Dhunë dhe kërcënime ndaj të fejuarës, gjykata e dënon me 1.4 vite burg

0
469

Sonja Caka

dhu7neDenoncimi i vajzës, pas dhunës së ushtruar nga i pandehuri dhe ndërhyrjes së babait të Çalës duke ia hequr nga dora të dëmtuarën

 

Dhuna ndaj ish-bashkëjetueses do t’i kushtojë një të riu nga kryeqyteti 1 vit e katër muaj burg. Ky ka qenë vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës për 24-vjeçarin Ervis Çala, i cili ka rrahur dhe më pas kërcënuar me telefonata për tërheqje të denoncimit vajzën me të cilën kishte bashkëjetuar disa vite, Fagiona Diko. Kjo e fundit, së bashku me të motrën i janë drejtuar policisë vetëm disa minuta pasi 24-vjeçari kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj, dhe që ka qenë pikërisht babai i të pandehurit që ia ka hequr vajzën nga duart dhe e ka shoqëruar atë deri jashtë shtëpisë. Vetë i riu ka pranuar ushtrimin e dhunës ndaj vajzës, por jo kanosjen ndaj saj për të tërhequr denoncimin. Ai është shprehur para gjykatës se e ka telefonuar për t’u ulur bashkë dhe të diskutojnë me qetësi, por në asnjë moment që ta kanoste me jetë nëse nuk tërhiqte denoncimin nga policia. Prokuroria deklaroi se nuk kishte bërë asnjë kërkesë për të zbardhur bisedat telefonike të të pandehurit dhe denoncueses së tij, ndërsa kërkoi nga gjykata dënimin e të riut me 2 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, uljen e një të tretës dhe dënimin përfundimtar me 1.4 vjet burg.

Ngjarja

Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin ku sqaron rrethanat e njohjes mes çiftit, rastet e shpeshta të dhunës deri në momentin kur babait të të pandehurit i është dashur të ndërhyjë për t’ia hequr të dashurën të birit nga duart dhe ta përcjellë vetë deri në krye të rrugës. Sipas gjykatës, denoncuesja Fagiona Diko është njohur me të pandehurin Ervis Çala prej disa vitesh, gjatë të cilave ata kanë bashkëjetuar në disa banesa, ndërmjet të tjerave edhe në shtëpinë e familjes së të pandehurit Çala. Historia mes tyre nuk funksionoi për arsye nga më të ndryshmet, një prej të cilave edhe dhuna sistematike ndaj vajzës dhe në muajin gusht të vitit 2012, kallëzuesja është ndarë me Ervisin. Vajza nuk e ka denoncuar fillimisht të pandehurin, duke menduar se gjërat do të përmirësoheshin, por duke parë se asgjë nuk po ndryshonte në sjelljen e të fejuarit të saj, denoncuesja Diko është bindur përfundimisht se gjërat ishin prishur në mënyrë të pariparueshme. Në datën 7.11.2012, në orët e pasdites, Fagiona ka komunikuar me të pandehurin dhe ka shkuar ta takojë në banesën e tij, për të marrë njëkohësisht dhe disa sende personale, të cilat i kishte lënë aty. Sapo ka hyrë brenda, i pandehuri e ka mbyllur derën me çelës, ka nxjerrë një thikë të cilën e mbante të fshehur, dhe duke e kërcënuar ka nisur ta godasë me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit. Nga zhurma dhe të bërtiturat e vajzës ka ndërhyrë babai i të pandehurit, dëshmitari Arqile Çala, i cili ka marrë të dëmtuarën dhe e ka shoqëruar jashtë banesës, duke e përcjellë deri në rrugën kryesore ku e priste motra e saj, dëshmitarja Vaelta Diko. Më pas, të dyja kanë shkuar në polici ku kanë depozituar një kallëzim ndaj të pandehurit Ervis Çala.

Kërcënimet

I pandehuri, duke marrë dijeni se çështja dhe marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar në organet e drejtësisë, si dhe duke iu trembur rrjedhës së mëtejshme të ngjarjeve, në mënyrë të vazhdueshme u ka bërë Fagionës, familjarëve, si dhe motrës së saj, Vaelta, e cila banon në Tiranë, telefonata të vazhdueshme, herë shqetësuese, herë të qeta e më pas kërcënuese, në të cilat ai, sipas dëshmitareve, u ka kërkuar heqjen e kallëzimit ndaj tij, por që në asnjë rast nuk është pranuar prej tyre. Fagiona e Vaelta Diko janë ankuar përpara hetuesve të çështjes për shkak se i pandehuri i merrte në telefon ato dhe familjarët e tyre, duke i kërcënuar, me qëllim që të tërhiqej kallëzimi i bërë ndaj tij. Gjithashtu, sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri u ka kërkuar që të uleshin bashkë me Fagionën, të sqaronin problemet që kishin me njëri-tjetrin me qetësi. Këto pretendime nuk kanë qenë bindëse për Fagionën e Vaeltën dhe për këtë shkak nuk janë pranuar prej tyre. Nga tabulatet telefonike ka rezultuar se pretendimet e dëshmitareve Fagiona e Vaelta Diko, për sa i përket faktit se i pandehuri i ka marrë shpeshherë në telefon janë të vërteta e të bazuara. Por, përmbajtja e këtyre telefonatave apo mesazheve që sipas dëshmitarëve ka qenë kërcënuese për të tërhequr kallëzimin nuk është provuar me ndonjë mënyrë tjetër, si përgjim, etj.

I pandehuri pranon dhunën

Në seancë gjyqësore, i pandehuri Çala e pranoi faktin se kishte rrahur ish-bashkëjetuesen e tij, shtetasen Fagiona Diko, por nuk kishte kryer kanosje ndaj saj. Avokati deklaroi se ishte e vërtetë që i pandehuri i kishte telefonuar të pandehurës, si dhe motrës së saj, por edhe këto të fundit i kishin telefonuar të pandehurit. Telefonatat kishin qenë për t’u pajtuar e jo për t`i shqetësuar dhe kanosur ato.

Dënimet për Ervis Çalën

* Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Çala për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me 2 vjet burgim.

* Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Çala për kryerjen e kundërvajtjes penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, parashikuar nga neni 275 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me 6 muaj burgim.

 

Dhuna në familje

Gjykata e dënon me kusht dhe e urdhëron të rehabilitohet prej alkoolit

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 8 muaj burg dhe më pas e ka pezulluar dënimin me burg dhe e ka liruar me kusht të pandehurin Elton Çela, i akuzuar për dhunë në familje. Gjykata e ka urdhëruar Çelën që gjatë periudhës së provës prej 2 vjet t’i nënshtrohet programeve të trajtimit mjekësor kundër alkoolit, si dhe të heq dorë prej alkoolit. Në vendimin e saj, gjyqtarja Manjola Xhaxho, duke pasur parasysh se i pandehuri është një konsumator i pijeve alkoolike çka pasjellin edhe dhunën e ushtruar në familje, e urdhëron Elton Çelën që për dy vjet të përpiqet të lërë pijen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency