshme nuk e kanë justifikuar investimin.

Studime të ngjashme janë kryer edhe në nivel të Komunitetit të Energjisë, përfshirë edhe idenë e një unaze gazi, e cila do të lidhte tregjet e vogla të vendeve të rajonit, por edhe ky studim nuk ka arritur dot të joshë investime. TAP paraqet shansin për konkretizim dhe gjetjen e një zgjidhjeje me interes për të gjithë palët, që ka qenë objektivi i punës së Rregullatorëve. Në vijim të paraqitjes së aplikimit të TAP për përjashtime, të tre autoritetet rregullatore të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë që prej fillimit të vitit 2012 dhe deri më tani kanë pasur një bashkëpunim shumë intensiv për shqyrtimin e aplikimit të paraqitur. Si rezultat i kësaj pune të tre autoritetet miratuan javën që kaloi Vendimin Përfundimtar të Përjashtimeve të Kushtëzuara për Projektin TAP, i njohur ndryshe edhe si Final Joint Opinion. Në këtë vendim janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet e Komisionit Evropian dhe ato të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ai është tashmë i publikuar në faqet e internetit të rregullatorëve.

 

Çfarë përmban ky vendim?

 

Vendimi mundëson funksionimin normal të planit të biznesit të TAP, plotësimin e kërkesave të direktivës së tretë (konfirmuar kjo nga miratimi i vendimit të Rregullatorëve prej Komisionit Evropian dhe Sekretariatit të Energjisë), por gjithashtu mundëson plotësimin e nevojave afatshkurtra dhe afatgjata për gaz të vendeve përmes të cilave do të kalojë tubacioni, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Jep të drejtën për rezervim kapacitetesh që prej fillimit të projektit edhe për palët e tjera të interesuara që nuk janë aksionerë të TAP-it. Të paktën çdo dy vjet ke të drejtën e kryerjes së një testi tregu ku konsumatorët e rinj mund të marrin pjesë deri në ndërtimin e plotë të kapacitetit të TAP në 20 miliardë metër kub/vit.

Krahas mundësisë së furnizimit me gaz prej Azerbajxhanit, TAP mundëson furnizim edhe prej tregut italian të gazit. Duke qenë se tarifa e transmetimit për lëvizjen në drejtimin e kundërt është simbolike (5%) edhe çmimet e gazit pritet të jenë shumë të afërta me ato të tregut italian, i cili ka një nivel të lartë konkurrence.

Vendimi prek dhe realizon dhe shumë fusha të tjera, si: krijimin e një kornize të unifikuar rregullatore, e cila do të nxisë investimet dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe tregut të gazit në Shqipëri dhe në rajon.

Krahas kontratave afatgjata, TAP do të ketë gjithmonë në dispozicion të tregut 10% të kapacitetit të vet për kontrata afatshkurtra (më pak se një vit), në mënyrë të veçantë për Shqipërinë.

Duke qenë se ende nuk kemi një treg të gazit natyror, pavarësisht nivelit të kërkesës që do të demonstrohet gjatë testit të tregut, TAP do të ndërtojë një pikë daljeje e cila mundet të jetë pranë qytetit të Fierit, ose sikurse mundet të bihet dakord. Me rritjen e kërkesës për gaz, kapaciteti i pikave dalëse mundet të rritet ose do të ndërtohen pika të reja dalëse.

Në mënyrë që të shmanget abuzimi prej kompanive me pozicionin monopol, në vendim janë vendosur një sërë kushtesh dhe janë përcaktuar masat përkatëse për t’u ndërmarrë prej rregullatorit.

Vendimi përmban edhe një sërë detajesh të tjera shumë më teknike. Është e rëndësishme të theksohet që qenia e Shqipërisë Palë Kontraktuese e Komunitetit të Energjisë dhe referimi në legjislacionin e BE-së për energjinë ka përbërë një mbështetje të jashtëzakonshme për palën shqiptare në këtë proces. Dua gjithashtu të theksoj se bashkëpunimi mes Enteve Rregullatore të Energjisë të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë ka qenë i një niveli shumë të lartë dhe një përvojë shumë pozitive.

 

Cila do të jenë procedurat e mëtejshme pasi TAP u miratua?

 

Duke mbetur i fokusuar në aspektet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Entit Rregullator të Energjisë dhe sektorin e energjisë, sikurse shpjegova më sipër, vendimi i përbashkët i rregullatorëve përbën vetëm hapin e parë drejt një pune shumë intensive për adoptimin e paketës së tretë në legjislacionin e sektorit të energjisë dhe atë të gazit në veçanti, konturimin e modelit të tregut të gazit natyror dhe një sërë aspektesh të tjera.

 

 

 

 

Comments are closed.