Dy Buzë

0
147

putghjePas shumë vitesh qetësi, si mund të lexohet Migjeni përtej manipulimit ideologjik? Studiuesit e rinj kanë tentuar të çojnë në përgjigje disa enigma që shoqërojnë qoftë identitetin letrar, ashtu edhe identitetin në aspektin biografik të Migjenit. A ishte thjesht Migjeni, referuar teorisë kritike, që ndan veprën nga autori, apo kemi një zbulim referencial të një bote biblike, apo kulti individual, e më tej në debatin e hapur nëse është mbinjeriu niçean tek Migjeni apo momenti i komunistit?! Pranohet se Migjeni është lexuar gjithë kohën, se është një zë origjinal, me popullaritet të vazhdueshëm, pa veçuar ulje dhe ngritje. Ndërsa mbetet në dilemë leximi i tij; nëse ka ruajtur Migjeni në hierarki veprat, si lexohet ai sot? Në këtë kontekst rileximi, botojmë më poshtë disa poezi

 Migjeni

 

Lutje

Të lutem, o perëndi,

për një simfoni

me tinguj t’argjantë

e akorde t’artë.

 

Të lutem, o perëndi,

për një simfoni

plot dashuni

të nxehtë si te vasha gjitë

kur vlojnë ndijesitë.

 

Të lutem, o perëndi

për një simfoni

të dëfrej në lumni

t’u u përkundë n’ani

të bukur t’andrrimeve

të kaltër, ku të fantazmëve

buzët më tërheqin zjarrtë

e më digjen syt e flaktë.

 

Të lutem, o perëndi,

për një simfoni

e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.

 

 

Melodi e Këputun

 

Melodi e këputun

lot i kjartë nga syni

i një grues së dashun…

andje e përplasun,

xhevahir i tretun,

një andërr e shkelun,

buzë e paputhun

në melodin e këputun.

Nga vaji i heshtun

shkunden supat e zhveshun,

verbojnë nga zbardhimi…

e ther, ther hidhnimi

për çasteet e rrëshqitun,

për fatin e ikun,

për gëzimin e humbun

në melodin e këputun.

Brrylat ndër gjujë të mpshtetun,

ftyrë në shplakë e fundosun:

Qan grueja e pikllueme

me zemër të piskueme

(një kitarë e gjymtun,

za kange i mbytun

në buzë nga dhimb’ e puthun

në melodin e këputun).

Hesht njeriu pran grues

që qan e turpnueme…

syni i venitet

në të loti vërvitet,

diçka nxjerr nga xhepi

grues ia lë dhe së shpejti

e len gruen e humbun

në melodin e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër,

epshi kapërthehet,

gjaqet turbullohen,

përzihen, përvlohen,

çohen peshë, tërbohen

… e vetëm ndëgjohen

ahtët e molisun

në melodin e grisun.

 

 

Sonet Pranveruer

 

Me kangë në buzë e me hove të reja

u zgjue agimi pranveruer,

largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,

n’argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

 

Me kangë në buzë u zgjue agimi

dhe ia këndoi kangën diellit t’ art

rrezash purpure dhe jetëdhurimi

me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

 

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra

vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra

dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

 

me gji të paprekun, ku dashnia sosë

me fletza trandafilesh që flladi sjelli

dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.

 

 

Dy Buzë

 

Dy buzë të kuqe,

dy dëshira të flakta,

që afshin ma thithën,

gëzimin ma fikën,

si fantazma ikën

ndër do bota të larta…

Dy buzë të përgjakta,

dy dëshira të flakta,

që afshin ma thithen

në buzë kur m’u njitën

andjet m’i trazuen,

zemrën ma tërbuen,

trunin ma helmuen

e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,

bukuri fatale,

të një grueje stërzane

një pranverë të tanë më mormë

një pjesë zemre më nxormë,

dhe gëzimin ma vodhnë…

Ato dy buzë të kuqe

dhe dy lotë të mia

qenë shenjat e dhimbjes

kur më vrau bukuria,

kur më zu dashunia

e më dogji rinia.

 

Z.B.

 

Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë

të diellit përndimuer

me kuqlim e tisa purpuer,

me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand.

ku në fund u pasqyronte një dashni e lume

si vegimet e fatbardhsis në lima,

mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb

dhe gëzime të pamatna gugon pa pra.

Zojushë, q’at buzmramje

unë andrroj me andje

dhe me një dashni të pastër

ata dy sy tuej të kaltër,

që m’u falnë letë

me një shikim diskret.

 

 

Vetmija

 

Më plak mërzitja

që vetmia më sjell;

përbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq

të liq

në këto sende pa shpirt,

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku, të më shajnë:

I mallkuem!

Së paku, të anë tallin:

I uruem!

Së paku, të më këndojnë:

I yni zot!

Ose të më thonë:

Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në kët vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë:

ndoshta ty do gjej gjasim

me jeten time pa tingllim

që në vetmi po e kaloj

dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemrën teme që po vuen

dhe në mërzi vetveten truen.

 

***

 

Gjergj Fishta

 

Gomari i Babatasit (metamorfoza)

 

Ju rrugaça sallahana

vagabonda shakllabana

rricna t’ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë npër ne,

do t’na qelbi fis e atdhè?

Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,

se tash ma jemi tue u njoftë,

se kush jini e shka jini

se kah shkoni e se kah vini

plang e shpi se kah i kini

e sa pare u ban gjaku:

se për ju, po, duhet laku,

për me u vjerrë o kund m’do i shpat!

Deri dje, pa kmishë mbi shtat,

me ‘i gjysmë setre t’pa astar,

lshuemum krahve kalavar

e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:

pantallonat me “gjyslykë”

kto edhe lidhun me nji spagë:

shtatit rreshke e ba saragë,

t’tanë gordec e berbalec

pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,

me ‘i fillore a nji iptadije,

erz e shpirt qitun nën themër:

turq a sllave a grek me zemër,

falun barkut veç Shqipnisë,

si ajo marrja e t’gjith njerzisë…

tuj u shite ju për gjithë treg,

sod na mbahi “Skandërbeg”,

e ngërdhucë, goditë, limue,

rrue, qethë, pipirique,

tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”

ju, qi dje s’kishit as ushkuer

me lidhë brekët me nder me thanë

m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,

rrugën krejt na e keni zanë,

ke na shkoni pash e m’pash,

edhe besa me “gulash”

me “afishe” e me “sultjash”,

me “kjumshtuer” e me “ashurè”,

“kosha gjelash” si kubure,

 

“tarator”, “pilaf me kos”,

“mish me qepe” e “majdanos”

“shish qebap”, “brizholla viçi”,

“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,

“kabuni”- e “mualebi”.

Barku sod ju rri ju kodër,

kargatisë e bamun lodër:

der sa ata burrat e dheut,

qi për jetë e nderë t’Atdheut

kane ra n’luftë si shqipe t’leta,

kanë shkri gja e shpija t’veta,

kanë tuj dekë rrugave unit,

me iu dhimbë gurit e drunit.

Përse, po, kta matrahulla,

kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,

n’vend qi ju me u vu n’konop,

a se brinjt m’jau zbru me shkop,

a, mos tjetër, me u ngushtue

me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue

për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit

a me dlirë ndo ‘i skelë detit,

lavjerre buzësh, harru si viça

kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,

për me u pri udhës s’qytetnisë

e me i sjellë t’marën Shqipnisë.

Ani kush, pra, me i pri kombit:

ju, do pyka bijtë prej llomit

qi “shqiptarë” vedit i thoni,

jo pse ju Shqipninë e doni,

jo pse ju ndo ‘i send kuptoni

shka asht Atdheu e shka asht Liria,

shka asht Vllaznija a Parasija,

Përparimi e Qytetnia,

por veç pse ende der më sot

nji tyran s’po e gjeni dot,

nën kambë t’cillit ju me u shtrue,

se un ma tash ma jam regjë me jue,

e jau njof shpirtin der m’palc,

pleh i ndytë me u bartun n’shalc

e me u qitë jashta Shqipnije.

 

 

 

Folklor

Këngë lirike

 

O Bilbil Sakat, Sakat

 

O bilbil sakat sakat,

O na ngrite një ode të lartë.

O bilbil sakat sakat.

Vijnë kto zonjat rreth përqark.

O bilbil sakat sakat.

U thotë zonjave: ‘ngituni lart’.

O bilbil sakat sakat.

‘Neve vijmë, po kemi vapë!’

O bilbil sakat sakat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency