Kreu i PS-së Rama: Fitorja e së majtës, e thellë. Bregu: Diferenca po ngushtohet

0

Gëzim Saliu

edi ramaKreu i PS-së: Çdo votë që zgjedhësit kanë çuar në kutinë e votimit të numërohet

Zëdhënësja e qeverisë: Asnjë forcë politike nuk duhet ta bllokojë qendrat e votimit

 

Në ditën e parë postzgjedhore, kreu socialist Edi Rama shpalli dje fitoren e koalicionit të majtë, duke kërkuar njëkohësisht respektimin e votës së çdo shqiptari deri në mbylljen e plotë të procesit të numërimit. “Dje ju thashë që rilindja ka fituar mbi rrënimin sot ju them që fitorja do të jetë edhe më e thellë se nga sa duket. Thirrja ime për çdo deputet, për çdo drejtues dhe koordinator, për çdo numërues të PS-së, asnjë votë nuk duhet të cenohet. Duhet të numërohet çdo votë në respekt të çdo shqiptari. Çdo votë që zgjedhësit kanë çuar në kutinë e votimit të numërohet dhe të shkojë në atë adresë ku ata e kanë çuar. Të mbrojmë çdo votë të çdo subjekti zgjedhor të koalicionit tonë dhe të çdo subjekti zgjedhor”, – u shpreh Rama nga selia e PS-së. Por, përpos deklaratës së kryesocialistit, në një dalje publike nga selia e PD-së në orët e mbrëmjes, zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, deklaroi se me numërimin e votave në kutitë e mbetura të votimit, që janë më shumë se gjysma nga shuma totale, po vihet re, sipas saj, një ngushtim i diferencës mes dy koalicioneve. “Numërimi i votave po vazhdon duke e ngushtuar diferencën mes dy koalicioneve. Ky proces, ashtu si dhe procesi i votimit, po vazhdon normalisht dhe duke respektuar Kodin Zgjedhor. Është e rëndësishme të ruhen deri në fund standardet më të larta të këtyre zgjedhjeve”, – tha Bregu. Më tej, në emër të Partisë Demokratike, Bregu shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë numëruesit, komisionerët dhe vëzhguesit: “…për përpjekjet e tyre për një proces të shpejtë dhe të saktë. I ftoj të numërojnë me durim dhe vendosmëri çdo votë të qytetarëve. Procesi duhet të vazhdojë normalisht, në çdo qendër votimi dhe asnjë forcë politike nuk duhet ta bllokojë atë, siç është sinjali në disa KZAZ”.

 

Konferenca

Në daljen e tij të dytë publike pas përfundimit të procesit të votimit, kreu socialist i është drejtuar me një thirrje Kryeministrit Berisha, ku ka kërkuar bashkëpunim mes palëve për një proces me standarde. “Prandaj unë dua t’i drejtoj një mesazh kundërshtarit tonë: ka gjithmonë një kohë për të humbur dhe sot është koha për ta bërë këtë me nder, në nderin e Shqipërisë, duke bashkëpunuar në çdo tavolinë numërimi për të garantuar paprekshmërinë e dinjitetit të popullit shqiptar në këtë proces, që do të thotë se ky proces duhet të vazhdojë pa pengesa”, – tha Rama. Sipas kryesocialistit, të gjithë ata që janë dërguar nga partitë për të numëruar votat e sovranit, duhet të jenë në lartësinë e kësaj detyre fisnike. “Besoj se pavarësisht se në këto zgjedhje ka fituar PS, Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe ka humbur PD dhe aleanca e tyre, është detyrim i barabartë yni dhe i tyre që të nxjerrim Shqipërinë të fituar nga ky proces dhe bota të na përgëzojë. Ky është ai moment në politikë kur të humburit të marrin pjesë në fitoren e vendit të tyre”, – theksoi kreu i PS-së.

 

 

Sekretari i IS-së

Ayala takon Ramën

Në kuadër të mbështetjes që Partitë Socialiste Evropiane po japin për Partinë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, ka mbërritur dje në selinë rozë ku është takuar me kreun e PS-së, Edi Rama. Ky takim është zhvilluar pas deklaratës së dhënë nga kryesocialisti për fitoren e së majtës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ayala pritet të qëndrojë për disa ditë në Tiranë, për të mbështetur Partinë Socialiste në garën elektorale që do të vendosë se kush do të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme.

 

Reagimi i PD-së

Bogdani: Rama, njësoj si në 2009, në përfundim të numërimit, PD do dalë fituese

Partia Demokratike shpreh besimin se në përfundim të numërimit të votave, të djathtët do të jenë fituesit e këtyre zgjedhjeve. Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, Gerd Bogdani tha dje se procesi i numërimit të votave po ecën në favor të koalicionit të djathtë. “Partia Demokratike dëshiron të falënderojë të gjithë numëruesit, komisionerët dhe vëzhguesit për përpjekjet e tyre për një proces të shpejtë dhe të saktë. Ne vazhdojmë të jemi besimplotë se kur të gjitha votat e qytetarëve të jenë numëruar, ne do të jemi fituesit. Dhe jemi te inkurajuar nga rezultatet që sapo mbërrijnë dhe që tregojnë rritje të ndjeshme, të cilat tregojnë që numërimi po ecën tashme në favorin tonë. Nuk duhet të harrojmë që në këtë kohë, në vitin 2009, Edi Rama proklamonte fitoren, por në fakt ai humbi. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, që në këtë kohë, në vitin 2011 Edi Rama proklamonte përsëri fitoren, por përsëri mbeti në opozitë”, – tha Bogdani. Në të njëjtën kohë, ai inkurajoi përmbylljen e procesit me saktësi. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të vazhdojnë një proces të qetë dhe të rregullt të numërimit të votave dhe të mos bllokojnë procesin. E përsërisim, asnjë forcë politike nuk duhet të bllokojë procesin, sepse qytetarët duhet të shohin të gjitha votat e tyre të numëruara, sa me shpejt dhe saktë!”, – përfundoi Bogdani.

 

 

Aleati i PS-së

Ngjela takon Ramën: Hap drejt integrimit

Aleat i Partisë Socialiste, kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, ka vlerësuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duke uruar njëkohësisht kryesocialistin Rama për rezultatin, i cili, sipas tij, përbën një fitore të madhe për vendin. “I urova me gjithë zemër fitoren Edi Ramës. Nuk është fitore vetëm e opozitës, është shumë më e madhe, që në fillim të këtij shekulli populli arrin në rrugën e vet drejt lirisë dhe demokracisë, gjë madhështore për hapin drejt Perëndimit dhe largimin e një regjimi barbar oriental që ka 100 vjet që sorollatet si hije në vend. Këto votime do të jenë çlirimi përfundimtar që të papunët të fillojnë shpresën e tyre, i tërë brezi i ri do të jetë i çliruar, sepse do t’u kthehet dinjiteti. Po ikën një zgjedhë e madhe nga Shqipëria dhe shqiptarët e treguan se po shkojnë drejt integrimit evropian dhe po flakin tej mbeturinat historike. Sa më shpejt të pranojë humbjen ky kryeministër që ka qeverisur 4 vjet pa vota, aq më mirë do të ishte për të dhe aq më mirë për shoqërinë”, – u shpreh Ngjela.