Standard.al

Partizani prezanton blerjet e para Skuadra “e kuqe” prezantoi ditën e djeshme dy lojtarët e rinj, që do ta ndihmojnë shumë në repartin e prapavijës

Altin Vorpsi

partizaniBesnik Krasniqi dhe Labinot Ibrahimi janë dy përforcimet më të reja të Partizanit. Skuadra “e kuqe” prezantoi ditën e djeshme dy lojtarët e rinj që do ta ndihmojnë shumë në repartin e prapavijës. Sipas drejtuesve të klubit, dy të rinjtë janë vetëm fillimi…  

 

Përforcimet

Prej kohësh skuadra e Partizanit ka filluar që të mendojë për merkaton. Madje, drejtuesit e skuadrës “së kuqe” kanë menduar mirë që të hedhin sytë në tregun kosovar. Gati një muaj më para disa përfaqësues të ekipit patën udhëtuar drejt Kosovës dhe patën ndjekur disa lojtarë.

 

Të rinjtë

Krasniqi është 22-vjeçar dhe luan në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ai është një lojtar mjaft i shkathët, çka i lejon që të marrë krahun alla-Dani Alvezh. Një nga karakteristikat e tij kryesore janë daljet nga krahët. Ndërkohë, edhe Labinot Ibrahimi është një mbrojtës solid. 25-vjeçari është njëri prej lojtarëve më të qëndrueshëm tek Prishtina.

 

 

Reagimi për gjyqin me Duron

Ka reaguar menjëherë klubi i futbollit Partizani pas një lajmi të publikuar në një të përditshme sportive, sipas së cilës trajneri Shpëtim Duro ka hedhur në gjyq të kuqtë për mosshlyerjen e detyrimeve financiare. Nëpërmjet një deklarate zyrtare për shtyp, Klubi i Futbollit Partizani sqaron se ky informacion është i rremë, pasi Shpëtim Duro dhe Partizani janë në mirëkuptim të plotë mes tyre dhe se kjo çështje nuk do të shkojë në gjykatë. Në këtë deklaratë u kërkohet mediave që të veprojnë në mënyrë sa më profesionale, për të mos dëmtuar imazhin e Partizanit në këtë moment delikat, teksa synohet ndërtimi i një skuadre dinjitoze për sezonin e ardhshëm.

 

 

 

Merkato

Ferati i bashkohet Bashës tek Sioni

Mbrojtësi kosovar Beg Ferati ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në klubin zviceran, Sion.

Kosovari, i cili në sezonin që lamë pas ishte pjesë e Winterthur-it, ka firmosur kontratë trevjeçare me Sionin. Klubi zviceran përmes faqes zyrtar ka konfirmuar marrëveshjen e arritur me Feratin.

“FC Sion priti 26-vjeçarin, Beg Ferati, i cili nënshkroi kontratë me klubin për tre sezonet e ardhshme. Lojtari ka mbërritur në Krans-Montana në hotelin ku po qëndron ekipi i Mishel Decastel për përgatitjet për sezonin e ri”, – është thënë në uebfaqen zyrtare të FC Sionit. Kujtojmë se më parë Ferati ka luajtur tek klubi gjerman Freiburg si dhe në Basel. Ferati në Sion do të gjej edhe Vullnet Bashën, një tjetër kosovar që militon në këtë klub që garon në elitën zvicerane.

Comments are closed.