Dilemat e ratifikimit të marrëveshjes

0
131

kuvendi-i-kosovesKuvendi i Kosovës pritet të vë në shqyrtim të enjten më 27 qershor çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Por, dilemat janë shtuar nëse marrëveshja duhet të ratifikohet, pasi që një veprim të tillë nuk e ndërmerr edhe Serbia.

Megjithatë, deri në një vendim tjetër, mbetet që Kuvendi të shqyrtojë ratifikimin në seancën e të enjtes. Në bazë të qëndrimit aktual, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se marrëveshja pritet t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit.

“Kjo marrëveshje do të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës. Ne kemi kërkuar që ratifikimi të bëhet sa më shpejt dhe ka qenë në interes tonin, por megjithatë ne e respektojmë vullnetin edhe të grupeve tjera parlamentare dhe është me rëndësi që ky proces nuk guxon të ndërpritet”, – është shprehur Grabovci.

Me ratifikimin e marrëveshjes, përveç garancive ndërkombëtare, Kosova do të merrte obligime të brendshme ligjore për zbatimin e saj.

Edhe pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, zbatimi tashmë ka filluar në disa pika të saj përmes disa vendimeve që po marrin kohë pas kohe ekipet e përbashkëta punuese në Bruksel.

Lideri opozitar, Isa Mustafa, ndërsa ka konfirmuar gatishmërinë e Lidhjes Demokratike për të mbështetur këtë marrëveshje, i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të mbetet e vendosur në zbatimin e drejtë të saj, duke pretenduar se pala serbe përmes planit të zbatimit është munduar të devijojë në disa aspekte marrëveshjen e 19 prillit.

“Natyrisht që ka sfida dhe ka tentime nga Beogradi që të devijohen dhe që përmes planit të implementimit të ndryshohet karakteri i disa pikave të Marrëveshjes. Mirëpo, mbetet obligim i qeverisë së Kosovës dhe komisioneve tjera që do të merren me implementimin e marrëveshjes që në mënyrë strikte t’u përmbahen pikave të marrëveshjes”, – ka thënë Mustafa.

Marrëveshjet ndërkombëtare, në bazë të procedurave kryesisht ratifikohen nga të dyja shtetet.

Por, në rastin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, një veprim të tillë po e ndërmerr vetëm Kosova, ngaqë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.

Deputeti Arsim Bajrami, njëri nga ekspertët më të njohur të çështjeve kushtetuese, mendon se Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen vetëm nëse të njëjtën procedurë e ndërmerr edhe pala tjetër, përkatësisht parlamenti serb.

Marrëveshjet e tilla e marrin karakterin ndërkombëtar vetëm kur ratifikohen nga të dyja palët, ka thënë Bajrami.

“Marrëveshja do të merr atribute të marrëveshjes ndërkombëtare nëse njëkohësisht do të nënshkruhet nga dy shtete sovrane e të pavarura. Deri më tani nuk kemi parë një gatishmëri që i njëjti proces që po zhvillohet në Kosovë të zhvillohet edhe në Serbi, kështu që kërkojmë një presion nga Bashkimi Evropian që edhe Serbia të ratifikoj marrëveshjen”, – është shprehur Bajrami.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse liderët e partive më të mëdha mund të ndërmarrin ndonjë veprim tjetër në lidhje me ratifikimin deri të enjten.

E në rast se vendoset përfundimisht të ketë ratifikim në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar të organizojë një demonstratë, siç e quan ajo, gjithë-popullore, në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje, të cilën e konsideron të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat e shtetit të Kosovës.

Marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, është arritur në kuadër të dialogut politik të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

 

 

 

 

Marrëveshja

 

“Marrëveshja do të marrë atribute të marrëveshjes ndërkombëtare, nëse njëkohësisht do të nënshkruhet nga dy shtete sovrane e të pavarura. Deri më tani nuk kemi parë një gatishmëri që i njëjti proces që po zhvillohet në Kosovë të zhvillohet edhe në Serbi, kështu që kërkojmë një presion nga Bashkimi Evropian që edhe Serbia të ratifikojë marrëveshjen”, – është shprehur Bajrami.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency