Reali i Madridit zyrtarizon Karlo Ançelotin Tekniku italian do të drejtojë ekipin spanjoll deri në vitin 2016 dhe do të prezantohet sot, në orën 13:00.

0
104

realiPërgatiti Altin Vorpsi

Reali i Madridit më në fund ka trajnerin e vet të ri, pasi ka zyrtarizuar italianin Karlo Ançeloti në bankinë. Ekipi kryesor në Spanjë ka bërë dje publik faktin se ish-trajneri i PSG-së do të qëndrojë për tri vite në kryeqytetin spanjoll.

 

Vonesat

E tërë kjo histori do të ishte mbyllur më parë, po të mos kishte këmbëngulur PSG. Skuadra parisiene, ku gjendej italiani, nuk kishte siguruar ende firmën e Loran Blankut për bankinën e vet dhe vetëm pasi ka arritur të nënshkruajë me francezin, ka lejuar Ançelotin të transferohet në radhët e madrilenëve.

 

Akordi

Ançeloti kishte gjetur prej kohësh akordin me skuadrën spanjolle, ndaj ka udhëzuar menjëherë klubin të cilësojë të mbaruar kalimin e tij në drejtimin e kësaj skuadre. Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Reali i Madridit pak pas mesditës, Ançeloti ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, deri në fundin e qershorit 2016, ndërsa sot do të jetë i pranishëm në “Santiago Bernabeu” për t’u prezantuar para mediave.

 

Objektivat

Trajnerin italian e pret një punë e madhe në drejtimin e spanjollëve, pasi duhet të përgatitë “revolucionin” e detyrueshëm te kjo skuadër, e cila e mbylli sezonin e fundit pa asnjë trofe.

 

 

 

 Itali

Seria A hetohet për pastrim parash

Futbolli italian goditet nga një tjetër skandal. Autoritetet financiare vendase ndërmorën një operacion të rrufeshëm kontrolli në selitë e 41 klubeve të Serisë A, B dhe të klubeve që luajnë në kategori më inferiore. Hetimet janë të drejtuara nga Prokuroria e Napolit. Klubet e futbollit dyshohet se janë të përfshira në një sistem pastrimi parash nga shoqëri dhe organizata që ushtrojnë aktivitet kriminal. Ajo që trondit, është se mes skuadrave që po hetohen janë edhe ato që njihen si “big”-ët e futbollit italian, Inter, Milan, Juventus, Napoli, Roma dhe Lacio. Guardia Di Finanzia ka sekuestruar nga zyrat e klubeve kontratat dhe dokumentacionet mes klubeve, lojtarëve dhe menaxherëve të këtyre të fundit. Lista e futbollistëve të përfshirë në hetim është disa qindra mes të cilëve edhe emra të njohur si Laveci, Nikola Legrotalje, Masimo Odo dhe Alesio Takinardi. Ndërkohë, mes prokuratorëve të hetuar bie në sy emri i Alesandro Moxhit, djali i ish-drejtorit teknik të Juventusit, Luçiano Moxhi.

 

Deklarata

FIFA: Asnjë “plan B” për Botërorin e 2014-ës

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, theksoi se organizmi më i rëndësishëm i futbollit botëror nuk është duke hartuar asnjë “plan B” për zhvendosjen e Botërorit nga Brazili vitin e ardhshëm, nëse trazirat vazhdojnë. Aktualisht, ndërsa Kupa e Konfederatave është në zhvillim, Brazili po përballet me revolta të mëdha sociale, për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe shpërdorimeve të fondeve shtetërore. Kostoja e lartë e ndërtimit të stadiumeve dhe infrastrukturës së nevojshme për të pritur Botërorin e vitit të ardhshëm dhe Lojërat Olimpike të Rios në vitin 2016 gjithashtu kanë motivuar daljen masive të brazilianëve në rrugë për të protestuar, duke zhytur vendin në një krizë politike. Megjithatë, FIFA nuk ka asnjë dyshim, të paktën për momentin. “Finalja e Kupës së Konfederatave do të zhvillohet në “Maracana”, ashtu siç është e sigurt që edhe Botërori i ardhshëm do të mbahet në Brazil”, – deklaroi Valke. Megjithatë, sekretari i Përgjithshëm pranoi se uron që situata të stabilizohet sa më shpejt, pasi FIFA shpenzoi 31 milionë dollarë shtesë, për të pajtuar firma të sigurisë private apo për shpenzimet e vullnetarëve shtesë.

 

“Allianz Arena”

Në stërvitjen e parë të Pepit, Bajerni pret 30 mijë tifozë

Bajerni i Mynihut pret 25-30 mijë spektatorë në stërvitjen e parë që do të drejtojë Pep Guardiola sot.

Interesi që spanjolli ka ngjallur në “Allianz Arena” është i jashtëzakonshëm, edhe pse disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të kampionëve të Evropës në fuqi nuk do të jenë të pranishëm në këtë takim. Në total, do të jenë 16 futbollistë në dispozicionin e Guardiolës dhe mungesat më të rëndësishme do të jenë ato të Gëtces, Badshtuberit, Dantes, Gustavos e Martinezit, tre të fundit të grumbulluar për Kupën e Konfederatave. Mbetet për t’u mësuar nëse do të jetë i pranishëm Mario Gomezi, për të cilin spekulohet largimi nga klubi, mundësisht drejt Serisë A. Stërvitja e ditës së sotme do të sjellë edhe takimin e parë midis Guardiolës dhe dy kapitenëve të skuadrës, Filip Lam dhe Bastian Shvajnshtajger.

 

Merkato

Tevezi i thotë “po” Juves

Karlos Tevez te Juventus. Bardhezinjtë dhe Mançester Siti kanë gjetur akordin për transferimin e sulmuesit argjentinas në Torino. Vizita e Marotës në Angli për të mbyllur marrëveshjen rezultoi i suksesshëm me kampionët në fuqi, që arritën të bindin “qytetarët” për të pranuar ofertën e tyre prej 12 milion eurosh duke fituar kështu garën me Milanin, që gjithashtu po interesohej për shërbimet e futbollistit. Fillimisht, Siti dukej i vendosur për të pranuar vetëm 15 milionë euro, por këmbëngulja e Juventusit dhe garancia për t’i paguar menjëherë paratë arriti të bindte drejtuesit e klubit anglez që dhanë kështu “OK” për kalimin e futbollistit në “Juventus Stadium”. Siti për më tepër ishte në disavantazh për faktin se kontrata e lojtarit përfundonte në vitin 2014 dhe kjo nuk lejonte që të ngrinte shumë vlerën e futbollistit. Marota gjithashtu arriti të merrte dhe “OK” e futbollistit për këtë marrëveshje. Vetë Tevezi do të përfitojë një pagë prej 5.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuset që do të rrjedhin nga numri i paraqitjeve të tij në fushë, plus golat e shënuar apo fitoret e skuadrës.

 

Vendimi

UEFA pezullon Beshiktashin dhe Fenerbaçen nga kupat e Evropës

Furtunë e UEFA-s mbi klubet turke. Qeveria e futbollit evropian vendosi të përjashtonte për dy vjet nga kompeticionet kontinentale skuadrën e Fenerbaçes, ndërsa Beshiktashi nuk do të lejohet që të marrë pjesë këtë vit në Europa League. Dënimi i UEFA-s vjen pas përfshirjes së dy gjigantëve nga Stambolli në skandalin e trukimit të ndeshjeve në vitin 2010/2011, që e lejoi ekipin e Kocamanit të fitonte edhe titullin kampion të vendit, ndërsa Beshiktashin të triumfonte po të njëjtin vit në Kupën e Turqisë. Qeveria e futbollit evropian bëri të ditur se klubi i Fenerbaçes nuk do të lejohet të marrë pjesë këtë vit në Uefa Champions League, pavarësisht se është renditur në vendin e dytë në kampionat, ndërsa Beshiktashi përjashtohet nga pjesëmarrja në Europa League, ku gjithsesi ishte në dyshim dhe si pasojë e problemeve financiare që kanë përfshirë klubin. Përveç dy klubeve turke, UEFA dënoi edhe skuadrën rumune të Steauas së Bukureshtit që të mos marrë pjesë në kompeticionet evropiane këtë vit, po për të njëjtën arsye, atë të përfshirjes në skandalin e basteve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency