Sot është dita e numrit 44, numrit të mundësive

0
150

Haris Vongli

44Sot është dita e numrit 44, numrit të mundësive. Ky është një mesazh që vjen nga domethënia e shtegut të jetës, nga numri 44. Numri i alkimistit, i cili thotë se magjia mund të krijohet përreth jush dhe të tjerëve, sepse mundësitë vijnë në rrugën tonë nga blu-ja. Dhe kjo nuk është e rastësishme. Duket se magjia e universit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë numrin 44. Sot është dita e votës dhe vota e secilit prej nesh ka rëndësinë që i shkon për shtat një vendi, të cilit i duhet të bëjë rrugën e zhvillimit për të pasur sukses nesër. Dhe pa asnjë dyshim që duhet të zgjedhim alternativën e numrit të mundësive, numrit 44.

Nuk ka përse të jesh pjesë e strukturave të një partie për të kuptuar se në vendin tonë të shtrenjtë, realiteti nuk është më ai që pati qenë dikur. Është matematikë e pastër. Nga çdo ditë e kësaj fushate elektorale unë di ca fakte, fakte që çdo shqiptar i sheh dhe prek për çdo ditë, ashtu si dhe unë. Fakte që janë zhvillim. Fakte që na tregojnë begati. Në këtë vendin tonë të vogël, në këtë vend që ka bërë rrugë të gjatë e të bukur për të arritur në ditët e sotme, ne kemi më shumë se 10.000 km rrugë të ndërtuara dhe rikonstruktuara. Ecim së bashku, pa ndasi partiake, në rrugët e zhvillimit, rrugët që na kanë sjellë afër njëri-tjetrit më shumë se kurrë. Kemi mbi 1.300 shkolla të reja dhe të rindërtuara. Këto janë pa dyshim shkolla më të mira, me klasa me nxënës që e duan dijen, mësues që i mësojnë fëmijët tanë me përkushtim, përgjegjshmëri dhe dashuri. Në gjithë Shqipërinë numri i qendrave shëndetësore dhe spitaleve ka arritur në mbi 400. Sot ne përfitojmë shërbim më të mirë shëndetësor, sepse nëse dimë të krahasojmë apo të bëjmë një analizë të së shkuarës, do të arrijmë pikërisht në konstatimet e lartpërmendura. Unë këtu, si një qytetare e këtij vendi, po rendit arritjet e deritanishme. Shqipëria qeveriset nga Partia Demokratike dhe Kryeministri Berisha, njeri aq shpirtëror, vizionar dhe i përkushtuar për t’i shërbyer këtij vendi. Ai vërtet nuk ka një moshë të re, por ka një energji të pashoqe, një energji që buron nga thellë shpirtit të tij luftarak dhe mendjes së tij inteligjente, nga një buzëqeshje aq e çiltër dhe njerëzore. Si e shoh unë Berishën? Liderin me një energji madhështore që mban gjallë një ekip, një qytet, një shtet të tërë. Mjafton të dëgjosh një fjalim të tij dhe e kupton se si ngrihet peshë një popull i tërë. Peshë nga entuziazmi dhe besimi; nga energjia pozitive aq e patepruar që përçohet tek secili nga ne. Si e shoh unë Sali Berishën? Liderin që ka punuar për Shqipërinë. Figurën e një lidershipi të vërtetë që mbart forcë, shpresë, premtime të mbajtura. Ajo mbart optimizëm, modesti, gëzim, sepse figura e një lidershipi të vërtetë është pasqyra e një pune reale, frytet e së cilës vihen re ditë pas dite. Partia Demokratike dhe lidershipi i saj ka adoptuar taksa të ulëta për çdo biznes që të zgjerohet dhe zhvillohet. Liderin që ka hapur mbi 200.000 vende të reja pune. Drejtuesin që na anëtarësoi në NATO dhe bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Evropë. Me liberalizimin e vizave u hapën rrugët e mëdha të Evropës. Ne përqafuam të dashurit tanë pa asnjë pengesë, pa asnjë radhë nëpër ambasada, pa atë mallin mbytës që na kaplonte sa herë donim të ishim pranë të shtrenjtëve tanë dhe nuk mundeshim dot. Dhe s’do mend që këto janë fakte, janë numra. Këto nuk janë barcaleta kafenesh dhe as nuk meritojnë të hidhen poshtë.

Pas 23 vitesh Tirana ka planin e saj urbanistik, vërtetësi që nuk u bë realitet kurrë nga Edi Rama. Dhe sa herë sheh këtë të fundit të flasë diku, mes njerëzish apo në televizor, veshi kumbon tek të mbysin fyerjet dhe ofendimet për të rinjtë dhe të rejat, mësues dhe doktorë, rrugë dhe shkolla, bindje dhe ideale, arritje dhe premtime. Në zërin dhe mesazhin e Ramës mbizotëron pesimizmi, mungesa e të vërtetave, sloganet boshe, batutat e panumërta, cinizmi, as plane konkrete dhe as zgjidhje specifike. Kjo ndjesi proteste dhe pakënaqësie sa vjen dhe shtohet deri sa nuk i dihet fundi. Dhe për më tepër nuk ndjell ogur të mirë. Tek ta mungon energjia, mungon entuziazmi, mungon e reja, mungon fryma e mbarësisë dhe e pozitivitetit. Madje, edhe takimet me qytetarët apo xhirot me autobus dhe gjithçka tjetër si pjesë e fushatës elektorale të kryetarit të PS-së dhe parisë së tij, se partia është mbërthyer nga kthetrat e errësirës, duket se është e stisur, si stisja e bashkimit me LSI-në. Absolutisht mungesë koherence ky bashkim. Shoh Berishën solar me qytetarin dhe nga ana tjetër shoh Ramën tek merr nëpër këmbë këdo që i del përpara, qoftë koleg apo individ i thjeshtë. Shoh tek paria e Ramës një kult interesi. Shoh miqtë e tij të ngushtë që nga biznesmenë bëhen kryesorë të një partie që ka pasur politikanë të vërtetë, politikanë që janë dëbuar pa asnjë arsye, sepse thjesht kanë ngritur zërin kundër drejtuesit të tyre të ngurtë e shumë herë të egër. Thirrjet dhe çjerrjet e Ramës nuk vijnë origjinale dhe nuk përçojnë asnjë mesazh veç humbëtirës. Kjo më frikëson, se unë si shumë të rinj të tjerë, kemi nevojë për diçka frymëzuese, për shpresë. Kemi nevojë për dritë dhe thjeshtësi, për më shumë dashuri dhe përgjegjësi. Kemi nevojë për një mesazh modestie që thotë se ne së bashku kemi arritur shumë, por e dimë se kemi ende shumë për të bërë.

Duket sikur populli ynë tërhiqet nga batutat e barcaletat apo nga fjalët boshe që në sipërfaqe duken të bukura. Ama po qeverisën ato fjalë, frika e madhe është kthimi pas në kohë, se përbërja e batutave dhe fyerjeve është e beftë dhe boshe. Nuk tregon asgjë për të ardhmen e vendit tonë, nuk tregon asgjë për të cilën populli ynë ka nevojë. Sidoqoftë, jam e sigurtë që këta shqiptarë, nëse e duan sadopak vendin e tyre, të cilët mund të tërhiqen për një çast nga fjalët e kryetarit të partisë që ata besojnë, thellë-thellë e dinë të vërtetën, thellë-thellë duhet ta ndjejnë frikën e pasojave të zgjedhjes së tyre. Le të mos tërhiqemi nga filozofitë e frymës negative. Le të mos qeshin më shumë se pak sekonda me ato që thotë Rama kur ulet përballë popullit të tij. Le të mos harrojmë atë çka është në gjendje të bëjë kryetari i sloganeve boshe dhe premtimeve që vetëm premtime s’janë. Le të jemi racionalë, pavarësisht se secili nga ne ka bindjet e tij politike, disa prej të cilëve i shprehin bindjet e disa jo. Në fund të ditës siguria ime e madhe, e një vajze të re të edukuar në Perëndim, e rritur me dashuri e njerëz të mirë përqark, qofshin ata familjarë apo miq, me ide të bukura dhe ëndrra plot, me dashuri për punën dhe vlerësim për këdo më mëson diçka të vlerë për jetën, është se nuk duhet shumë për të kuptuar dy alternativat që udhëheqin përditshmërinë e jetë sonë politike.

Sot rrugicat e humbura, me gropa dhe errësirë, kanë marrë pamjen e lagjeve të këndshme, të pastra dhe me dritë. I shoh njerëzit të duan atë çfarë kanë më shumë. I shoh njerëzit me shpresë, të motivuar dhe të sigurtë për zgjedhjen që do të bëjnë sot. Numri 44 është numri i besimit, i nderit, individualitetit dhe inspirimit. Është numri i ekspresivitetit, mundësive dhe vizionit; i detyrës, pritshmërive dhe bashkimit. Numri 44 është numri i shpresës, numri i zhvillimit, me mendje dhe shpirt, numri i së ardhmes. Dhe unë, një qytetare e Shqipërisë, ashtu si shumë të tjerë me të cilët punoj çdo ditë, me ideale dhe vendosmëri për më të mirën e përbashkët, e kuptojmë fare mirë që ne kemi nevojë për të ecur përpara. Kemi nevojë për interesa të përbashkëta, për respekt të përbashkët, për harmoni në të katër anët e Shqipërisë. Ne kemi nevojë për të vërtetat, për fitoren. Na duhet pak vullnet për të hapur mendjen dhe shpirtin, për të parë sa më nga afër të ardhmen që na pret, sepse bota ka bërë përpara dhe përpara duhet të bëjmë edhe ne.

Sot është dita e numrit 44, numrit të mundësive.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency