Standard.al

Tirana do të “pajtohet” sot me Morinën

Altin Vorpsi

klodi-300x204Tirana do t’i vendosë dy paga gjobë Morinës, pasi ky i fundit firmosi pa vënë në dijeni klubin që zotëron kartonin e lojtarit.

 Aventurës së Morinës tek Skënderbeu pritet t’i vijë fundi. Drejtuesit e skuadrës të Tiranës nuk kanë ndërmend që t’u hapin rrugë kapriçove të lojtarit i cili, edhe pse ka qenë nën kontratë me bardheblutë, ka zhvilluar një seancë stërvitore me ekipin e Skënderbeut. Këta të fundit kanë shkuar edhe më larg, kur e kanë prezantuar si lojtarin e tyre.

 

Për zgjidhje

Morina i është drejtuar Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në Federatën Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur kontratën me Tiranën, duke argumentuar se klubi i detyrohet tri rroga. Klubi bardheblu, ndërkaq, nga ana e tij, e gjobiti lojtarin, për shkak se kishte thyer rregullat e UEFA-s, duke dalë në stërvitje me një skuadër në një kohë kur kishte kontratë me një tjetër.

 

Për pajtim

Sot paradite pritet që në FSHF të ketë një takim mes administratorit të Tiranës, Krenar Alimehmeti, dhe Mario Morinës. Nga ky takim priten lajme pozitive, pritet pajtimi mes palëve. Në rast të kundërt, do të jetë Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve ajo që do të japë edhe verdiktin final për të ardhmen e futbollistit.

 

Për ujdi

Sot dy palët nuk priten që të bien në ujdi pasi lojtarit i pëlqen shumë Korça si destinacion. Në qytetin juglindor ai ka paratë dhe trofetë të garantuar. Por Tirana është e një mendimi tjetër. Bardheblutë e kanë në plane lojtarin dhe kane menduar që për atë që bëri ta gjobisin. Shuma do të jetë e barasvlershme me dy rroga. Kështu, Tirana do të qëllojë dy zogj me një gur. Nga njëra anë do të shuajë pretendimet e lojtarit për pagat e pamarra dhe nga ana tjetër do të ketë një lojë fëmijësh të marrë OK e Federatës.

 

 

Pushimet

Tek Tirana shumë shpejt rikthehen në punë. Menaxherët dhe drejtuesit e klubit nuk kanë pushuar, pasi kanë filluar që të mendojnë për merkaton, por kjo nuk vlen për ata futbollistë që janë nën kontratë. Këtë të fundit shumë shpejt do t’i rikthehen fushës stërvitore. Pushimeve të dhëna nga drejtuesit po u vjen fundi dhe të hënën nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede bardheblutë do të zbresin në fushë. Deri në këto momente nuk ka pasur asnjë blerje zyrtare në merkato, ndërkohë që trajneri Dede dhe administratori Alimehmeti janë duke vazhduar bisedimet me disa futbollistë.

 

 

Sherri

Ferdinand dhe Kol bëjnë sherr në parking

Anton Ferdinand dhe Eshli Kol sërish në telashe. Mbrojtësi i QPR-së dhe ai i Çelsit për pak janë përleshur në orën 2 të mëngjesit në një klub nate në Los Anxheles, po të mos kishte ndërhyrë Endi Keroll. Ngjarja ka nodhur në orën 2 të mëngjesit dhe “The Sun” ka arritur ta fiksojë incidentin në një foto. “Nuk degjeneruan në grushte, thjesht debatuan”, – tregoi një dëshmitar okular për “The Sun”. Konflikti mes lojtarëve daton që prej incidentit të racizmit mes kapitenit të Çelsit Xhon Terri dhe Anton Ferdinandit. Terri e quajti “zezak m…” Ferdinandin gjatë derbit të Londrës në vitin 2011. Terri i shpëtoi burgut në gjyqin civil vetëm pas dëshmisë mbrojtëse të Eshli Kolit, i cili e mohoi që shoku i skuadrës ta kishte fyer Ferdinandin. Më vonë mbrojtësi i QPR-së refuzoi t’u jepte dorën të dy lojtarëve të Çelsit në takimin e radhës. Zëdhënësit e Ferdinandit dhe Kolit refuzuan të komentonin ngjarjen për tabloidin.

 

Vendimi

Gigs shkon në Turqi për licencën e UEFA-s

Gigs po bëhet gati për atë se çfarë do të bëjë pas futbollit. Legjenda e Junajtid do të marrë pjesë në një leksion trajningu në Turqi për të marrë licencën e trajnerit nga UEFA, ndërsa shumica e shokëve të ekipit po shijojnë pushimet e verës. Uellsiani do të udhëtojë drejt Turqisë ku do qëndrojë për 8 ditë gjatë Botërorin të U-20. 39-vjeçari zotëron licencën A dhe B të UEFA-s, por i duhet të bëjë edhe disa teste për të përfituar licencën e trajnerit profesionist.

 

Di Maria

Man. Siti i bën ofertë Realit

Angel di Marias vazhdon të jetë një ndër lojtarët që pret për të kaluar në Premier Ligë. Sipas tabloidit “DailyStar”, argjentinasi i pëlqen shumë Pelegrinit dhe Mançester Sitit. Nënkampionët po bëjnë gati një ofertë edhe pse Florentino Perezi këmbëngul se argjentinasi nuk është në merkato. Ish-klubi i Murinjos mund të hyjnë në negociata vetëm për një ofertë jo më të vogël se 30 milionë euro, dhe nuk është çudi që milionerët ta bëjnë gati shumë shpejt.

 

 

Tifozët e Dinamo Zagrebit nderojnë Josip Kuzhenë

Tifozët e Dinamo Zagrebit, “Bad Blue Boys”, nderuan në një mënyrë origjinale ish-trajnerin e skuadrës së tyre, Josip Kuzhe, i cili u nda nga jeta të dielën për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ultrasit u mblodhën të hënën pasdite në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, ku thirrën në kor emrin e teknikut që ka lënë shenja te klubi legjendar kroat. Ata mbanin në duar një banderolë ku shkruhej: “Gjithmonë do të mbetesh në zemrat tona”. “Asnjëherë gjatë jetës së tij nuk ka hequr dorë nga ne, tifozët, dhe për këtë ne do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës dhe nuk do ta harrojmë kurrë”, tha një nga tifozët. Ndërsa një fans tjetër u shpreh në këtë mënyrë për Kuzhen: “S’ka fjalë me të cilat mund të përshkruhet mungesa e tij, sepse largimi i Kuzhes nga jeta ishte një goditje e rëndë për të gjithë ne. E falënderojnë në veçanti për atë çfarë bëri këtu në vitin 1990, ku së bashku me Zvonimir Bobanin, mbrojti tifozët. Për këtë arsye ne të gjithë e duam”. Me perëndimin e diellit tribuna e stadiumit “Maksimir” u ndriçua nga mijëra qirinj të ndezur në nderim të trajnerit që fitoi gjithmonë zemrat e tifozëve të skuadrave që ka drejtuar, përfshirë këtu edhe kombëtaren shqiptare. Gjatë kohës së drejtoi Shqipërinë, pikërisht në Shtator të 2010, Josip Kuzhe pësoi hemorragji cerebrale, por ai mundi të rikthehej në stol pas disa muajsh. Kohët e fundit ai ishte diagnostikuar me Leucemi, por pavarësisht përpjekjeve për ta mposhtur këtë sëmundje të rëndë, ai ndërroi jetë në një spital të Zagrebit.

Comments are closed.