Tuneli i Elbasanit dhe taksa “Majko”

0
209

Çelo Hoxha

 

taksatVlera e një vepre publike matet me dobinë e saj. Të kundërshtosh ndërtimin e një vepre të dobishme do të thotë të jesh kundër interesave të shoqërisë. Pikërisht këtë bëri kryetari i opozitës Edi Rama, duke e quajtur tunelin e Elbasanit, i cili u përurua pardje, një “shfaqje të shëmtuar”.

Përurimi i tunelit në mes të fushatës elektorale nuk është një nga sjelljet politike më elegante, por në një vend kur opozita e mohon punën e qeverisë ashiqare, me një makineri propagande agresive, atëherë qeveria është e detyruar të jetë po kaq agresive për të bërë të dukshme punën e saj dhe, dihet, vëmendja më e madhe për një gjë të tillë është në fushatë.

Sidoqoftë, forma nuk e zbeh përmbajtjen. Tuneli i Elbasanit është një vepër e jashtëzakonshme infrastrukturore. Ndryshe nga Rruga e Kombit, e cila ka rëndësi strategjike dhe qëllime afatgjata, tuneli Tiranë – Elbasan dhe anasjelltas është një rrugë me efekt më të shpejtë dhe nga dobia e saj përfiton afërsisht gjysma e popullsisë së Shqipërisë: rreth një milion që jetojnë në Tiranë dhe gjysmë milioni a më shumë që jetojnë rrethet e tjera – Elbasan, Librazhd, Gramsh, Korçë, Devoll, Kolonjë.

Për rëndësinë e rrugëve, Kryeministri Berisha përdori një metaforë të gjetur kur e krahasoi rëndësinë e rrugëve, në fjalimin e përurimit, me rëndësinë e enëve të gjakut për trupin e njeriut. Edhe në vitin 1933, kur Kryeministri Pandeli Evangeli përuroi rrugën automobilistike, e cila zëvendësoi rrugën e kafshëve. Ajo rrugë, asokohe u shkurtua me rreth 70 km, sipas ministrit të Punëve Botore, Sandër Saraçi. Kjo rrugë tashmë u përgjysmua, në 27 km, por më e rëndësishme është që u shkurtua në kohë më shumë se tri herë. Rruga që më parë bëhej për më shumë se një orë, tashmë bëhet për rreth 20 minuta. Përveç kësaj, u eliminua edhe rrezikshmëria që paraqiste rruga e vjetër buzë humnerave.

Edi Rama u mundua ta zhvlerësonte punën e qeverisë, duke thënë, në mitingun e tij në Elbasan, në të njëjtën ditë me përurimin se tuneli (dhe gjithë rruga) u bë me paratë e qytetarëve. Kjo është e vërtetë, por është një e vërtetë që dihet. Çdo qeveri punon me paratë e qytetarëve, sepse taksat janë burimi i buxhetit të shtetit. Edhe qeverisja socialiste paratë e qytetarëve menaxhoi, por bëri shumë pak në dobi të qytetarëve. Kur ishte Kryeministër Pandeli Majko, i cili është pjesë e grupit politik të Edi Ramës, jo vetëm që nuk i menaxhoi mirë taksat e qytetarëve, ai u ndryshoi destinacionin edhe parave të mbledhura nga një taksë me destinacion të specifikuar. Qeveria e tij vendosi një taksë për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës (Rruga e Kombit) dhe nuk ndërtoi asnjë centimetër në atë rrugë. Ky është një bilanc që duhet të kujtohet, një ballafaqim që duhet bërë. Rruga që qeveria socialiste e zotit Majko nuk e ndërtoi kurrë nuk ishte premtim i pambajtur, por mashtrim i hapur (dhe ka rrezik të jetë edhe krim financiar, por prokuroria nuk u mor kurrë me këtë çështje).

Ndërsa deklarata e deputetit socialist Ben Blushi, i cili për ironi do të dalë deputet në qarkun e Elbasanit, se gjoja do të merrte teserën e PD-së, nëse qeveria hapte tunelin e Elbasanit, tregon një gjë: mosbesimin e tij dhe të partisë së tij që një vepër e tillë mund të realizohej. Tani që rruga u ndërtua, ai nuk duhet të marrë teserën e PD-së, siç ia kërkojnë me ironi kundërshtarët, por ka nevojë të mos i lërë gjërat në heshtje. Ai duhet t’i dalë të ironisë së fatit përpara, duke kërkuar ndjesë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency