Vonohen notat e Matematikës. Përgjigjet e maturantëve 6×4=30 Kopje masive, simbolet e matematikës maturantët i shkruajnë me fjalë

0
220

Driçim Çaka

provimetZhvillimi i zgjedhjeve ndërpret me 2 ditë korrigjimin e provimeve

 

Notat e Matematikës nuk do të dalin në afatin e caktuar nga Ministria e Arsimit. Data për publikimin e notave ishte 29 qershor, por zhvillimi i zgjedhjeve në 23 qershor do të ndërpresë korrigjimin. Zyrtarët e MASH përmendin se korrigjimi i provimeve do të ndërpritet ditën e shtunë dhe ditën e diel. Arsyeja, sipas MASH, është se të shtunën do të çohen materialet zgjedhore nëpër shkolla, ndërsa të dielën do të jetë dita e votimit. Korrigjimi do të fillojë të hënën, ditë kur ambientet mendohet të jenë liruar nga të gjitha materialet që do përdoren për zgjedhje. Vonesa do të bëjë që maturantët t’i marrin përgjigjet e provimit 1 ose 2 ditë pas zhvillimit të provimeve me zgjedhje.

Skandali

Edhe një fëmijë në klasë të pestë, nëse e pyet sot sa bëjnë 6×4, normalisht përgjigjja e tij do të jetë 24. Por, siç duket, maturantët e vitit 2013 kanë një përgjigje tjetër dhe nuk janë dakord me ligjet e matematikës. Konkretisht, në njërën prej tezave që këto ditë kanë korrigjuar vlerësuesit, kanë parë një përgjigje të veçantë. Në një nga ushtrimet, një maturant X, pasi e kishte zgjidhur ushtrimin në rregull, në fund kishte shkruar 6×4=30. Sipas vlerësuesve, ky maturant që në fillim të ushtrimit është kuptuar që ka kopjuar, pasi përgjigjen e ka zgjidhur fiks si libri, por, siç duket, në momentin e fundit kur po përfundonte ushtrimin, ka harruar (ose nuk e di) që 6×4 bëjnë 24.

Kopje masive

Nuk bëhet fjalë për një ose dy maturantë që kanë arritur të kopjojnë, por për qindra-mijëra kandidatë, të cilët kanë kopjuar pasivisht në provimin e Matematikës. Përgjigjja vjen nga vetë vlerësuesit, të cilët nuk e kanë të vështirë të kuptojnë nëse një ushtrim është kopjuar apo jo. Në një prononcim, vlerësuesit shprehen të habitur për mënyrat e kopjimit. “Është shumë e lehtë të kuptosh nëse ka kopje ose jo, pasi ushtrimi ka një zgjidhje, e cila, po nuk ndoqe çdo hap, atëherë përfundimi është i kotë. Konkretisht ka pasur raste kur shumë maturantë kanë shkruar “rrënja katrore” me fjalë kur dihet nga të gjithë se ka një simbol me vete për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për shumë simbole të tjera, që maturantët nuk i dinin dhe i shkruanin me fjalë”, – shprehet një prej korrigjuesve. Po kështu, vlerësuesit shprehen se kopjet kanë qenë në forma të ndryshme, ku shumë ushtrimeve u është dhënë përfundim i saktë, por pa dhënë ndonjë shpjegim se si është dalë në këtë përfundim.

Provimet me zgjedhje

Ndërkohë që kanë përfunduar dy provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, maturantët janë duke u përgatitur për provimet me zgjedhje. Testi do të zhvillohet në 29 qershor dhe kandidatët do t’i japin të dyja provimet në të njëjtën ditë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative,që vlerësohem me 1 pikë secila dhe 10 pyetje të tjera do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në total testi i provimeve me zgjedhje do të ketë 40 pikë. Maturantët apo kandidatët që do të japin këtë vit si provim vetëm një lëndë me zgjedhje, do ta nisin provimin në orën 11:00 dhe kanë kohë deri në orën 13:00 për ta përfunduar.

 

 

Rikonstruktohet qendra për moshën e tretë

Kushte më të mira për 35 të moshuar, rimobilim, pajisje elektronike dhe mjekësore

Kushte jetese me standarde të larta për 35 të moshuarit që marrin shërbim rezidencial në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Kjo është bërë e mundur falë financimit nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e mjediseve të kësaj qendre publike që ofron shërbim për moshën e tretë dhe mbështetjes së TIKA – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, për mobilimin e ambienteve të qendrës dhe pajisjen e saj me fjalën më të fundit në fushën e pajisjeve elektronike dhe mjekësore. Inaugurimi është bërë ditën e djeshme ku të pranishëm ishin zv.ministri i Punës, Kastriot Sulka, kandidati për deputet i Partisë Demokratike Florion Mima dhe drejtori i TIKA-s, Yahya Gulseven. Për kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, njëherësh ministër i Ekonomisë, Florion Mima, pjesëmarrës në këtë aktivitet, interesi i qeverisë për moshën e tretë në këto tetë vite ka qenë maksimal. “Vetë Kryeministri Berisha ju ka vizituar disa herë këtu në Shtëpinë tuaj dhe është njohur me problemet dhe kërkesat tuaja të drejta”, – iu drejtua Mima të moshuarve dhe çdo herë ju ka bërë premtime të cilat i ka mbajtur dhe që ju kanë përmirësuar ndjeshëm jetesën. Bashkë takohemi disa herë në vit, pasi jam mysafir i përhershëm këtu, ndaj sot ndihem shumë mirë tek ju shoh të lumtur në shtëpinë tuaj ‘të re’ dhe shfrytëzoj rastin t’ju siguroj që edhe në katër vitet e ardhshme si deputet i zonës do të jem pranë jush dhe se qeveria demokratike do të vazhdojë të punojë për t’ju ofruar një jetesë me dinjitet dhe një pleqëri të bardhë”. Drejtori i TIKA-s, z. Yahya Gulseven, vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë me Ministrinë e Punës në realizimin e projekteve në fushën sociale dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

Shqipëria “mbulohet” nga i nxehti

Pritet rritje tjetër e temperaturave me 2 gradë

Ka dy ditë që qytetarët po ndiejnë të nxehtin që ka kapur vendin. Temperatura që arrin mbi 35 gradë gjatë drekës ka sjellë verën në Shqipëri. Një situatë që duket shqetësuese për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët duhet të rrinë sa më pak në diell. Por ndërkohë që po përballohet ky i nxehtë, një tjetër lajm i keq vjen nga sinoptikanët, të cilët theksojnë se në dy ditët e ardhshme do të ketë rritje te temperaturës me 2 gradë. Sipas sinoptikanëve, i nxehti më i madh është ndier në qytetin e Lushnjës, ndërkohë që në Tiranë gjatë drekës temperatura dje arriti 37-38 gradë. Mjekët këshillojnë të moshuarit që të dalin sa më pak në diell dhe të përdorin orët e para të ditës ose darkën për të shëtitur. Ndërkohë, për fëmijët e vegjël është mirë që gjatë orëve të mesditës të mos dalin fare në diell. Temperaturat pritet të zgjasin në këto shifra për disa javë rresht. Siç duket, pas shiut erdhi direkt “breshëri”, por këtë radhë një breshër me temperatura 35-39 gradë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency