LSI “tremb” PS-në Meta: Nuk ka qark në Shqipëri ku LSI nuk e merr të paktën një mandat

0

Gëzim Saliu

 ilir metaKreu i LSI-së “përdor” sloganin e PD-së: LSI do ndihmojë qytetarët të ecin në rrugën e mirëqenies, punësimit dhe integrimit

Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrë të paktën një mandat deputeti në çdo qark të vendit e ndërsa në Tiranë synon një rezultat surprizë. Kështu u shpreh dje kreu i LSI-së Ilir Meta në një takim elektoral në njësinë bashkiake nr. 9, duke “paralajmëruar” të dyja forca e mëdha për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që zhvillohen këtë të diel. “Unë besoj se Shqipëria e ka marrë vendimin e saj për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Roli i LSI-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përcaktues, suksesi ynë do të jetë i jashtëzakonshëm. Nuk ka qark në Shqipëri ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e merr të paktën një mandat, ndërkohë në Berat, në Fier, në Durrës, në Elbasan ne luftojmë për të pasur të sigurta nga dy mandate. Ndërsa lufta më e madhe është në qarkun e Tiranës, ku jam i bindur se do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm dhe për këtë jam i bindur që edhe njësia 9 do të kontribuojë fuqishëm”, – deklaroi Meta.

Takimi

Duke e cilësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim si një forcë politike, e cila kujdeset për njerëzit dhe me këmbë në tokë, Meta theksoi se LSI do të ndihmojë të gjithë qytetarët që të ecin në rrugën e mirëqenies, në rrugën e punësimit, në rrugën e integrimit. “Ndaj më 23 qershor rezultati për Lëvizjen Socialiste për Integrim do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm, sepse në radhë të parë ne do të kemi mbështetjen e të gjithë të rinjve të Shqipërisë që duan të ecin më shpejt. Kemi mbështetjen e të gjitha shtresave të shoqërisë sonë të cilat kërkojnë të integrohen përmes politikave sociale më të mira dhe njëkohësisht kemi programin më të qartë se çdo forcë tjetër politike. Një program i cili kap çështjen më kryesore dhe synon ta zgjidhë atë që është pikërisht ristrukturimi i ekonomisë sonë, që ekonomia jonë të rritet përmes burimeve të sigurta për një rritje ekonomike të qëndrueshme përmes politikave të cilat nxisin rritjen e prodhimit në vend, që ulim importet, që rrisin eksportet që krijojnë bazat për një ekonomi konkurruese, të shëndetshme, që garanton vende të reja pune në mënyrë afatgjatë dhe të sigurt”, – tha kreu i LSI-së. Sipas Ilir Metës, vota për LSI-në në 23 qershor është një votë e mençur. Ai tha se LSI ka treguar gjithmonë se di të sjellë energji pozitive për vendin, shoqërinë e jetën politike. “Është një votë e mençur sepse ndihmon stabilitetin e vendit, ndihmon ndryshimin e vendit, ndihmon paqen sociale, ndihmon integrimin evropian të vendit. LSI di të sjellë emancipim, di të sjellë risi, di të çojë përpara integrimin në Bashkimin Evropian si një proces jetik dhe i domosdoshëm për shoqërinë tonë dhe për vendin tonë”, – deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.