Në garë për të garantuar rehatinë e konformistëve

0
126

politikaÇelo Hoxha

 

Sistemi propocional rajonal i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale në Shqipëri, i cili në 23 qershor do të zbatohet për herë të dytë, riktheu në fillim të majit të njëjtin debat si katër vjet më parë. Përgatitja e listave të deputetëve vazhdon të provokojë reagime sa herë që shfaqet.

Edhe kësaj radhe, kryetarët e partive i dorëzuan listat në minutat e fundit të skadimit të afatit dhe, shumë depuetë ose kandidatë në pritje, mësuan për kandidimin e tyre ose jo në lista, thujase njëkohësisht me publikun, i cili e ndiqte procesin në televizor.

Përgatitja e listave të kandidatëve është gati 90 për qind e punës së procesit elektoral në Shqipëri. Një milionë e ca votuesve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u mbetet shumë pak për të bërë ditën e zgjedhjeve. Roli i zgjedhësve është minimizuar aq shumë, sa që, sikur emrat e deputetëve që mbeten të përcaktohen nga votimi, të bëhej me zar, nuk do ta cenonte fare demokracinë shqiptare, madje do t’i kursente taksapaguesit shpenzimet e procesit, zgjedhësve kohën, dhe liederëve të partive ngjirjen e zërit nga mitingjet.

Sistemi zgjedhor propocional rajonal ka sjellë një trazim, shoqëria ende nuk është rehatuar me të. Për një kohë të gjatë, 15 vjet gjithësej, shqiptarët kishin votuar sipas modelit mazhoritar. Garohej në çdo zonë elektorale me emra të përveçëm. Çdo kandidat partie duhej të vendosej në zonë e të punonte me elektoratin. Mazhoritari e impononte kandidatin të përqëndrohej te zona e tij, të njihte  nevojat specifike të elektoratit, sepse përgjegjësia ishte direkte. Kandidatëve u duhej të djersinin deri minutën e fundit të zgjedhjeve.

Propocionali rajonal është komod për gjithë ata që kanë fatin të futen në listën e deputetëve. Shqipëria është e ndarë në zona elektorale sipas qarqeve, çdo qark ka një numër deputetësh që duhet të zgjedhë. Në Tiranë partitë garojnë për 32 deputetë, në Kukës për 4, e kështu me radhë. Numri i deputetëve është përcaktuar në raport me numrin e banorëve të qarkut. Zgjedhësit nuk votojnë më për një deputet, por për një skuadër. Në fletën e votimit nuk ka emra kandidatësh, zgjedhësit votojnë për emrat e partive.

Kjo mënyrë e përzgjedhjes së kandidatëve konsiderohet nga shumë vetë si emërim i deputetëve, sepse, bazuar në lista dhe orientimin politik të zgjedhësve, shumica e deputetëve që do të shkojnë në Kuvendin e ri dihen. Për shembull, Gjirokastra ka pesë deputetë. Në zgjedhjet e kaluara PS mori 3, ndërsa PD dy. Që njëra palë të marrë dhe një deputet më shumë (PS t’i bëjë 4, ose PD 3) duhet të ketë një lëvizje të elektoratit nga e majta në të djathtë, ose anasjelltas, me rreth shtatë mijë vota. Një gjë e tillë është shumë e vështirë të ndodhë, kështu që deputetët e Gjirokastrës dihen pa u zhvilluar ende zgjedhjet. Ata do të jenë tre të parët në listën e PS dhe dy të parët në listën e PD. Në atë qark zgjedhjet morën fund ditën që PD dhe PS shpallën listat. Kjo ka ndodhur me shumë qarqe. Ajo që u ka mbetur pa bërë banorëve mbi 18 vjeç të këtyre qarqeve është një shëtitje më 23 qershor nga shtëpia deri në qendrën e votimit dhe kthim. E zhveshur nga misteri, fushata në këto qarqe do të jetë harxhim kohe dhe paraje. Nëse ajo nuk bëhet, atëherë do të vërtetohej dyshimi që ekziston: a kemi demokraci funksionale? A mos vallë propocionali rajonal u ka dhënë shumë pushtet kryetarëve të partive? A mund të konsiderohet Shqipëria si diktaturë me pushtetin në duart e dy njerëzve?

Me siguri mund të thuhet kjo: kodi zgjedhor ekzistues i bën kryetarët e partive shqiptare shumë të fortë. Ata mund të kontrollojnë (dhe i kontrollojnë) totalisht grupet parlamentare të partive. Kushdo që drejton një parti pëlqen që ta ketë kompakte atë, por kjo mund të realizohet në dy mënyra, ose përmes autoritetit të kryetarit, ose me anë të demokracisë së brendshme.  Siç janë gjërat ekziston mundësia (dhe kjo është provuar) që përgatitja e listave të përdoret si mjet presioni nga kryeatrët. Deputetët gjatë katër vjetëve mund të kenë frikë të thonë një mendim ndryshe, sepse mund të përjashtohen nga lista në prag të zgjedhjeve. Edhe ata që aspirojnë të bëhen deputetë një ditë, duke e patur mendjen te lista dhe duke e ditur që gjithçka është në dorën e kryetarit, mund të bëhen konformistë. E keqja e konformizmit çon në dobësimin e demokracisë dhe devijimin e qëllimit të saj, sepse deputetët i nënshtrohen vetëm vullnetit të kryetarit. Përveç kësaj, konformizmi sjell një deformim tjetër, që dikush të bëhet deputet duhet të ketë parësor interesat e tij personal (futjen në Kuvend) dhe një kauzë konformsite, në rast të kundërt ai flaket tutje dhe s’ka asnjë mundësi të punojë, nëse mbron një kauzë me interes për shoqërinë. Nëse demokracia e brendshme e partive do të ishte funksionale, atëherë frika nga pushteti i kryetarëve do të ishte më e vogël. Për shembull, organi i partisë që zgjedh kryetarin me votë, mund të votonte dhe një listë të caktuar për kandidatët e partisë përpara zgjedhjeve. Firma e kryetarit në dokumentin që dorëzohet në KQZ të ishte një formalitet. Përpara votimit në asambletë e partive, seksionet e partive në qarqe mund të bënin një votim për kandidaturat që ata do të pëqlenin të kishin në rrethe dhe propozimet e tyre t’i bashkangjiteshin listës së madhe në asamble. Një pikë tjetër e demokracisë së brendshme të partive është bashkëjetesa e mendimeve të ndryshme (ndoshta dhe të kundrta) brenda partisë, gjë prej të cilës tremben zakonisht kryetarët sepse u kërcënohet votimi unik në Kuvend si grup parlamentar. Edhe kjo çështje, nëse ekziston vullneti, është lehtësisht e zgjidhshme. Mendimi brenda partisë mund të unifikohet me anë të votës. Për çështje që brenda grupit parlamentar të një partie ka disa pikëpamje, atëherë, para se të votohet në Kuvend, grupi parlamentar i partisë mund të bëjë votim të vetin, dhe pikëpamja që merr më shumë vota të mbrohet, në mënyrë uniforme, nga të gjithë deputetët e partisë në Kuvend. Ata që humbasin në votimin brenda grupit parlamentar duhet të pranojnë faktin që janë pakicë dhe të vazhdojnë t’i binden vullnetit të shumicës brenda partisë, kurse në Kuvend duhet të votojnë, pavarësisht se janë kundër, në interes të partisë. Mes votimit uniform të deputetëve në Kuvend, pas një votimi brenda grupit paralamentar, dhe votimit uniform të deputetëve të zgjedhur nga kryetari ka një dallim të madh. Në rastin e parë uniteti realizohet përmes displinës, në rastin e dytë përmes konfomizmit. Displina është një sjellje e vetëdijshme, e dinjitetshme, kurse konformizmi është një sjellje e ulët, që e bëjnë zakonisht karakteret e dobëta.

Më shqetësues se realiteti i dukshëm, janë arsyet që çuan në ndërrimin e kodit zgjedhor katër vjet më parë. Asokohe ishte në pushtet PD, por ajo nuk i kishte votat e nevojshme për të bërë ndryshime në kushtetutë. Megjithëse marrëdhëniet e saj dhe PS ishin të acaruara, ato u ulën dhe i bënë ndryshimet që janë ligj sot. PD, për hir të vërtetës duhet thënë, i la dorë të lirë PS të propozonte çfarë do lloj kodi që dëshironte dhe ky kod është vepër e të majtës. Krijuesi i tij ishte një deputet socilaist, Kastriot Islami, i cili ra viktimë e krijesës së tij. Kodi i ri më shumë i interesonte Edi Ramës. Ky kod i jepte atij mundësinë që të kontrollonte PS, e cila, pas largimit të Fatos Nanos si kryetar (2007), ishte një kakofoni zërash. Një pjesë e mirë e kishin të vështirë t’i bindeshin kryetarit, sepse kishin realisht profil politik më të lartë se vetë ai. PD nuk i tha jo, por nuk kishte shumë nevojë për të. Sali Berisha e ka kontrolluar atë parti edhe pa një ligj të tillë, për shkak të natyrës së tij imponuese dhe profilit të tij politik dominues në atë parti që nga ditët e para të saj. Dhe, duke shfrytëzuar kodin e ri, zoti Rama filloi spatstrimin e partisë nga njerëzit guxonin të flisnin ndryshe nga ai. Një nga këto viktima është hartuesi i këtij kodi. Në zgjedhjet e 23 qershorit, zoti Islami garon në listat e PD.

 

Shënim: Ky shkrim është botuar në numrin e fundit të revistës mujore Shenja, që del në Maqedoni. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency