Procesi zgjedhor 2013 Policia dorëzoi pa asnjë incident qendrat e votimit në gjithë vendin

0
136

votimiSonja Caka

Riangazhim i uniformave blu, pas përfundimit të procesit të votimit, në shoqërimin e kutive drejt KQN-ve dhe më pas ruajtjen e këtyre qendrave

 

Uniformat blu të angazhuara në ruajtjen e qendrave të votimit kanë dorëzuar pas asnjë incident gjithë qendrat e votimit te komisionerët përkatës, me përjashtim të tetë qendrave në një komunë të Shkodrës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, ky proces ka kaluar pa asnjë problem dhe strukturat janë tërhequr pranë komisariateve përkatëse, derisa të mbyllet procesi i votimit dhe të nisin punën për shoqërimin e kutive të votimit drejt KQN-ve, përkatësisht komisioneve të numërimit. Sipas të njëjtave burimeve zyrtare policore, mëngjesin e djeshëm, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit, punonjësit e Policisë së Shtetit sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative janë larguar nga Qendrat e Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme, me përjashtim të 8 qendrave të votimit, të Komunës Shalë të Qarkut Shkodër, ku komisionarët nuk ishin paraqitur apo nuk kishin filluar veprimet për çeljen e procesit të votimit. Policia e Shtetit bën me dije se nga shërbimet e policisë u morën në ruajtje në të gjithë vendin 5509 Qendra Votimi në 89 KZAZ. Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit angazhoi gjithsej 6 200 punonjës policie. Nga shërbimet e policisë gjatë natës nuk janë evidentuar probleme që lidhen me përmbushjen e detyrave në kuadër të procesit zgjedhor. Krahas përmbushjes së detyrave në kuadër të procesit zgjedhor, strukturat policore gjatë natës së mbrëmshme kanë qenë totalisht të angazhuara për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe kanë kryer detyrat në përmbushje të misionit të Policisë së Shtetit. Dorëzimi i objekteve zgjedhore të marra në ruajtje është bërë konform rregullave të përcaktuara dhe punonjësit e policisë tashmë janë larguar nga Qendrat e Votimit dhe KZAZ-të e janë vendosur në ambientet e përcaktuara, (përjashto 8 qendrat e votimit të një komune në Shkodër). Gjatë gjithë kohës, lëvizja e punonjësve të policisë në zbatim të akteve normative do të bëhet me automjete me mbishkrimin “automjet i Policisë së Shtetit i angazhuar me detyra zgjedhore” dhe vendosja e forcave të policisë do të bëhet në Komisariate/Stacione Policie dhe në ambientet e përcaktuara, ku do të jetë i vendosur mbishkrimi “vendqëndrim i policisë për zgjedhjet”. Në çdo rast, ndërhyrja e forcave të policisë për rivendosjen e rregullit brenda Qendrës së Votimit, bëhet me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit. “Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për garantimin mbarëvajtjes së procesit zgjedhor” përfundon njoftimin zyrtar Policia e Shtetit.

Detaje

5509 Qendra Votimi në 89 KZAZ u morën në ruajtje në të gjithë vendin nga Policia e Shtetit

6 200 punonjës policie u angazhuan për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit

 

 

Durrës

Policia: Asnjë incident gjatë procesit të votimit në gjithëe qarkun

Policia e Durrësit bëri me dije se gjatë gjithë procesit të votimit nuk u shënua asnjë incident në këtë qark. “Të gjitha strukturat e ngritura në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor, janë në kryerje e sipër të detyrimeve të tyre ligjore” sqaron për mediat kreu i policisë në këtë qark. Sipas policisë që qytetit bregdetar, përsa i përket rendit dhe sigurisë publike, ky proces është zhvilluar normalisht dhe nga ana e Komisioneve të Qendrave të Votimit nuk janë paraqitur vendime për ndërhyrje për raste të prishjes së rendit apo cënim të sigurisë në Qendrat e Votimit. Ndërkohë, përsa i përket  gjendjes së rendit dhe sigurisë në territorin e Qarkut mund të themi se situata paraqitet normale dhe e qetë. “Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës dhe strukturat në vartësi të saj angazhohen dhe garantojnë për përmbushje të mëtejshme të detyrave ligjore duke vënë në dispozicion përkushtimin  dhe vepruar në çdo rast me paanësi” përfundon reagimin policia e Durrësit.

Gjykata

Në punë deri në mesditë, pas orës 13:00 nuk shqyrtohet asnjë kërkesë për leje për votim

Të gjitha gjykata në vend kanë qëndruar të hapura deri në orën 13:00 të ditës së djeshme dhe pas asaj ore, nuk është dhënë asnjë vendim me objekt për leje për votim. Të gjithë gjyqtarët e angazhuar kanë qëndruar deri në këtë orë për të shqyrtuar kërkesat për lejim votimi të paraqitura, të depozituara pranë gjykatave brenda afatit ligjor, përkatësisht 24 orë para datës së zgjedhjeve që përkon me ditën e premte ora 24.00 ( Neni 57/1 i Kodit Zgjedhor). Në qoftë se kërkesat për lejim votimi nuk janë paraqitur nga qytetarët brenda datës 21 qershor ora 24.00, nuk mund të paraqiten dhe të regjistrohen kërkesa të tjera tej këtij afati.

Procesi

Përfundon votimi në burgje, votuan rreth 5 mijë të dënuar

Nuk janë përjashtuar nga e drejta e votës, madje u është bërë gjithçka e mundur për ta hedhur atë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u mundësoi të dënuarve apo të paraburgosurve që nuk kishin karta identiteti të pajiseshin gjatë muajit prill me to, ndërsa personave që nuk gjenin emrin në listat e votimit të regjistroheshin me vendim gjykate. Dhe, gjatë gjithë ditës së djeshme, të gjithë të dënuarit apo të paraburgosurit e kanë ushtruar të drejtën e votës, të paktën rreth 5 mijë të dënuar në 19 qendra votimi, ndërsa disa të dënuar pranë qendrave më të afërta të familjeve të tyre. Por, 30 të dënuar janë përjashtuar nga e drejta e hedhjes së votës për shkak të mungesës së kartës së identitetit. Procesi ka qenë i qetë dhe pas asnjë problem, ndërsa më herët të dënuarit ishin trajnuar nga KQZ për të mësuar sesi duhej të votonin.

Tiranë

KZAZ 34, një familje e ngujuar shoqërohet nga policia për të votuar

Një familje e ngujuar është shoqëruar nga Policia e Shtetit me një furgon policie për të ushtruar të drejtën e votës. Familja ka votuar në një qendër votimi pranë pallatit me shigjeta në Njësinë Bashkiake nr.5, që ka si KZAZ atë me nr.36. Policia e Shtetit ku ka dhënë mundësinë të gjithë personave të ngujuar, të cilët kanë shprehur dëshirën për të votuar, që t’ua sigurojë atyre këtë gjë, duke i shoqëruar me furgona policie. Të gjithë të ngujuarave u është dhënë siguri se nuk do të preken dhe do të kenë mbrojtje absolute gjate shoqërimit në këtë proces dhe kështu ka ndodhur. Një prej rasteve ka qenë ai i familjes së ardhur për të votuar në Njësinë Bashkiake nr.5.   

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency