Standard.al

Të përndjekurit, këtë javë pagesa e këstit të dytë

Driçim Çaka

perndjekuritMbyllet brenda muajit pagesa për këstin e radhës

Më shumë se gjysma e dosjeve janë paguar

 

Këtë javë do të bëhet pagesa e këstit të dytë për ish-të dënuarit politikë. Burime pranë sektorit të pagesave në Ministrinë e Financave bëjnë me dije se janë gati emrat e ish-të përndjekurve që do të marrin këstin e dytë. Kësti jepet në bazë të radhës kronologjike të ndjekur gjatë pagesës për këstin e parë. “Pagesa kryhet në bazë të listës që është dhënë kësti i parë. Familjarët e ish-të dënuarve duhet të presin radhën për të marrë këstin. Ashtu siç kanë pritur për këstin e parë, ashtu do të paguhen edhe për këstin e dytë. Nuk do të ketë asnjë emër i cli do të dalë jashtë radhe”, – përmendin burime të gazetës. Pak kohë më parë, ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka premtuar se brenda muajit qershor do të bëhet pagesa për të gjithë ish-të dënuarit politikë. Sipas burimeve, ky nuk është një premtim elektoral dhe të gjitha dosjet janë drejt mbylljes së procedurave. Kjo do të thotë që këtë javë do të dalin 2 ose 3 lista me familjarët që dëmshpërblehen dhe gjatë fundit të muajit do të mbyllet kësti i dytë.  “Aktualisht kemi me qindra dosje drejt mbylljes së procedurave dhe më pas i kalojmë për publikim. Ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin që në momentin kur publikohet emri, nuk hidhen menjëherë lekët në bankë. E gjithë procedura e transferimit të lekëve zgjat 15 ditë, që do të thotë nëse emri del sot në datën 17, atëherë lekët do të hidhen në një nga bankat e nivelit të dytë në datën 1 ose 2 korrik”, – theksojnë burimet.

Shifrat

Të dhënat nga sektori i pagesave bëjnë me dije se janë paguar më shumë se gjysma e ish-të përndjekurve politikë dhe pjesa tjetër do të mbyllet në ditët në vazhdim. Shumica e ish-të dënuarve që u ka dalë emri, i kanë marrë paratë, ndërkohë që pjesa tjetër do t’i marrë në momentin që mbyllet transferimet në bankë. Shifrat tregojnë se Ministria e Financave është në rrugën e duhur për të mbyllur sa më shpejt procesin e dëmshpërblimit. Lidhur me faktin nëse të gjitha dosjet do të mbyllet para datës 23 qershor, burimet theksojnë se do të varet nga intensiteti i punës. “Mos mendoni se me dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë mund të luhet për fushatë. Jo! Të gjithë ata që jetojnë por dhe trashëgimtarët, kanë të drejtën ligjore për të marrë këstin e tyre. Kurd he sa, kjo varet nëse ne do ta arrijmë të mbyllim dosjet. Me këtë ritëm pagesa do të kryhet brenda afateve”, – përmendin burime të gazetës.

Dëmshpërblimi

Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë do të kryhet me 8 këste. Ligji parashikon që çdo këst të jepet brenda një viti. Përparësi kanë ata ish-të dënuar të cilët jetojnë, ndërkohë që familjarët do të marrin sipas radhës të paracaktuar.
             Basha: Kompensim tokës së prekur nga ndërtimet në kohën e Ramës

Kreu i bashkisë, Lulzim Basha, ka përuruar dje nisjen e punimeve për sistemimin e lumit të Lanës dhe rrugëve paralele me të. Kryebashkiaku ka garantuar të gjithë qytetarët që preken nga ndërtimi i kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore, se do të kompensohen për çdo centimetër prone që do u preket. Basha tha se do të kompensohen edhe ata pronarë, të cilëve iu prishën shtëpitë nga ish-kryebashkiaku, pa u dhënë asnjë zgjidhje, ndonëse ishin në proces legalizimi. “Këtu ku ndodhemi, para pak vitesh u shembën disa banesa me leje, në truallin e tyre dhe sot e kësaj dite, banorëve të cilëve iu shembën këto banesa nga Bashkia e Tiranës, nga ish-kryetari, akoma nuk u është dhënë asnjë zgjidhje. Ky ka qenë qëndrimi, në raport me pronarët e ligjshëm dhe të legalizuar dhe ky ka qenë qëndrimi edhe me ata që ishin në proces legalizimi. Jam sot për t’i garantuar ata pronarë që ishin viktima dhe jo përfitues të investimit, por po kështu për të garantuar të gjithë pronarët që preken nga investimi i mëtejshëm, se Bashkia e Tiranës në këtë drejtim të ri do t’i shpërblejë ata për çdo centimetër katror dhe nuk do t’i lërë të humbasin asnjë vlerë të krijuar në këto vite, nëpërmjet investimit të tyre”, – u shpreh kryetari i bashkisë. Po kështu, Basha vlerësoi investimin e ri të bashkisë, i cili do të rregullojë përfundimisht lumin e Lanës. “Fillimi i këtij investimi madhor është për qytetin e Tiranës një lajm dyfish i mirëpritur. Pikë së pari, sepse me përfundimin e këtij investimi merr fund kalvari i jashtëzakonshëm i banorëve përreth pjesës së pasistemuar të Lanës. Kjo pjesë e lumit i nënshtrohet të njëjtit sistemim dhe parametrave më modernë të rehabilitimit, njësoj si pjesa në qendër shtrohet me rrugë anësore në të dyja anët dhe lidhet me pjesën e Unazës së Madhe që qarkon jugun e qytetit tonë. Së dyti, vlera infrastrukturore e këtij investimi do të mundësojë çlirimin e mëtejshëm të trafikut në qytet, përshkimin në një kohë shumë më të shkurtër nga një cep i qytetit në tjetrin, pra më pak trafik, më pak kohë e humbur, më pak para të humbura, më pak nerva të shkatërruara për qytetarët e Tiranës”, – u shpreh Basha. Kreu i bashkisë ka theksuar se “kjo është rruga për të ecur përpara dhe për të mos u kthyer pas, ndaj më 23 qershor qytetarët e Tiranës do të zgjedhin të ecin përpara”.

 

KESH: Energji pa ndërprerje gjatë muajve të verës

Qytetarët shqiptarë do të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike gjatë muajve të verës. Ky është premtimi i drejtorit të KESH-it, Halit Velaj, i cili tha se është krijuar një sasi prej 1.5 milionë kilovat orë energji për t’u përdorur gjatë periudhës së verës. “Sot (dje) që ne flasim kemi një rezervë energjetike në kaskadën e Drinit, rreth 1,5 miliardë kv e cila na bën optimist, pasi garantojmë sezonin e verës dhe atë turistik pa ndërprerje të energjisë. Furnizojmë CEZ-in në çdo moment me të gjithë sasinë e nevojshme”, – tha Velaj. Kreu i KESH-it ka bërë të ditur se nga eksporti i energjisë u grumbulluan rreth 30 milionë euro, të cilat u përdorën për të kompensuar 60% të familjeve të prekura nga përmbytjet e hapjes së digave. “Në momentet që ne filluam të eksportonim, atëherë një ndër detyrimet bazë ishte edhe shlyerja apo zhdëmtimi i zonave të përmbytura. Aktualisht është shlyer rreth 60% e dëmshpërblimeve”, – theksoi drejtori i KESH-it.

 

Ndërtimet pa leje, Hoxha: Qytetarët të denoncojnë çdo rast

Në kohën që shumë familjarë dhe biznese përdorin fushatën elektorale si arsye për të bërë ndërtimet pa leje, Inspektorati i Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës ka vazhduar aksionin për prishjen e çdo shtese në pallate apo shtëpi private. Pas denoncimit nga qytetarët, inspektorati ka ndërhyrë dje për të prishur një shtesë pa leje në katin e shtatë të një pallati në rrugën “Naim Frashëri”. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha, ka garantuar se me forcën e ligjit do të goditet çdo tentativë e ndërtimit pa leje. “Duke marrë shkas nga shqetësimet e banorëve të pallatit, ne po ndërhyjmë sot me forcën e ligjit për të goditur këtë objekt, i cili është ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Edhe njëherë i garantojmë qytetarët e Tiranës, se ne do të jemi 24 orë në dispozicion të tyre dhe mirëpresim çdo telefonatë apo informacion, në lidhje me ndërtimet pa leje. Gjithashtu, i garantojmë ata se do të godasim çdo ndërtim të paligjshëm që do të bëhet brenda territorit të qarkut të Tiranës dhe të Bashkisë së Tiranës”, – deklaroi Hoxha.

 

 

Comments are closed.