Standard.al

Pensioni familjar, ISSH: Ja si ndryshojnë shifrat e përfitimit

pension“Përfituese e pensionit familjar keni qenë edhe ju, derisa fëmija më i vogël ka mbushur moshën 8 vjeç, duke përfituar edhe 50% të masës së pensionit që i takonte të ndjerit. Me mbushjen e moshës 8 vjeç të fëmijës më të vogël, ju nuk jeni më përfituese e masës së pensionit familjar. Kjo është arsyeja e zvogëlimit të masës së pensionit familjar”

 

Instituti i Sigurimeve shoqërore ka marrë përsipër t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve lidhur me shqetësimet që kanë për pensionin e tyre apo përfitimin e tij. Në përgjigjet më të fundit ISSH ka sqaruar masën e përfitimit për pensionin familjar.

1-Jam një qytetare, që përfitoj pension familjar si person në ngarkim të të ndjerit bashkëshortit tim. Jam nënë e dy fëmijëve jetimë. Deri para pak kohësh pensionin e merrja 100% të pensionit që i takonte bashkëshortit tim. Tani masa e pensionit është përgjysmuar. Fëmijët janë të moshës 9 dhe 13 vjeç. Lutemi më sqaroni se çfarë ka ndodhur me masën e pensionit tim?

Përgjigje: Neni 40, i ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” ka përcaktuar kushtet e përfitimit të pensionit familjar. Përfitues të pensionit familjar janë dy fëmijët tuaj, deri në moshën 18 vjeç ose deri në moshën 25 vjeç, nëse vazhdojnë studimet e larta. Masa e përfitimit për çdo jetim është 25% e pensionit që i takonte të ndjerit. Përfituese e pensionit familjar keni qenë edhe ju, deri sa fëmija më i vogël ka mbushur moshën 8 vjeç, duke përfituar edhe 50% të masës së pensionit që i takonte të ndjerit. Me mbushjen e moshës 8 vjeç të fëmijës më të vogël, ju nuk jeni më përfituese e masës së pensionit familjar. Kjo është arsyeja e zvogëlimit të masës së pensionit familjar.

 

2-Jam një qytetar që kam probleme shëndetësore. Plotësova dokumentacionin për të përfituar pension invaliditeti dhe u paraqita në KMCAP-in e rrethit, i cili më vlerësoi pa grup invaliditeti. Pas një periudhe kohe prej 4 muajsh nga vlerësimi i gjendjes shëndetësore nga KMCAP-i i rrethit, iu drejtova KMCAP-it Epror, pranë ISSH-së për vlerësim të gjendjes shëndetësore. Por kërkesa ime nuk u shqyrtua. Ju lutem më sqaroni se si duhet të veproj, për t’u paraqitur përsëri në KMCAP?

Përgjigje: Në nenin 35, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” është përcaktuar se personi që bëhet i paaftë, merr pension invaliditeti kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit. Invaliditeti caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij, si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë. Kundër vendimit të KMCAP-it të rrethit, personi mund të ankohet në KMCAP-in Epror pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vendimi i të cilit për sa i përket caktimit të aftësisë për punë është i formës së prerë. Në pikën 10, të Kreut III, të Rregullores “Për organizimin, të drejtat, detyrat dhe funksionimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë” është përcaktuar që kundër vendimit të KMCAP-it të rrethit, personi apelon në KMCAP-in Epror të specializuar. Kërkesa është e vlefshme kur ajo bëhet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit nga KMCAP-i i DRSSH- së. Meqenëse ju keni paraqitur kërkesën pranë KMCAP-it Epror, përtej afateve ligjore për kundërshtimin e vendimit të KMCAP-it të rrethit kërkesa juaj nuk është shqyrtuar. Që gjendja juaj shëndetësore të vlerësohet përsëri nga KMCAP-i, mund të paraqitni përsëri kërkesën për pension invaliditeti pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore, të shoqëruar me Fletë Drejtimi të re për në KMCAP, i cili është dokumenti kryesor që pasqyron gjendjen tuaj shëndetësore dhe që ju jep të drejtën për t’u drejtuar në organet e sigurimeve shoqërore.

3-Jam një qytetare e vetëpunësuar. Në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt kam paguar kontributin e sigurimeve shoqërore. Prej një muaji jam e sëmurë. Kam paraqitur raportet e paaftësisë së përkohshme, por nga ana e sigurimeve shoqërore nuk më janë paguar duke më thënë se nuk më takon pagesa e përfitimit të paaftësisë së përkohshme. Ju lutem më sqaroni nëse e përfitoj pagesën e paaftësisë së përkohshme.

Përgjigje: Sipas përcaktimeve ligjore dhe nënligjore, kontributi i sigurimit të detyrueshëm shoqëror për personat e vetëpunësuar, paguhet për dy degë të sigurimit, atë të barrëlindjeve dhe pensioneve. Edhe në rastin tuaj, pagesa e kontributit të sigurimeve shoqërore ka kaluar në dy degë të sigurimit, barrëlindje dhe pensione. Prandaj, në raport me kontributin e sigurimeve shoqërore të paguara, ju lind e drejta për përfitim nga sigurimet shoqërore vetëm në rast barrëlindjeje apo për pensione dhe nuk mund të fitoni të drejtën për të përfituar të ardhurën për paaftësi të përkohëshme.

 

 

 

Rritet vlera e dollarit në treg

Pas pikës më të ulët, dollari amerikan ka filluar të kapë shifrat më të larta në tregun shqiptar. Dollari amerikan shitet me 110 lekë, duke dobësuar lekun në nivele historike. Zhvlerësimi i monedhës kombëtare gjatë muajit maj nuk ka ndodhur vetëm kundrejt asaj amerikane por edhe ndaj euros, ku kjo e fundit ka shënuar një rritje konstante që prej fillimit të vitit duke u këmbyer sot me 141.2 lekë. Ekspertët shprehen se tendenca në rritjen e monedhave të huaja reflekton kushtet në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare: rritje e ulët ekonomike, rënie e eksporteve dhe importeve, rënie e remitancave dhe e investimeve të huaja. Afro 30 deri në 35% e transaksioneve në Shqipëri zhvillohen kryesisht me euro ose dollar, ndërkohë që forcimi i tyre përballë lekut shumë shpejt do të sjellë edhe një rritje të çmimeve në tregun vendas si për ushqimet ashtu edhe për çmimin e naftës.

Comments are closed.