Vota për atë që çau malet

0
127

votaHalil Rama

 

Numri 44 në fletën e votimit të zgjedhjeve të 23 qershorit, përveçse nga moshat e reja e gratë që përbëjnë shumicën e zgjedhësve, do të “kryqëzohet” masivisht edhe nga pensionistët e veteranët e LANÇ.

Këtë bindje tashmë e kanë shumica e shqiptarëve.

-Për kë do të votosh këtë herë, e pyetën para katër vitesh 88-vjeçarin Zenel Maliq Hoxha nga Zall-Dardha e Dibrës.

-Për atë që ka çarë malet, u përgjigj ish-partizani që në 44-ën ka marrë pjesë më armë në dorë në luftën për çlirimin e Tiranës.

Ndërsa këtë radhë, pa asnjë mëdyshje ai thotë se do të votojë për 44-ën. Jo vetëm nga ai, por më 23 qershor, numri 44 do të votohet nga shumica e shqiptarëve që duan zhvillimin. Ata janë të bindur tashmë se Shqipëria që vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar dhe më të prapambetur jo në Evropë dhe shumë më gjerë po çan malet, po ndërton tunele, kryevepra inxhinierike, po krijon realitete të reja gjeografike dhe ekonomike e sociale. Ata i besojnë kryeministrit Berisha në marshimin e pandalshëm për të përmbushur programin e Shqipërisë së zhvilluar. Brenda këtij programi, tuneli i Ibës dhe autostrada e re janë segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të Jugut, që do sjellë Beratin, Tepelenën në një kohë rekord në Tiranë.

Mes dhjetëra parullave e banderolave në ceremoninë e përurimit të tunelit të Ibës, njëra qe më e veçanta, ndoshta dhe më e spikatura. Nga honet e thepisura përbri grykës së tunelit, ku ishin “derdhur”, si dhe në sheshin në prehër të maleve, dhjetëra qytetarë të ardhur nga Elbasani, Librazhdi e Gramshi mbanin në duar parullën “PS kërrabën, ne autostradën”. Në atë zheg përvëlues, kjo parullë valëvitej tej e tej hapësirës para dy tuneleve, si lajmësja më e mirë e bashkimit të qytetit djep i dijes dhe shkollimit me Tiranën, nëpërmjet autostradës së re që përshkohet në vetëm 20 minuta. Kështu, që prej ditës së diel, largësia mes Tiranës dhe Elbasanit shkurtohet me 60 minuta. Ndoshta dhe për këtë fakt parulla e demokratëve elbasanas: “PS kërrabën, ne autostradën”, është më sinjifikativja, sepse pikërisht edhe në ditën e përurimit të autostradës madhështore lidershipi i PS-së do të përsëriste refrenin e tij të pështirë “tunele të korrupsionit”, ndërsa do të urdhëronte kryebashkiakun socialist të Elbasanit të bojkotonte ceremoninë për të inauguruar përfundimin e punimeve për hapjen e tunelit të Ibës.

Njësoj siç urdhëroi para shumë kohësh deputetët socialistë të bojkotonin seancën plenare të Kuvendit për të mos votuar miratimin e marrëveshjes që i hapte rrugë ndërtimit të kësaj autostrade gjigante nëpërmjet një financimi të Bankës Islamike për Zhvillim, fondit të Abu Dabit dhe fondeve të tjera.

Ndoshta dhe për këto arsye parulla e demokratëve të Elbasanit “PS kërrabën, ne autostradën” i kalon përmasat e një parulle të zakonshme në një fushatë elektorale. Kjo parullë nuk simbolizon malin kreshnik të Kërrabës, por kërrabën e bariut, pas së cilës mbështetet strategjia zhvillimore e lidershipit socialist. Strategji kjo që konsiston në nihilizëm, bojkot, bllokim dhe mohim të gjithçkaje është arritur në këto 8 vjet të qeverisjes së demokratëve.

Para katër vjetësh Edvin Rama dhe suita e tij do të shpërfillnin me neveri edhe tunelin e Kalimashit, madje gjithë autostradën e kombit, vetëm e vetëm pse atë e ndërtoi qeveria e Kryeministrit Berisha. Dhe përgjigjen e morën nga verdikti i sovranit që e la atë dhe partinë e tij në opozitë.

Kështu do të ndodhë edhe më 23 qershor.

Shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike, promotore të “Aleancës për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim”, sepse i besojnë alternativës së saj të zhvillimit. Ata kurrsesi nuk mund t’i besojnë aleancës të së majtëve që paralajmëron rikthimin e busteve të diktatorit dhe që si alternativë të vetme ka mashtrimin.

Shumica e shqiptarëve do të votojnë më 23 qershor koalicionin “Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim”, që drejtohet nga PD. Kjo për faktin se tek Partia Demokratike dhe aleatët e saj, ata gjejnë të mishëruar programin për një Shqipëri të zhvilluar.

Ata do të votojnë Partinë Demokratike si alternativa që do të çojë përpara zhvillimin e vendit, ndërsa alternativa e opozitës është nihilizëm dhe shkatërrim.

Duke ftuar veteranët e LANÇ, që të votojnë partitë e “Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, kryetari i OBVL, gjeneral-lejtnant (në pension) Rrahman Parllaku shprehet se në këto zgjedhje përballen dy alternativa: “Alternativa e PD që është ajo e mundit, e punës dhe e suksesit, e cila ka bërë që në këto vite të ecim përpara drejt zhvillimit, ndërsa alternativa tjetër (e opozitës) bazohet në vitin zero, në nihilizëm dhe në mohimin e gjithçkaje që kanë arritur qytetarët shqiptarë”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency