Kontesti greko-maqedonas 1991-2013

0
135

maqedoniaNjohja e emrit kushtetues të Maqedonisë, respektimi i vendimit nga Haga dhe zhbllokimi i procesit të integrimit euroatlantik, sipas ish-ambasadorit gjerman Klaus Schrameyer, janë zgjidhjet për kontestin me emrin.

 

 

“Diskutimet rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë që po zgjatin më shumë se njëzet vjet janë kthyer në një problem mjaft serioz, ndërkohë që në praktikë kjo çështje është sa e panevojshme aq edhe absurde! Sa më tepër që merrem me Ballkanin, aq më tepër jam i bindur se ky është problem iracional dhe psiko-patalogjik i Greqisë, i cili vështirë se mund t’u shpjegohet shteteve perëndimore. Nëse diskutojmë për emrin e Maqedonisë, me këtë rast do të mundja ta quaja Greqinë ish-provinca osmane Hellas”, – thekson Klaus Schrameyer, ish-ambasadori gjerman në Shkup, në ligjëratën e tij me temë “Kontesti greko-maqedonas 1991-2013”.

Temën kaq të nxehtë, e cila mbetet aktuale në krye të agjendës që prej më se njëzet viteve, Schrameier e prezantoi para një publiku shkencor në Universitetin e Lajpcigut. Betejën e Maqedonisë për emrin e shtetit, ai në mënyrë figurative e cilësoi si “Davidi kundër gjithë botës”. Që Maqedonia ka mbetur e vetme në betejën për emrin, sipas Schrameier e tregojnë zhvillimet dhe qëndrimi i Maqedonisë, Greqisë dhe Bashkimit Evropian gjatë viteve të kaluara.

 

 

Punë jo e frytshme

“Shkupi i plotësoi të gjitha kërkesat e Greqisë nga viti 1992, ndërsa nuk fitoi asgjë përveç se emrit ilegal FYROM. Kjo do të thotë se ishte një punë jo e frytshme: Kaloi përmes embargos, e ndryshoi Kushtetutën, e ndryshoi edhe nenin 49 me çka siguronte se nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të fqinjëve, e ndryshoi edhe flamurin. Argument i Greqisë ishte se Maqedonia ka afinitete militare agresive, edhe pse në vitin 1992 Badenteri tha se emri nuk paraqet ndonjë agresivitet”, shpjegoi Schrameyer duke rikujtuar, siç e quajti ai “tentimin perfid të Greqisë që në vitin 1991 të organizojë konferencë për fatin e Maqedonisë pa pjesëmarrjen e saj, por me Bullgarinë dhe Serbinë, konferencë kjo që për fat të mirë dështoi”.

Schrameyer rikujtoi se pas viti 1995 kur Maqedonia u kërcënua dhe u detyrua që ta pranojë referencën FYROM, vendi dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë përjetuar ofendime nga Athina. Në vitin 1999 Maqedonia ndihmoi në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë- pranoi 220.000 ushtarë dhe mbi 300.000 refugjatë. Por kjo ndihmë nuk evaluoi me anëtarësim në BE apo me ndonjë kompensim konkret financiar. Përkundër kësaj, Greqia në vitin 2008 nuk respektoi marrëveshjen e përkohshme, gjë të cilën e ka vërtetuar Gjykata në Hagë, dhe Athina vazhdon me bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. “Është skandaloze që një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare nuk respektohet dhe se askush nuk proteston pse ai vendim nuk zbatohet”, – komenton Schrameyer.

 

Interesat e mafias?

Në analizën për sjelljen e Greqisë gjatë njëzet viteve të kaluara u theksua se 130 shtete e kanë njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, që do të thotë se me bllokadat Greqia i bënë dëm vetes dhe dëmton rolin udhëheqës që do të mund të kishte në Ballkan me çka do të kontribuonte për forcimin dhe stabilitetin e rajonit.

“A ka forca në Shkup dhe Athinë që dëshirojnë të pengojnë anëtarësimin e vendit në BE? A qëndron mafia pas bllokadave?”, – është kjo teza e re që shtron ish-ambasadori Schrameier në sfondin e moszgjidhjes së çështjes së emrit, duke vlerësuar se me anëtarësimin e Bullgarisë në BE, kontrolli i kësaj hapësire nga ana e mafias është kufizuar. “Mafiozët nga Ballkani patjetër duhet të gjejnë hapësirën e tyre”, – vlerëson Schrameyer, i cili arsyet e kokëfortësisë së palës greke nuk i sheh vetëm në rrënjët e politikës së brendshme, të cilat i ka apostrofuar historiani Adamantios Skordos ( temë e fushatës parazgjedhore, sllavofobia dhe miti për Lekën), por edhe në ndërgjegjen e papastër, e cila gjeneron agresivitet, për shkak të sjelljes së keqe ndaj njerëzve nga pjesa veriore e vendit.

 

Mosinteresimi i politikës së nivelit të lartë

“Nuk e kuptoj përse BE-ja, partnerët evropianë, SHBA-ja e lejuan gjithë këtë – vendosën të ishin kundër një vendi sovran, i cili ka të drejtë ta zgjedhë vetë emrin. Ky është fenomen i kohës tonë! Ka mosinteresim që rezulton me disponim antimaqedonas”, – komenton Schrameyer. “Ka një shtangie të madhe iracionale te pala greke. E keqe është se nuk ka fjalë dhe porosi të vërteta dhe të qarta”, – tërheq vëmendjen Schrameyer duke u përgjigjur në pyetjen e publikut, se përse nuk është ushtruar deri më tani trysni ndaj Greqisë dhe pse Gjermania është kaq tolerante?

Në fund të debatit, në të cilin u bë fjalë për të gjitha fazat dhe propozimet për çështjen e emrit, Klaus Schrameier dha edhe propozimet e veta për zgjidhjen e çështjes së emrit: “Patjetër duhet të pranohet emri kushtetues i Republikës së Maqedonisë. Porosia juridike është e qartë: Athina ta respektojë vendimin e Hagës dhe të mos bllokojë anëtarsimin në BE dhe NATO”. Sipas Schrameierit, është më se e sigurtë që një ditë të gjithë pjesëmarrësit do të habiten se për çfarë banaliteti janë zënë. Por, për fat të keq, njerëzit e thjeshtë më shumë se sa politikanët po vuajnë nga kontesti i emrit. “Nga zgjidhja varet zhvillimi jo vetëm i Maqedonisë por edhe i tërë rajonit”, – theksoi Schrameyer në debatin e organizuar në Universitetin e Lajpcigut në temë “Kontesti greko-maqedonas rreth çështjes së emrit 1991-2013”.

 

 

 

Kosova

Kadare kërkon falje, Rugova kishte të drejtë

 

Ai kishte kritikuar ashpër Ibrahim Rugovën në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, por shumë vjet më vonë, shkrimtari i madh shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, e pranon se koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës. “Është e vërtetë që i kam kritikuar Rugovën dhe Demaçin. Ju tash mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritiken që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi së e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq”, – kështu ka thënë Kadare javën e kaluar gjatë një pritjeje në Këln.

Ai së bashku me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare, ishin ftuar me iniciativën e Luan Krasniqit së bashku me Asociacionin Shqiptar për Kulturë dhe Integrim.

Në një ambient të mbushur me shqiptarë, Kadare u pyet rreth raporteve të tij me Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai dhe tha se autori i romanit “Krushqit janë ngrirë”, i cili me këtë libër, përmes botimeve në gjuhën angleze dhe frënge, i bëri të njohura në shkallë planetare, qysh në vitin 1983, kërkesat e studentëve për Republikën e Kosovës tha se “kishte qenë ëndrra ime ta takoja Presidentin e Kosovës”.

Sa i përket Demaçit, Kadareja tha se ai e ka tepruar pa dyshim me kritikat ndaj tij, mirëpo Demaçi, megjithatë gaboi për Rambujenë, shkruan “Zëri”. Teksa pritej me kureshtje nga të pranishmit të shpalosë qasjen e tij për gjendjen e shqiptarëve, ai që e kishte ftuar Luan Krasniqi në fjalën e tij, në shqip dhe në gjermanisht, tha se më lehtë e ka pasur në ring se të mbajë një fjalë para Kadaresë. Megjithëse rrjedha e fjalës së tij brilante e dëshmoi të kundërtën, fjalët e tij e impresionuan jo vetëm publikun, por edhe vetë Kadarenë. Kampioni i dyfishtë evropian foli për rrugën që e çoi atë deri te takimi i tij i parë me Kadarenë në Tiranë vitin e kaluar, në shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Fillimisht, – tha ai, – gjithçka pikënisjen e ka në Berlin, në takimin e tij në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë me ambasadorin dr. Vilson Mirdita. Pasi mori serinë e veprave të tij në 20 vëllime, botim i “Onufrit” të Tiranës, ai lexoi shumë vepra të shkrimtarit shqiptar, por libri “Mbi krimin në Ballkan” ishte një lektyrë tronditëse për të. Luan Krasniqi tha më tej se idetë dhe mendimet e Kadaresë vazhdimisht e përcjellin dhe se për të është një nder i madh që të bëjë diçka për veprën e tij. Luan Krasniqi i impresionuar nga Kadare ishte ai që e ndihmoi botimin në gjuhën gjermane të librit-intervistë të Ismail Kadaresë “Çlirimi i Serbisë prej Kosovës”, vitin që shkoi.

 

Mandela, në gjendje kritike shëndetësore

 

Tani situata nuk është më “serioze”, por “kritike”. Nelson Mandela është në rrezik për jetë. Heroi Kombëtar i Afrikës së Jugut është duke u trajtuar në një spital në Pretoria.

Mandela ka mbi 24 orë që është në gjendje kritike për jetën, njoftoi presidenca e Afrikës së Jugut të dielën në mbrëmje. Presidenti Jacob Zuma, nënkryetari i Kongresit Kombëtar Afrikan në pushtet (ANC), Cyril Ramaphosa dhe gruaja e Mandelës, Graça Machel janë takuar në spital dhe kanë biseduar në lidhje me situatën. “Mjekët po japin maksimumin e tyre për të bërë që gjendja e tij të përmirësohet dhe po përpiqen që ai të trajtohet mirë”, ka njoftuar Zuma. “Ai ndodhet në duar të mira”.

Javën e kaluar Zuma dhe anëtarët e familjes kishin raportuar për një përmirësim të gjendjes të 94 vjeçarit. Mandela i cili njihet në Afrikën e Jugut edhe me emrin e tij tradicional “Madiba”, është dërguar të shtunën para dy javësh me një pneumoni të rëndë në një spital në Pretoria. Ai në muajt e fundit i është nënshtruar kontrollove të përsëritura mjekësore.

Për shkak të luftës së tij kundër sistemit të aparteidit racist nobelisti i Paqes ka qëndruar për 27 vjet në burg. Ai u sëmurë atje nga tuberkulozi – fillimi i problemeve të tij të vazhdueshme të mushkërive. Pas lirimit të tij nga burgu, “Martin Luteri Afrikan” vazhdoi luftën kundër diskriminimit racist. Në prill 1994, u mbajtën zgjedhjet e para të lira. Më 10 Maj Mandela u bë Presidenti i parë zezak i Afrikës së Jugut. Ai më pas përqendroi vëmendjen tek pajtimi. Në vitin 1996 ai ngriti Komisionin Afrikano Jugor të së Vërtetës dhe Pajtimit (TRC) për të trajtuar krimet që ishin kryer gjatë aparteidit. Në vitin1993, Mandela dhe paraardhësi ti tij, Frederik William de Klerk, morën çmimin “Nobel” për Paqe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency