Standard.al

Zyrtare, Gilman Lika huazohet tek Skënderbeu për Champions-in

 Altin Vorpsi

likaLika do t’u falë bardhebluve një shumë prej 19 milionë lekësh të vjetra

Takaj i ka dhënë 3 mijë euro në dorë

 

Tratativa për kalimin e Gilman Likës tek Skënderbeu për ndeshjet e Uefa Champions League janë mbyllur me sukses. Tirana dhe Skënderbeu kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë pranuar se shkodrani për takimet e kupave të Evropës do të vishet bardhekuq.

 

Lika pranon kushtin

Gilman Lika ka pranuar kushtin e vënë nga Tirana, që t’i falë kësaj të fundit dy rroga të prapambetura, nga 5 që ka për të marrë. E thënë ndryshe, Lika do t’u falë bardhebluve një shumë prej 19 milionë lekësh të vjetra. Nga ana tjetër, për këtë lëvizje klubi i Skënderbeut i ka dhënë Tiranës një shumë prej 3 mijë eurosh. Gjithashtu, menjëherë pas akordit, lojtari shkodran ka përfituar në dorë plot 3 mijë euro nga presidenti Takaj. Të gjitha këto marrëveshje financiare janë bërë mes palëve për shkak të kontratës që Lika ka me Tiranën deri më 31 korrik.

 

Konfirmimi

Këtë skenar e kanë konfirmuar dje burime pranë dy klubeve. Drejtuesit e Tiranës kanë pohuar se sot do të lënë të lirë Likën që të udhëtojë drejt Austrisë, aty ku ndodhet pjesa e tjetër e skuadrës korçare, ndërkohë që nga drejtuesit e Skënderbeut është thënë se shkodrani mund të jetë një përforcim edhe më afatgjatë për klubin e tyre.

 

Çështja “Morina”, dorëzohen kampionët

Aventura e Mario Morinës tek Skënderbeu mund të ketë zgjatur vetëm një seancë stërvitore. Klubi i Tiranës ka paralajmëruar se do të marrë një vendim për sulmuesin, duke e gjobitur atë për thyerje të disiplinës, pasi u stërvit me korçarët pa marrë miratimin e bardhebluve. Morina ka tri rroga pa marrë nga Tirana, ndërkohë që është nën kontratë me këtë të fundit edhe për një vit. Klubi i Skënderbeut arriti një akord financiar me futbollistin, nga e cila Morina do të përfitonte 30 mijë euro në vit. Por këtë situatë pritet ta zgjidhe vetëm Federata Shqiptare e Futbollit. Me shumë mundësi kjo e fundit do t’i japë të drejtë Tiranës dhe do t’i rikthejë sulmuesin e ri.

 

“Ujqërit e dëborës”, pas Abazit, Skënderbeu “i grabit” edhe Rrahmanin Partizanit

Leonit Abazi iu premtua Partizanit, por përfundoi tek Skënderbeu. Amir Rrahmani iu premtua të njëjtës skuadër dhe duket se do të dëgjojë serenata gjatë muajve në vazhdim. Mes Partizanit dhe Skënderbeu do të kemi “luftë” të hapur. E shkuara dhe e ardhmja sfidojnë njëra-tjetrën në merkato, por për fat të keq, titujt nuk hyjnë në punë kur vjen puna te llogaritë bankare. Siç ndodh në çdo treg, edhe në futboll fiton ajo skuadër që ka potencial më të lartë financiar. I kësaj kategorie është edhe Skënderbeu që pasi ka bërë për vetë Leonit Abazin po “josh edhe mbrojtësi i Drenicës, Amir Rrahmani, i cili më parë ka bërë një marrëveshje me “të kuqtë” (ende nuk ka firmosur një kontratë zyrtare). 19-vjeçari i cili është edhe pjesë e ekipit Shpresa, sipas të gjitha gjasave sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e korçarëve në rast se drejtuesit “e kuq”, nuk veprojnë shpejt dhe të firmosin kontratën me të. Mësohet se oferta që drejtuesit e Skënderbeut i kanë bërë futbollistit kosovar ka qenë më e lartë se ajo që i kanë ofruar drejtuesit e Partizanit dhe ky mund të jetë një plus më shumë, që mbrojtësi të zgjedhje ekipin e drejtuar nga Josa.

 

Vendimi

Dortmundi heq dorë nga paratë dhe mban Levandovskin

Presidenti i klubit të Borusia Dortmundit, Hans Joakim Vatcke, ka insistuar se Robert Levandovski nuk do të largohet nga klubi gjatë merkatos verore. Futbollisti ka edhe një vit në kontratën e tij, por finalistët e Ligës së Kampioneve duket se kanë vendosur ta mbajnë atë, edhe pse kjo do të thotë të humbin relativisht shumë nga shitja e tij. “Roberti do të luajë për Borusia Dormtundin në sezonin e ardhshëm. Ky është planifikimi i sigurt që kemi bërë”, – tha Vatcke për mediat gjermane. Sipas tij, çdo fjalë që është thënë për një akord verbal apo të shkruar mes drejtuesve të Borusia Dormtundit, atyre të Bajern Mynihut dhe Robert Levandovskit, është thjesht një trillim mediatik. “Nuk ekziston asnjë premtim. Nuk ka asnjë marrëveshje verbale dhe asnjë marrëveshje me shkrim. Kjo është vetëm një gënjeshtër”, – tha ai, duke përforcuar idenë se bomberi polak nuk do të luante për Bajern Mynihun, të paktën në sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi 24-vjeçar iu bashkua Borusia Dortmundit nga Lek Poznani në vitin 2010. Ai ka luajtur 139 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre, duke shënuar 75 gola.

 

Deklarata

Iniesta: Spanja është në rrugën e duhur

Andres Iniesta është shprehur së është shumë i lumtur me mënyrën se si Spanja fitoi në ndeshjen e parë në Kupën e Konfederatave, duke mundur 2-1 Uruguain. Skuadra iberike shpreson që të fitojë këtë turne për të marrë trofeun e vetëm ndërkombëtar që nuk zotëron në muzeun e vet. “Skuadra dha një performancë të madhe dhe punoi shumë. Ne jemi në rrugën e duhur kur kanë mbetur edhe dy ndeshje në fazën në grup. E dinim që Uruguai do të fillonte takimin në mënyrë agresive dhe nuk do të na lejonte të mendoheshim shumë në zotërimin e topit. Por ne morëm thuajse gjithmonë vendimin e duhur dhe gjetëm ku dukej pasuar në ato momente”, – shpjegoi Inesta. “Në fund kishim pak vështirësi me lagështirën. Kërkonim një gol të tretë, por nuk e gjetëm. Megjithatë, mendojmë se në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë”, – deklaroi lojtari që u shpall “Futbollisti më i mirë” për këtë ndeshje.

 

Merkato

David Luiz nuk mohon simpatinë për PSG-në

Mbrojtësi brazilian i Çelsit, David Luiz, duket se po mendon seriozisht transferimin e tij në radhët e PSG-së gjatë merkatos së verës. Futbollisti ka pranuar se do të dëshironte shumë që t’i bashkohej kolonisë së bashkëkombësve të tij, të krijuar në radhët e skuadrës së kryeqytetit francez. Që në momentin kur u mësua se Zhoze Murinjo do të merrte drejtimin e Çelsit, braziliani ka lëshuar vazhdimisht sinjale të qarta se po merr në konsideratë idenë e largimit. “Unë po flas shumë për PSG-në dhe projektin që ka ky klub me lojtarët e tjerë brazilianë. Klubi bëri një punë të shkëlqyer në kampionatin francez dhe ata kanë futbollistë shumë të mirë si Lukas Moura, Tiago Mota, Maksuell e Tiago Silva. Por e përsëris që këto biseda nuk i kam bërë me askënd tjetër përveç futbollistëve brazilianë”, – tha lojtari.

Mediat angleze kanë raportuar shpesh se Zhoze Murinjo ka dhënë pëlqimin e tij për largimin e brazilianit, të cilin po mendon ta zëvendësojë në qendër të mbrojtjes me Mangalanë, një futbollist që kushton shumë më lirë se David Luizi.

 

 

 

Comments are closed.