Fondacioni amerikano-shqiptar Rezultati në rang kombëtar PD 42 %, PS 40 %

0
155

Ina Jano

berishaMarzhi i gabimit +/-1.2 për qind, 7266 intervista në gjithë vendin

 

Pak minuta pas mbylljes së orarit zyrtar të qendrave të votimit exit pollet e para i dhanë fitoren Partisë Demokratike. Ishte pikërisht Fondacioni Civitas në bashkëpunim me kompaninë amerikane te sondazheve, Anzalone Liszt Grove Research, e cila ka kryer sondazhe për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2008 dhe 2012, me asistencën e drejtpërdrejtë të një prej ortakëve të kësaj kompanie, Jeffrey Liszt, të cilët i dhanë 42 për qind të votave në rang kombëtar demokratëve, ndërsa 40 për qind Partisë Socialiste, më një diferencë prej 1.2 për qindësh në rang vendi. Ndërkohë, si koalicione, Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim e udhëhequr nga Sali Berisha, ka fituar 48 për qind, dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane e drejtuar nga Edi Rama ka fituar 46 për qind, referuar po të njëjtit raport. Endrit Reka dhe Jeffrey Liszt thanë se shkalla e gabimit është jo më shumë se 2 për qind, ndërsa në këtë drejtim ky është një prej sondazheve me shkallën e përqindjes më të ulët të marzhit të gabimit. Për të nxjerë rezultatet e mësipërme janë realizuar 7266 intervista në të gjithë vendin, duke e plotësuar edhe më tepër këtë sondazh. Fondacioni Civitas dhe Anzalone Liszt Grove Research, sipas drejtuesve, ka kryer me mijëra intervista të shpërndara në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Civitas Albania ka realizuar Exit Poll-in me Anzalone Liszt Research (ALR), një firmë e specializuar në hulumtime. ALR operon në hulumtime prej 20 vitesh dhe ka kryer exit poll-e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke anketuar në 9 shtete për zgjedhjet e vitit 2008 dhe më pas për zgjedhjet e vitit 2012.

Ndarja e mandateve

Pas rezultatit të përgjithshëm në rang vendi, fondacioni shqiptaro-amerikan publikoi edhe shpërndarjen e mandateve për qarqet e vendit. Në fakt përplasja më e madhe pikërisht në kryeqytet, duket se u sipas exit pollit në fjalë do të ndahet në paqe, pasi nga 32 mandate që prodhohen, ato janë të ndara përkatësisht 16 deputetë për demokratët dhe 16 për socialistët. Ndërsa ajo që vihet re është mungesa e një mandati i forcave të tjera politike, qoftë edhe i LSI-së, PDIU-së apo edhe FRD-së. Një prej qarqeve më të mëdha të vendit, ai i Durrësit, ka një shpërndarje 8 mandate për Partinë Demokratike dhe 5 për atë socialiste, duke hequr përsëri këtu deputetin e LSI-së që me ndarjen e 2009 ka qenë zoti Lefter Koka. Ndërsa ende nuk përfshihet në listë edhe kandidati i PR-së, tepër i favorizuar gjatë gjithë fushatës. Sipas exit pollit edhe Elbasani është një nga qarqet që do të ndahet në paqe, pasi rezultati i 2009, mbetet i pandryshueshëm, 7 mandate për secilën nga partitë e mëdha. 7 deputetë për PD-së dhe 9 PS-në është ndarja për qarkun e Fierit. Një rezultat 5 me 2 në favor të demokratëve jep fondacioni amerikano-shqiptar për qarkun e Lezhës. Shpërndarja e mandateve në Berat, kap shifrat 3 deputetë për demokratët dhe 5 për socialistët. Sipas ALR edhe qarku më i madh i juglindjes ai i Korçës, ka një shpërndarje të barabartë të mandateve 6 për të majtët dhe 6 për të djathtët. Gjirokastra fiksohet në shifrat 2 për PD-së dhe 3 për PS-në, ndërsa Dibra 4 -2 për të djathtët. Edhe qarku i Shkodrës nuk ka ndryshim nga 2009, duke mbetur në shifrat 7 deputetë për demokratët dhe 4 për selinë rozë.

 

 

7266 intervista në gjithë vendin

+/- 1.2 % marzhi i gabimit

 

 

PD  PS

Durrës 8 – 5

Elbasan 7 – 7

Fier 7 – 9

Tiranë 16 – 16

Lezha 5 – 2

Berat 3 – 5

Shkodër 7 – 4

Korçë 6- 6

Vlora 5 – 7

Gjirokastër 2 – 3

Dibër  4 – 2

 

Berisha: Ta shndërrojmë në ditë feste

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, iu drejtua qendrës së votimit në “Liceun Artistik” rreth orës 09:44. Pasi hodhi fletën në kutinë e votimit, ai u ndal përpara gazetarëve, duke u bërë thirrje qytetarëve që të demonstrojnë në këto votime vlerat e tyre qytetare. Kryeministri u bëri apel të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të PD-së që të bëjnë gjithçka për ta shndërruar këtë ditë në festë dhe në ditë mirëkuptimi. Lideri i PD-së ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës, duke i siguruar ata se çdo votë do të respektohet plotësisht. “Votova 44, preka fatin. Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime, të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. Të votojnë për alternativën që gjykojnë më të mirë. I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht. Këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë, për mirëqenien e tyre, për integrimin, punësimin. Falenderoj me mirënjohjen më të thellë emigrantët shqiptarë që kanë ardhur nga të katër anët e botës, për të votuar për Shqipërinë e katër viteve që vijnë”,- deklaroi Berisha.

Basha: Shpirti festiv të mbizotërojë

Rreth orës 10:00 ka votuar në qendrën e votimit të ngritur tek çerdhja nr.13 në kryeqytet edhe kryebashkiaku, Lulzim Basha. Pasi ka hedhur votën, Basha i ka bërë apel qytetarëve të Tiranës të votojnë pasivisht e në mënyrë civile. “Falenderoj qytetarët e Tiranës për kontributin dhe mënyrën si e përcollën këtë fushatë. Uroj që procesi zgjedhor të vazhdojë me të njëjtin shpirt festiv e civil dhe që qytetarët të marrin pjesë masivisht në të, që të vazhdohet me vepra të mira”,-  tha Basha.

Topalli: Vota ime për mirëqënien e qytetarëve

Kryetarja e Parlamentit dhe nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, votoi dje rreth orës 10.00 në qytetin e Shkodrës. Ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme, e shoqëruar nga familja e saj, bashkëshorti së bashku me dy fëmijët, ajo votoi në qendrën e votimit numër 306/1 me vendndodhje pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. “Unë sapo kam votuar numrin 44 me emrin e Sali Berishës, votova për mirëqenien e Shqipërisë, votova për një Shqipëri europiane, votova për një Shqipëri të sigurt dhe me punësim sa më të lartë. Jam e sigurt se qytetarët e Shkodrës, por edhe të gjithë banorët e këtij qarku dhe çdo shqiptar do të dinë të marrin vendimin më të mirë për një Shqipëri të zhvilluar në këtë ditë të rëndësishme”, – u shpreh Topalli, në prononcimin e saj për mediat pas përfundimit të procesit të votimit.

 

Rama: Vendosim fatin e një gjenerate

Në orën 13.40 minuta lideri i  PS-së i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda dhe djali Gregori, votoi në shkollën “Pjetër Budi”, në kryeqytet. Kryesocialisti Rama u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë në votime, pasi siç tha ai, në pak minuta vendoset fati i një gjeneratë. “Apeli im është pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Në pak minuta vendoset fati i një gjenerate. Ju lutem të gjithëve, s’ka asgjë më të rëndësishme sot për të bërë, si qytetarë si familjare, se sa tek qendra e votimit për të marrë fletën e votimit dhe për të shprehur vullnetin me votë. Secili sot është populli në veprim. Pjesëmarrja është shprehja më kuptimplotë dhe më e thjeshtë e popullit në veprim. Askush sot të mos rrijë pa votuar,”- u shpreh Rama.

Meta: Ndëshkim me votë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka votuar dje rreth orës 13;30 në njësinë 5 në kopshtin numër 31 tek ish-blloku. Menjëherë pas votimit, kreu i LSI-së ka veshur me përgjegjësi për incidentin e rëndë të Laçit, qeverinë Berisha. Sipas kreut të LSI-së, ora e ndëshkimit me votë ka ardhur tashmë për të. “Është përgjegjësi e PD ngjarja e Laçit, e banditëve të saj që do e marrin përgjigjen me votë. Shqiptarët janë të vendosur sot më shumë se kurrë për t’i thënë po demokracisë, pro Europës jo për tu kthyer tek 96 e Berishës. Ai nuk diti të largohej me dinjitet duke respektuar votën e lirë, tani erdhi ora e ndëshkimit me votën e gjithë shqiptarëve nga Saranda në Tropojë”, – vijoi ai.

 

Nishani: 23 qershori dita e qytetarëve

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani hodhi votën e tij në qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Çajupi”, shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë. Kreu i shtetit theksoi se kjo ditë u takon tërësisht qytetarëve. Presidenti përsëriti apelin e tij për ushtrimin e të drejtës së votës, duke shprehur bindjen se shqiptarët do të tregojnë maturi, qetësi e përgjegjësi civile në këtë proces. “Dëshiroj një mbarësi për të gjithë procesin. Sot është një ditë e rëndësishme, është dita tërësisht e qytetarëve. Jam i bindur që shqiptarët do të tregojnë maturi, përgjegjësi civile duke marrë pjesë në votime, duke respektuar rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore. Duke respektuar rendin, veçanërisht në qendrat e votimit. U drejtoj një apel të gjithë qytetarëve të vendit, partitë dhe ideologjitë që votojmë janë të ndryshme, por Shqipëria për të cilën votojmë është vetëm një. Zgjedhjet zhvillohen për të nxjerrë një qeverisje që do të kujdeset për jetën e qytetarit”,- deklaroi Nishani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency