Takimi në Kamzë Rama: Berishën e ka kapur sindroma e Fatos Nanos, kujton se i vjen mbrapa historia

0

Gëzim Saliu

rama“Lum” akuzash nga kreu i PS-së: Berisha i vetmi shpellar, ata përballë nesh janë injorantë që mbajnë peng Shqipërinë

Kreu i PS-së nënshkruan kontratë legalizimesh, ku pikë kryesore është legalizimi falas

 

Në ditët e fundit të fushatës elektorale, kreu socialist Edi Rama ka shtuar dozën e akuzave ndaj kundërshtarit politik, duke thirrur në “ndihmë” edhe ish-kryeministrin e njëkohësisht ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. Në takimin përmbyllës në Kamëz, Rama tha se Kryeministri i vendit, ashtu si Nano, po flet për veten dhe kjo, sipas tij, është provë për fundin politik të tij. “E keni dëgjuar që thotë unë jam Sali Berisha, a thua kemi harruar. Ka ca kohë që thotë. Është bërë si Fatos Nano. E ka kapur sindroma e Fatos Nanos, që thoshte: ‘Unë jam Fatos Nano dhe mbrapa më vjen historia’. Kështu e kanë këta kur janë në fund të tyre. Unë jam ai që e bëri Tiranën dhe do ta bëj edhe Kamzën si Tirana. Kush e do Kamzën si Tirana, të votojë PS-në”, – tha Rama.

Mitingu

Në sheshin kryesor, në të cilin vihej re qartazi dallimi sa i përket pjesëmarrjes me mitingun elektoral të zhvilluar nga PD-ja pak ditë më parë, kryesocialisti Rama ka nënshkruar me firmën e tij një kontratë, ku u zotua për procesin e legalizimeve falas dhe brenda mandatit të parë. “Asgjë nuk mund t’ju pengojë për të qenë banorë të kryeqytetit dhe pjesë e Tiranës evropiane. Me numrin 29 ju do t’i jepni vetes titullin e pronarit të shtëpisë suaj dhe titullin e kryeqytetarit. Projekti ynë s’është vetëm legalizim, por zhvillim urban e social, integrim si pjesë e kryeqytetit”, – tha kryesocialisti. Më tej, ai akuzoi Kryeministrin Berisha se për çerek shekulli ka përhapur frymën e ndasisë veri-jug në vend, ndërkohë që hodhi poshtë akuzat e demokratëve, të cilët e fajësojnë se ka etiketuar veriorët si shpellarë. “Po bëhet çerek shekulli që Saliu vijon t’ju mbajë peng, t’ju përdorë si mish për topat e fushatave të tij elektorale, vijon t’ju trajtojë si një turmë, që mund ta çojë ku të dojë, duke ardhur dhe duke e mbjellë sa herë që vjen, farën e përçarjes, në Kamëz, Bathore, Paskuqan dhe zonat informate dhe lumenjtë e mllefit ndaj opozitës. Unë ia them këtu, në shesh të burrave, nëse Saliu dhe gjithë arkivat e televizioneve dhe radiove të tij nxjerrin një herë të vetme ku unë me figurë apo me zë të kem përdorur këtë term për ju, unë tërhiqem nga politika dhe iki nga Shqipëria. E dini se në Shqipëri ka vetëm një shpellar dhe ai quhet Sali Berisha. Ai e ka kthyer Shqipërinë në shpellën e Ali Babës dhe 40 hajdutëve. Edhe Enver Hoxha të ngjallej nuk ju kthen nga keni ardhur”, – u shpreh Rama. Në të njëjtin kontekst, duke iu referuar një mbishkrimi në një poster elektoral të PD-së, kreu socialist vazhdoi tonin e lartë të akuzave ndaj kundërshtarëve politikë, duke thënë: “Shikoni si e shkruajnë fjalën integrim, integrem, sepse në mendjen e tyre ngatërrojnë grimin me grepin dhe duan t’iu mbaj në tek grepi i tyre, këta janë këta, këta injorantë që mbajnë peng Shqipërinë. Që i frynë zjarrit të ndasisë dhe ndasisë së shqiptarëve. Këta janë injorantët e mbuluan Shqipërinë me gënjeshtra dhe shpifje”. Në përfundim të fjalës së tij, Rama u bëri thirrje të rinjve prindërit e të cilëve janë demokratë, që të marrin fatin e tyre në dorë. “Ka ardhur koha që ta marrë çuni babën për dore dhe t’i tregojë si të votojë”, – deklaroi kreu i PS-së.