Berisha: Rama bllokoi integrimin, Brukseli i ka mbyllur derën

0
110

Ina Jano

berishaKryeministri: Unë, 300 minuta punë më shumë në ditë se Rama. 5 ditë larg nga fitorja

 

Verilindja e Shqipërisë ishte ndalesa e radhës e shefit të qeverisë Berisha dje, për të realizuar takimet përmbyllëse elektorale në këto qytete. Kryeministri i vendit i ftoi të gjithë qytetarët të votonin për rritjen e rrogave, të pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, ndërsa nuk ngurroi të akuzonte kreun e PS-së, Ramën, se nuk ka folur asnjëherë për rritjen e rrogave dhe të pensioneve. “Votojmë për rritjen e rrogave, asaj mesatare dhe të arsimtarëve, rroga minimale do jetë 350$, rritja e pensionit minimal shkon në 150$, votojmë për rritjen me 50% të ndihmës ekonomike për dyfishimin e pagesës së papunësisë, votojmë për krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës, për dyfishimin e turizmit. Do miratojmë ligjin për statusin e pensionistit”, – tha Berisha. Duke iu drejtuar socialistëve Kryeministri tha: “Socialistëve të Pukës dua njerëzisht t’u kërkoj t’i bëjnë një pyetje Edi Ramës: si ka mundësi që tre muaj rresht nuk e ke zënë me gojë fjalën pension? A e di ai se janë 520 mijë shqiptarë që marrin pension dhe që mezi mbyllin muajin me to, me gjithë rritjen e madhe që u kemi bërë. Pyeteni shokun e autobusit: si ka mundësi që tre muaj rresht nuk ke folur për rritjen e as një rroge? Çfarë mendon ai, se rrogat nuk duhet të rriten apo mendon se duhet të rriten vetëm ato të lartat, siç vepruan tetë vite me radhë. Po qytetarëve në nevojë, qytetarëve në ndihmë ekonomike çfarë u premtoi tre muaj rresht? U premtoi një mashtrim të paparë, se nga ndihma ekonomike do të krijojë 40 mijë vende pune, pra do të heqë ndihmën ekonomike për 40 mijë qytetarë. Si ka mundësi që nuk tha një fjalë për pagesën e të papunëve, të cilët ekzistojnë në Shqipëri, ekzistojnë në çdo vend të botës. Qytetarë e qytetarë të Pukës e mbarë Shqipërisë, pyeteni njëri-tjetrin në e keni dëgjuar tre muaj rresht, që të përdorë qoftë një herë të vetme, fjalën integrim. Vëllezër e motra, nuk e përdori dot asnjëherë, sepse është i vetmi në Evropë që shkelmoi këtë interes jetik të qytetarëve të vet, duke penguar ata çdo ditë, me të gjithë fuqinë e tij. Por dua të them se për ju, për shqiptarët, jetike dhe përcaktuese për një të ardhme të ndritur është integrimi në Bashkimin Evropian. Shoku i autobusit mavi nuk e shqipëroi dot këtë, përkundrazi, u tha shqiptarëve se BE-ja nuk është as bukë, as ujë. Shok i mavijosur, BE-ja është jeta, është e ardhmja e ndritur, më e shkëlqyer, e fëmijëve, burrave e grave shqiptare. Por ti se përmend dot, se shkelmove mbi këtë të ardhme”, – nënvizoi kreu i demokratëve. Teksa kërkoi që pukjanët të votojnë të sigurt për numrin 44, Berisha i ftoi ata në mitingun përmbyllës në Tiranë. “Gëzuar fitoren e 23 qershorit! Ftoj ju e gjithë shqiptarët që më 21 qershor të gjithë në Tiranë të festojmë fitoren. Do bëjmë realitet çdo projekt për ju, për Pukën për çdo shqiptar”, – shtoi Berisha.

Shkodër

Një lumë njerëzish ishin derdhur në qytetin e Shkodrës për të mbushur sheshin kryesor të qytetit, prej ku lideri demokrat mori gjithë mbështetjen e mundshme për votën e shkodranëve në 23 qershor. “5 ditë na ndajnë nga fitorja jonë, e cila do të jetë drita jonë në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. Fitorja e 23 qershorit është fitorja e shpirtit perëndimor të burrave dhe grave të Shkodrës, djemve dhe vajzave të saj, shqiptarëve në tërësi”, – u shpreh lideri demokrat. Më tej, shefi i ekzekutivit akuzoi Ramën se kërkon që ta nxjerrë në pension, ndërsa për këtë “ai ka kërkuar 30 herë të nxjerrë në pension Sali Berishën, që çdo ditë bën 300 minuta punë më shumë se ai, por si ka mundësi që një opozitë bën fushatë tre muaj dhe nuk ju përmend juve, një herë të vetme. Edhe kur i takoi, nuk foli për ju, por foli për mua. Shau, turfulloi, por pensionet tuaja nuk i përmendi”, – theksoi udhëheqësi demokrat. Ndërsa nga qyteti i Lezhës, shefi i mazhorancës u shpreh se do të vazhdojë që të mbajë premtimet e dhëna, që në fillim të fushatës dhe deri në këto ditë të fundit. Ai u shpreh se, në fakt, do të trefishohen grantet për fermerët dhe do të vijojë kreditimin e fermerëve. Berisha nënvizoi se modeli i opozitës është ai që nuk duhet votuar, pasi ndër të tjera ai shkon kundër parimeve të familjes.

 

FRD

Topi: Zhvillim edhe për zonat rurale

I shoqëruar nga kandidatët për deputetë të FRD për qarkun e Tiranës, kryetari Topi zhvilloi një takim me banorë të Zall-Herrit. Ai u ndal në gjendjen në të cilën qeveria dhe keq menaxhimi i saj e kanë lënë këtë zonë. “Atë që ia ka dhënë natyra kësaj zone ia ka hequr politika”, – tha z. Topi, duke shtuar se ndër vite politika e mbrapshtë e ka lënë Zall-Herrin si apendiks të kryeqytetit. “Në periferi, për shkak të menaxhimit të gabuar disa zona kanë pasur një zhvillim shumë të madh, ndërsa të tjera kanë mbetur si geto. Shumë nga këto probleme lidhen drejtpërdrejtë me paaftësinë e politikës për t’i drejtuar këto zona drejt një zhvillimi të qëndrueshëm”, – tha ai. Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga zgjedhjet z. Topi nuk mund të mos ndalej edhe tek procesi i votimit: “Çdo votë juaja duhet të kthehet në një mandat për të siguruar një përfaqësim dinjitoz. Është e nevojshme që pas 22 vitesh çdokush nga ne të bëjë një analizë dhe të vlerësoje se ku jemi e ku duhej të ishim dhe të mos votojmë qorrazi. Çdo gjë varet nga ju dhe nga vetëm ju! Po të organizoheni askush nuk mund të tallet me ju, as politikanët që me flamujt e shumtë kanë errësuar qiellin dhe mendojnë se falë tyre mund të çimentojnë pushtetin që kanë”, – u shpreh Topi përpara banorëve të Zall-Herrit. Fjalimin e përshëndeti edhe kandidati për deputeti i zonës, Kujtim Shera, i cili tha se kjo zonë është lënë pas dore si nga e majta dhe nga e djathta prandaj tashmë ka ardhur koha që qytetarët t’i ndëshkojnë të dyja me votën e tyre për alternativën politike më të ndershme, FRD.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency