Pse Shqipëria nuk duhet të votojë koalicionin e majtë

0
142

votaAgim Popoci

 

Ulje taksash, çmim më të ulët të dritave dhe ujit, artikuj ushqimorë të shportës pa taksa, shëndetësi pa lekë, administratë apolitike, reformë në gjyqësor, kthim të pronës, dëmshpërblimin e të përndjekurve, legalizime, ruajtje të trashëgimisë kulturore etj. Këto premtime e majta shqiptare i sjell më 2013, pas tetë vjetësh në opozitë, duke u quajtur politikë e re, duke proklamuar shkëputjen nga PPSH, por duke mos u shkëputur edhe nga shitja e demagogjisë, siç e kishin bërë shumë kohë më parë edhe baballarët e tyre. Dhe, nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm për premtime. Këto janë të gjitha ato që kanë shkatërruar për plot 53 vjet komunistët shqiptarë, që u mundua dhe filloi t’i rikthente në jetë e djathta shqiptare dhe që rrezikohen sërish nga e majta shqiptare. Pse?!

 

PPSH vs PSSH

 

PPSH dhe PSSH, këto janë sigla të partisë që tek shqiptarët shkaktojnë gjendje ankthi, rikujtojnë varfërinë, etjen, terrin dhe Shqipërinë e izoluar që vëllezër kanë kinezët dhe miq kosovarët.

45 vjet si PPSH, u pasuruan duke përfunduar me një Shqipëri që kishte vetëm edhe disa ditë bukë, burgje përplot me të përndjekur politikë dhe llogari të huaja bankare të kupolës komuniste. Duke marrë model të majtën evropiane që kishte filluar reformat pas rënies së Murit të Berlinit, e majta shqiptare fillimisht e nisi aktivitetin nën siglën PSSH si socialistë, për t’u revolucionarizuar më pas në jetën politike shqiptare, me shumë njerëz të saj nën sigla të ndryshme, dhe me të vetmin qëllim, si në vitin 1945, marrjen e pushtetit. Agresiviteti i së majtës, tashmë në Shqipërinë pluraliste dhe të hapur me botën, nuk do të gjejë terren tek elektorati shqiptar, i cili nëse asgjë tjetër, para syve kishte siglën PSSH, ndërsa nëpër tribunat e partisë qëndronin po ata njerëz që lemerisën dynjanë shqiptare.

Dhe derisa shtetet e tjera të bllokut komunist vazhduan rrugën e tyre të tranzicionit shumë të vështirë për ta rindërtuar vendin, komunistët shqiptarë, ashtu sikurse në vitin 1945, u rikthyen në pushtet me luftë dhe dhunë, duke shkatërruar vendin, ndërsa u premtuan qytetarëve të Shqipërisë një jetë më të mirë. U rikthyen në pushtet në vitin e turpshëm 1997 dhe pas tetë vjetësh sërish ikën kokulur me arkën e shtetit bosh, pa ujë, pa drita, të izoluar dhe me vetëm një premtim të mbajtur: jetë më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë, pavarësisht se që të gjithë këta qytetarë ishin në kupolën PSSH-s. Dëshmitë ishin të frikshme, dhe ato u dëgjuan në KPD-në e kësaj partie, ku një deputet socialist blihej nga një lavatriçe deri në miliona euro, si në kohën e Finos, Majkos, Metës apo Nanos. Godita ishte e fortë për të gjithë ata që nuk njihnin dhe nuk pranonin rrugë tjetër përveç se të kuqes, por tashmë ishte e qartë, pse PSSH “bleu” dhe shkatërroi zgjedhjet më 2001, pse nuk u bë dot Rruga e Kombit, pse jetuam tetë vjet pa drita, pse Shqipëria nuk kishte ujë dhe pse pushteti duhej të kalonte në duart e koalicionit të djathtë. Kështu, atë që shumë vite më parë e kishte thënë kryetari i Bashkisë së Këlnit dhe Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Konrad Adenauer, PSSH e dëshmon në vepër: “E vetmja gjë që socialistët kuptojnë nga paraja është se duan ato të tjerëve”.

 

Politika e re

 

Humbja socialiste në vitin 2005 nuk ishte thjeshtë humbje e qeverisë socialiste, por humbje e gjithë partisë së strukturuar komuniste, e cila shumë shpejt do të kalojë tek pasardhësit e gjakut të ngushtë të kupolës komuniste duke mos tradhtuar kauzën: “Duan paratë e tjerëve”.

Për rikthimin e radhës në pushtet do të përzgjidhet Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili për një kohë shumë të shkurtër transformim të PSSH-së do ta quajë “shkelmin” që ai u dha ca morrave komunistë, që nuk kishte ilaç që do t’i largonte nga kjo seli kriminale. U pagëzua politika e re dhe ajo nga e cila hoqën dorë ishte lideri i tyre historik Enver Hoxha, ndërsa “paraja” ishte dhe ngeli kauza e parë.

Vërtet u dëgjuan deklarata të forta mbi diktatorin Hoxha ama selia e PSSH nuk ndryshoi qoftë edhe me një mbiemër. Aty sërish ishin Gjoni, Bushati, Klosi, Rama, Blushi, Braho, Ruçi dhe të ngjashëm, duart e të cilëve vazhdonin të mbanin erë gjaku. Kështu, si politikë e re, gjithë bijtë dhe bijat e kriminelëve komunist do të vazhdojnë aktivitetin e tyre për tu kthyer në pushtet si parti socialiste por edhe si partia më e pasur në vend.

Nga ana tjetër, për shumë pak muaj qeverisje nga e djathta, shqiptarët do të kuptojnë se cila ishte dora e qeverisë socialiste; ku vajtën gjithë ato taksa dhe pse ishin aq të larta; si në Shqipëri mund të jetohet edhe me drita e ujë; si hapet një biznes për 24 orë; si bëhet Rrruga e Kombit edhe pa taksën Majko; si lëvizet nëpër Evropë edhe pa viza dhe si ky vend ish-komunist bëhet edhe anëtar i NATO-s.

Gjithë ky rezultat do të jetë një shok i madh për pinjollët e Byrosë Politike të cilët do të humbin shansin për mandatin e rradhës qeverisës, duke mos e kuptuar se kjo politikë e re me lojtarët e vjetër, po përgatitë edhe humbjen e rradhës në kryeqytet, aty ku e majta po qeveriste në vitin e saj të dymbëdhjetë. Dhe jo vetëm kaq. Politika e re filloi edhe revolucionin e ri, nuk pranoj zgjedhjet e vitit 2009, duke akuzuar edhe komisionerët e vet si hajdut. Që një komunist është edhe hajdut, kjo nuk është ndonjë risi, por pretendimi i fitores edhe aty ku baballarët e politikës së re kishin masakruar popullsinë, ishte edhe një çmenduri që nuk e mbanë dot toka. Por kjo humbje shumë shpejtë do të harrohet, sepse kryesocialisti do të humbas edhe në kryeqytetin e ideuar nga porta e lartë komuniste shqiptare; aty ku që nga vitet e para të diktaturës, shpërndarja dhe rishpërndarja e oficerëve, sigurimsave, policëve, tatimorëve, rusëve, serbëve dhe kinezëve ishte bërë me një kujdes maksimal, deri në grahmat e saj, kur shqiptarët me stomak bosh dhe Ramiz Alia pa lekë, hoqën dorë nga maskarada enveriste.

Edhe në kryeqytet ndodhi çudia. Tiranës iu kthye sheshi “Skënderbej” ashtu si edhe furnizimi me ujë, qytetarët u bën me hipoteka, pallatet me leje, rrugët me kanalizime dhe asfalt, kryqëzimet me semafor dhe policia bashkiake filloi ti shërbej bashkisë.

 

“Nëse Hëna bëhet djathë”

 

Derisa e djathta vazhdon punën si në qeverisjen qendrore ashtu edhe kryeqytet, dhe qytetarët ti gëzojnë fytet e kësaj pune, Edi Rama me të majtën shqiptare filluan betejën e radhës. Por tani më të mobilizuar, më demagogë, më të ashpër dhe më kërcënues.

Pavarësisht se shqiptarët që kanë përballë janë ata që nga 100 vjet të shtetit shqiptar, jetuan plot 53 vite të egra socialiste, ata nga e majta shqiptare dëgjojnë se në rast të fitores së PSSH, taksat do të ulen, nga po ai kryebashkiak që shënoi rekordin me taksat në Tiranë. Thonë se do të ulin çmimin e dritave dhe ujit, ata të cilët për 53 vjet nuk arritën as ta furnizonin qytetarin shqiptar si me drita ashtu edhe me ujë. Nuk reshtin së foluri për uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë të shportës, atyre artikujve që munguan në raftet e dyqaneve shqiptare si në fund të qeverisjes komuniste ashtu edhe asaj socialiste. Shëndetësi pa lekë premton e majta, kjo e majtë shqiptare që shkatërroi gjithçka që quhet shëndetësi dhe ka të bëjë me reforma. Administratë apolitike premtojnë socialistët shqiptarë, ata që trashëguan administratën më të rregullt nga Mbreti Zog, i vunë flakën më 1945 për interesat e tyre personale, për ta përsëritur këtë vepër makabër edhe në vitin 1997, atëherë kur e kuptuan se ndryshe nuk kthehen në pushtet. Dhe, në të dyja rastet e flakëvënies, pasuan policët, prokurorët dhe gjykatat sipas standardit komunist; ndërkohë sot premtojnë reforma në gjyqësor. Prona do tu kthehet shqiptarëve, premtojnë socialistët, edhe pse ende nuk kanë sqaruar pse dhe si e morën këtë pronë. Dëmshpërblim për të përndjekurit, thotë PSSH, për ata që etërit e tyre nuk arritën t’i vrasin, ndërsa aleatët e saj të majtë hedhin një ide edhe më gjeniale pas këtyre reformave në gjyqësor: do të rishikojnë vendimet gjyqësore. Dhe, në fund pa fije turpi flasin edhe për trashëgiminë kulturore, atë trashëgimi të cilën, për ta ruajtur nga ndërtimet dhe betoni, nuk është se e shkatërruan, por thjeshtë e shitën. Jo për t’iu shërbyer sot në realizimin e këtyre premtimeve, por për të mbajtur gjallë ëndrrën komuniste deri në fitore, sepse këtë radhë jo vetëm që nuk do ta pranojnë humbjen, por ajo sipas kryesocialistit Rama, nuk do të ndodhë, “vetëm nëse Hëna bëhet djathë”.

Duke uruar që ky kërcënim i kryesocialistit, kësaj radhe të mbetet demagogji, meqë Hëna nuk bëhet djathë, por as këto premtime nuk kanë se si realizohen nga një dorë e majtë boshe që nuk ka as çmimin e faturës së këtyre premtimeve, arsyen pse nuk duhet votuar koalicioni i majtë më së miri e sqaron politikani i njohur amerikan dhe Guvernatori i 51-të i Virxhinias, Xhon Garland Pollard: “Komunisti është ai që nuk ka asgjë, por që është gati ta ndajë me të tjerët”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency