Tirana dhe Morina nuk gjejnë gjuhën e përbashkët Morina ka qenë i vendosur për të mos bërë prapakthehu, pavarësisht nga premtimet për shlyerjen e detyrimeve financiare

0
96

Altin Vorpsi

tiranaAshtu siç pritej, seanca e pajtimit mes klubit të Tiranës dhe sulmuesit Mario Morina u mbyll pa sukses. 20-vjeçari nuk pranoi të rikthehej te klubi mëmë, që i detyrohet dy rroga të prapambetura të sezonit që lamë pas.

 

Takimi

Gjithçka u mbajt në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ishte i pranishëm përfaqësuesi juridik i Tiranës, lojtari dhe avokati tij. Pas këtij takimi u mor vesh se asgjë nuk kishte ndodhur, pasi qëndrimet e palëve nuk afroheshin në asnjë pikë.

 

Të vendosur

Morina ka qenë i vendosur për të mos bërë prapakthehu, pavarësisht nga premtimet për shlyerjen e detyrimeve financiare. Nga ana tjetër, Tirana jo vetëm që nuk pranon ta lërë të lirë futbollistin, por ka vendosur që ta ndëshkojë për thyerje të disiplinës së klubit. Që këtu fillon edhe strategjia e Tiranës që rrogat të cilat ia ka borxh lojtarit kërkon t’ia kthejë në gjoba, kështu do të “shlyhej” me të dhe të riniste gjithçka nga e para këtë muaj. Në mungesë të një akordi mes palëve kjo çështje i kalon Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, që pritet të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar edhe problematika të tjera të futbollit shqiptar.

 

Arratia

Mario Morina arriti pak ditë më parë një marrëveshje me Skënderbeun, skuadrën kampione të Shqipërisë, madje zhvilloi edhe një seancë stërvitore në Korçë, para se skuadra të udhëtonte drejt Austrisë për fazën përgatitore. Mirëpo reagimi i menjëhershëm i Tiranës e detyroi që të ndërpriste stërvitjen me formacionin e Mirel Josës, për t’iu drejtuar institucionit të futbollit për zgjidhjen e kontratës. Pas Morinës, të tjerë ish-futbollistë të Tiranës pritet t’i drejtohen FSHF-së për rrogat e prapambetura.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency