Kupat e Evropës, shorti është bujar me shqiptaret

0
160

 Altin Vorpsi

kupa-e-kampionit-evropianNë Nion të Zvicrës është hedhur shorti i turit të parë dhe të dytë të Europa Ligës. Goglat i kanë buzëqeshur Laçit dhe debutuesve të Kukësit, që kanë peshkuar dy skuadra më të lehta në letër. Pak më i vështirë paraqitet shorti për Teutën, pavarësisht se është skuadra më me përvojë nga ekipet që përfaqësojnë Shqipërinë në Evropë. Për fituesen e kupës, Laçi, shorti ka qenë zemërgjerë, duke i vënë përballë Diferdange, skuadër që militon në kampionatin e Luksemburgut

 

 

Skënderbeu, Kukësi, Teuta dhe Laçi mund të bëjnë një rrugëtim dinjitoz në Kupat e Evropës. Shorti që u mbajt dje në Nion të Zvicrës, për skuadrat shqiptare që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe Europa Ligë, ka qenë më shumë se bujarë.

 

“Të kalueshme”

Pavarësisht se kanë një palmares për t’u respektuar në vendet e tyre, me trofe të shumtë kombëtarë të fituar, por edhe me pjesëmarrje të konsiderueshme dhe të vlerësuara në garat evropiane, rivalët e Skënderbeut në raundin e dytë kualifikues (paraeliminator) të Ligës së Kampioneve, por edhe të Teutës, Laçit e Kukësit në Ligën e Evropës, mund të vlerësohen si “të kalueshëm”. Referuar emrave potencialë në goglat e vazove mund të kishte shumë herë më keq, ndaj për skuadrat tona ky short mund të jetë shpresëdhënës për të bërë një paraqitje dinjitoze dhe, pse jo, për të kaluar edhe ndonjë tur.

 

Datat

Ndeshjet e para për Champions-in, ku merr pjesë Skënderbeu, ekipet i luajnë më 16 dhe 17 korrik, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë. U mbetet skuadrave të diskutojnë edhe radhën e ndeshjeve si vendas dhe mysafirë. Finalja e edicionit 2013-2014 e Ligës së Kampioneve do të luhet në Lisbonë të Portugalisë.

Ndeshjet e Ligës së Evropës do të luhen më 4 korrik, vajtje, dhe 11 korrik, në kthim.

 

 

 

Cila është rivalja e Skënderbeut?

Skënderbeu do të nisë rrugëtimin e vështirë (por shumë prestigjioz) në Ligën e Kampioneve duke sfiduar Neftçin e Bakut të Azerbajxhanit. Goglat e shortit të hedhur mesditën e së hënës në Nion të Zvicrës kanë zbuluar edhe emrin e kundërshtarit të kampionëve të Shqipërisë, i cili kësaj here është më i lehtë në letër se në dy sezonet e mëparshme, ku korçarët nuk ia dolën mbanë. Neftçi Baku u shpall kampion në vendin e tij në sezonin që shkoi, ku regjistroi këto statistika: në 32 ndeshje mori 19 fitore, 5 barazime dhe 8 humbje, me një golaverazh 59:32. Kjo skuadër është krijuar më 18 mars të 1937 dhe deri më tani ka fituar 8 tituj kombëtarë (1992, 1995–96, 1996–97, 2003–04, 2004–05, 2010–11, 2011–12, 2012–13) dhe 5 Kupa të Azerbajxhanit (1994–95, 1995–96, 1998–99, 2003–04, 2012–2013). Neftçi Baku PFK, i njohur gjithashtu Neftçi, është një klub futbolli i Azerbajxhanit, me bazë në kryeqytetin e këtij vendi, Baku, që aktualisht luan në Premier Ligën e azerëve. Trajner i skuadrës në fjalë është Boyukagha Hajiyev, ndërsa president Sadyg Sadygov. Ata janë më të famshmit dhe më të suksesshmit si klub, me tetë tituj kampioni në Azerbajxhan dhe pesë Kupa të Azerbajxhanit. Neftçi është një nga dy ekipeve në Azerbajxhan, së bashku me Qarabag, i cili ka marrë pjesë në të gjitha kampionatet e “Premier League” të këtij vendi deri më tani. Në vitin 2012, Neftçi Baku u bë ekipi i parë që përparon në fazën e grupeve të një konkurrimi evropian, duke mposhtur APOEL të Qipros 4-2 në total, në raundin e” play-off”-it të Ligës së Evropës për sezonin 2012-2013. Neftçi Baku është një nga klubet që përkrahet më shumë nga tifozët në Azerbajxhan, me mbështetës të organizuar në grupe dhe që funksionojnë në vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë dhe çdo vend tjetër me komunitet të konsiderueshëm azerbajxhanas.

 

 

Cila është rivalja e Teutës?

FC Daçia Kishinau është një skuadër e kryeqytetit të Moldavisë. Daçia luan në “Nationala Divizia”, liga kryesore e këtij vendi. Emri i klubit vjen nga Dakia, një qytetërim i lashtë, i cili ka mbuluar pjesët e Moldavisë moderne. Është themeluar në vitin 1999, ndërsa u promovua në Ligën Kombëtare dy vjet më vonë. Dacia ka mbetur aty qysh atëherë, ndërsa fitoi titullin e parë në ligë në sezonin 2010-2011, duke u kualifikuar për eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Ekipi ka marrë pjesë edhe në “Europa League” në pesë raste, por kurrë nuk e ka kaluar fazën e grupeve.

 

Cila është rivalja e Kukësit?

FC Flora është një klub futbolli në Estoni, që u themelua në vitin 1990. FC Flora e ka fituar shumë herë titullin në “Meistriliiga” dhe Kupën e Estonisë. Ata kanë për vite të tëra me pjesëmarrjen e numrit më të madh të lojtarëve në ekipin kombëtar, ndërsa kanë rritur lojtarë të suksesshëm nga sistemi i të rinjve, që kanë pasur një karrierë të mirë edhe jashtë vendit. Në këta lojtarë përfshijmë, për shembull Mart Pom, Andres Oper, Raio Piroja, Ragnar Klavan. Historia Klubi u themelua në vitin 1990. FC Flora ka luajtur sezonin e saj të parë në ligën e dytë të kampionatit të Estonisë e mbushur kryesisht me ish-lojtarë të Tallinna Lõvid. Në vitin 1994, Flora fitoi titullin e parë në “Meistriliiga”, nën rrethana tepër të diskutueshme, kur Federata Estoneze e Futbollit vendosi të skualifikojë kryesuesit e Tevalte Talin për fiksim të ndeshjeve, akuzat që kurrë nuk u provuan. Flora e fitoi titullin tjetër në “Meistriliiga” në 2010, pas 7 vjet pritjeje. Në verën e vitit 1998, Flora, e sapokurorëzuar kampione, luajti me Milanin një miqësore në Sicilia. Si ekipi i vetëm që përkrahet nga qeveria në Estoni, Flora posedon disa ekipe rezervë dhe “klube fermë” në divizione të ndryshme. Lojtarët që nuk kanë bërë një ndikim të mjaftueshëm në klub janë dërguar shpesh për të luajtur jashtë, në Tulevik. Rivalët kryesorë të FC Flora janë FC Levadia, JK Sillamäe Kalev dhe FC Trans Narva. Stadiumi i Florës është ndërtuar kohët e fundit dhe ka një kapacitet prej 9300 vendesh, me një sistem nënngrohjeje të tokës.

 

Cila është rivalja e Laçit?

Diferdange 03 u formua në vitin 2003 si një amalgamë e dy klubeve të të njëjtit qytet me të njëjtin emër: “FA Red Boys Differdange” dhe “AS Differdange”. Kur klubet u shkrinë në kohë për sezonin 2003-2004, të kuqtë lënguan në gjysmën e poshtme të Divizionit Kombëtar, ndërsa ishin në pozicion mesi të tabelës në grupin e tretë të futbollit luksemburgas. Klubi u promovua përsëri në Divizionin Kombëtar në sezonin 2005-2006, kur kampionati u zgjerua nga 12 klube për 14 të tilla. “Red Boys Differdange” më parë kishin qenë një nga ekipet më të mëdha dhe më të suksesshme në futbollin luksemburgas, duke fituar Kupën e Luksemburgut më shumë herë se çdo ekip tjetër. Gjatë viteve 1920 dhe 1930, “Red Boys” konkurruan me “Spora Luksemburg” për dominimin e futbollit në Luksemburg. “Red Boys” ishin më të suksesshëm fituan 13 trofe në mes të viteve 1923 dhe 1936. Pavarësisht nga konkurrenca e patundur (Spora kishte fituar 8 trofe në të njëjtën periudhë), ky rekord nuk ka qenë kurrë i krahasueshëm. Në sezonin 2011-2012, kundërshtari i Laçit mori pjesë në “Europa League” dhe përparoi në raundin e tretë kualifikues, pasi eliminoi Levadia Tallin me rezultatin 1-0 në total, një nga fitoret më të famshme evropiane dhe një nga fitoret më historike për një klub nga Luksemburgu, që ka pasur ndonjëherë në garat evropiane. Në raundin e 3-të kualifikues ata u takuan me Olympiakos Volou dhe humbën nga 3-0 në të dyja ndeshjet (6-0 në total). Megjithatë, Olympiakos Volou me sa duket ishte i përfshirë në një rast korrupsioni, ndaj UEFA vendosi më 11 gusht 2011 që Differdange të përparojë në raundin e “play off”-it dhe të takohet me PSG. Më 5 dhe 12 korrik 2012, luksemburgasit fituan kundër NSI për raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, me një rezultat total prej 6 golash në dy ndeshje, pas pësuar asnjë. Në raundin e dytë, FC Differdange 03 do të takohej me klubin belg “KAA Gent”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency