Berisha apo Rama, kush është më i vjetruar?

0
147

truriNga Xhevat Mustafa

Në një nga mesazhet e fundit, të dt. 11 qershor, që u ka dërguar në facebook mbështetësve të tij, lideri i PS-së, Edi Rama, mes të tjerave, shkruan: “…Saliu është plak i lodhur…Forca miq, flisni kudo dhe me këdo. Rilindja po vjen!”. Kjo thirje nga  goja e Edi Ramës mund të interpretohet po në shqip edhe në variantin:  “Njerëz socialistë dhe antiBerishë, ngrihuni dhe bashkohuni të gjithë, flisni dhe votoni kundër tij, sepse, pas kaq vjet betejash me të  unë ndjehem i lodhur, nuk kam më as fuqi dhe as mundësi ta largoj nga pushteti dhe t’ia rrëmbej kolltukun e kryeministrit!”.

Edhe disa spote elektoralë të dy javëve të para të qershorit, lënë të kuptohet se socialistët e angazhuar për realizimin e tyre, përsërisin si papagaj çka u ka urdhëruar apo mësuar Shefi dhe Shtabi elektoral, kur thonë se “Berisha është lodhur, ai nuk ka më takat…ai është gjysh, 70 vjeç, duhet të largohet”. Përveç cinizmit dhe humbjes së vetëpërmbajtjes e të besimit në fitore, sulmimi i kryeministrit tek mosha, qenia gjysh dhe lodhja, shpreh edhe varfëri faktesh, argumentesh dhe ndjesish njerëzore nga Edi Rama. Në të vërtetë, të paktën për traditën dhe mentalitetin shqiptar, bërja gjysh është burim kënaqësie dhe lumturie. Përqafimet dhe buzëqeshjet e nipërve dhe mbesave të heqin si me magji lodhje e mërzi, të shtojnë optimizmin dhe jetën, janë “tabletat” më të mira antistres. Ndoshta kur të bëhet gjysh nga i biri, Gregu, Edi Rama do ta provojë këtë lumturi dhe atëherë do të kuptojë se ka gabuar rëndë që e ka sulmuar Berishën më 2013 në këtë pikë.

Vetë Berisha, deri më sot, nuk është dëgjuar asnjëherë publikisht të ankohet se ndjehet i lodhur. Megjithatë, duke qenë të dy njerëz tokësorë e jo robotë, nuk mund të mohohet se këto vite betejash me njeri-tjetrin dhe jete aktive politike brenda dhe jashtë vendit, intensiteti i  axhendave për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit, edhe i kanë lodhur dhe konsumuar. Natyrshëm shtrohet pyetja: Kush është lodhur, vjetruar dhe konsumuar më shumë, Berisha apo Rama?

Si moshë, ndryshimi mes Berishës dhe Ramës është afro 20 vjet. Berisha ka lindur më 15 tetor 1944 dhe është  afro 69 vjeç, ndërsa Edi Rama më 4 korrik 1964 dhe është afro 49 vjeç. Sali Berisha është i martuar, siç duket, një herë e përgjithmonë; është baba i dy fëmijëve dhe gjysh prej tyre disa herë.

Nga 1991-1997 Rama jetoi për periudha të gjata në Francë dhe Gjermani, duke u ngulur më gjatë në Paris. Për 11 vjet ose 3 mandate ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, prej rreth 8 vjetësh është kryetar i PS-së, e tj. Edi Rama ka tri martesa ligjore dhe dy bashkëjetesa; një djalë nga martesa e parë me aktoren e talentuar e që premtonte shumë, Matilda Makoçi, të cilës, fatkeqësisht, bashkë me familjen dhe lumturinë ju shkatërrua edhe karriera si aktore.

Pra, si moshë dhe vjetërsi karriere profesionale dhe politike, Berisha është më i vjetër, por jo më i vjetruar. Kushdo që ka ndjekur takimet dhe mitingjet e tyre elektorale gjatë këtyre 3 muajve të fundit, edhe aktivitetet më të freskët, paraqitjen dhe fjalimin e Edi Ramës në Tepelenë dhe të Sali Berishës, po atë ditë, në mitingun e Dibrës, më 12 qershor, Rama dukej më i lodhur, i ngjirur, i zymtë, ndërsa Berisha më energjik, më karizmatik, më i qeshur, më optimist, dhe si rrjedhojë, më sensibilizues, më emocionues, më  mbresëlënës e më i besueshëm. I tillë Berisha u tregua edhe më 14 qershor, në intervistën me Arian Çanin tek “Zonë e lirë”, në TV KLAN. Edhe pse ishte afro 70 vjeç ai nuk kontrastoi shumë me dhjetëra të rejat e të rinjtë që mbushnin sallën, sepse diti të sinkronizohej shumë mirë me ta për nga memoria shumë e freskët, nga dinamizmi, preferencat artistike, informacioni poliedrik bashkëkohor, me pasionin dhe shkathtësinë për përdorimin e facebook-ut e të iPhone-ve, e tj…

Një tifoz i Ramës mund të thotë se dukja si i lodhur, i mplakur dhe i dehur e Ramës në veprimtaritë e 12 qershorit, sidomos në Tepelenë, ku u bë qesharak  para tepelenasve, kur  u premtoi rrugën për në Gjirokastër dhe ujin, që ua ka siguruar prej kohësh qeverisja e Berishës, është përshtypje personale e autorit. Ose, nëse nuk do të tregohet militant i verbër, mund edhe të  të pranojë se vërtetë atë ditë Edi nuk ishte në formë të mirë. Por, nëse do të gërmojmë më shumë në arkiva dhe kujtesë do të dalë se ky nuk është rast i rrallë. Kjo mund të shpjegohet me faktin se ka plot njerëz që nuk i tregojnë në pamje vitet e vërtetë që kanë në dokumente zyrtare. Ka raste kur edhe mes dy vëllezërve, njëri 40 vjeçar duket si 60-të, dhe në të kundërtën, 60 vjeçari duket si 40. Në raste të tilla për atë që duket më i mplakur thuhet se“e ka vrarë jeta”, ose” e ka vrarë pija”, ose ”e kanë vrarë veset”.

Sipas kësaj analize, mund të thuhet se Sali Berisha bën pjesë në atë kategori njerëzish që mplaken më ngadalë e që nuk e tregojnë moshën e vërtetë, që kanë energji, dinamizëm dhe ditë pune, thuajse të një makinerie prej mishi e gjaku. Duke folur në mënyrë figurative truri i tij, çuditërisht ka kujtesë shumë të freskët, si të një studenti, mund të cilësohet edhe bibliotekë apo arkiv. Por, dukja e tij në fytyrë, trup, lëvizje, gjeste, fjalime, intervista, në not, ecje, në memorie, e tj., më i  ri se sa është në të vërtetë, nuk duhet të jetë thjeshtë shprehje e genit apo e trashëgimisë.  Këtë ai duhet ta ketë dhuratë edhe nga mënyra përgjithësisht e rregullt  e jetesës, e ushqimit si dhe nga intensiteti gati i njëjtë i ngarkesës ditore fizike, zyrtare dhe intelektuale, përgjithësisht me rreth 12-16 orë aktive. Gjithashtu, rol të ndjeshëm duhet të kenë pasur edhe  normaliteti dhe qetësia e jetës bashkëshortore; kënaqësitë e shumta si prind, si gjysh, si lider partie, si president, si kryeministër, si kushëri,  si mik, si koleg. Nga shumë burime të besueshme konfirmohet se Berisha ka bërë jetë familjare të rregullt, pa drama dhe strese të mëdha, me të cilat, përgjithësisht, janë të shoqëruara para dhe pas tyre divorcet dhe bashkëjetesat jetëshkurtra. Siç dihet këto i ka përjetuar me bollëk Edi Rama. Si rrjedhojë, Berisha nuk e ka ndjerë nevojën e qetësimit dhe ngushëllimit të përkohshëm tek pijet alkolike dhe tek qetësues të ndryshëm.

Përveç këtyre, dizavantazhin e qenies 20 vjet më i madh se Edi Rama, lideri i PD-së e kompenson apo e zhvleftëson, në mos plotësisht, ndjeshëm, edhe me avantazhin e tij në formimin e gjerë dhe të thellë intelektual; me përvojën shumë më të pasur në politikë dhe qeverisjen qendrore; me përfshirjen në ekipin e këshilltarëve, të deputetëve e të ministrave të tij të shumë specialistëve të rinj në moshë, përgjithësisht të diplomuar dhe të specializuar në universitete prestigjioze të Europës Perëndimore dhe SHBA-së, e tj. Gjithashtu, mund t’i kujtonim Edi Ramës dhe njerëzve të tij që nuk e fshehin cinizmin kur i thonë Berishës se “është mplakur dhe nuk ka më takat”, se mosha e re është e domosdoshme në sporte dhe punë që kërkojnë forcë fizike, se në politikë, qeverisje, kulturë, shkencë, kërkesa parësore duhet të jenë profesionalizmi dhe intelektualizmi i lartë, pjekuria e madhe, përvoja e pasur dhe sigurisht, shëndeti i mirë fizik e mendor. Duke iu referuar moshës, sipas  përvojës ndërkombëtare,  në shumë vende, 65-75 vjeçarët në politikë e diplomaci, në nivelet e larta të institucioneve qeveritare dhe shtetërore, në radhët e deputetëve dhe të senatorëve, gjenden shpesh e në poste kyçe. Përgjithësisht shquhen për pjekuri, rendiment, përkushtim cilësi të lartë në kryerjen e detyrave. Kështu, kryeministri aktual i Indisë, Dr. Manmohan Singh është 81 vjeç, presidenti italian Napolitano fitoi mandatin e dytë duke qenë 88 vjeç. Po nga Italia fqinjë, kur lanë postet ish kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi ishte 75 vjeç, ndërsa Mario Monti 70 vjeç. Presidenti i Cekisë, Vaclav Klaus ka lindur më 19 qershor 1941 dhe është 72 vjeç. Duke marrë një shembull nga vendi ynë, Alfred Moisiu, ishte President i Republikës  deri në moshën 78 vjeçare.

Nga ana tjetër, ka edhe plot njerëz, që edhe pse janë të rinj në moshë dhe në dokumente zyrtare, duken më të plakur dhe në të vërtetë mplaken para kohe, si fizikisht, ashtu edhe fiziologjikisht,  psikologjikisht, në sjellje, shije, mendime, gjeste…Edhe për këta nuk përjashtohet ndikimi i genit, por përcaktuese janë prishjet e rregullsive në mënyrën e jetesës, të ushqimit, të pijeve… Përgjithësisht njerëz si këta mplaken para kohe nga vonesat në gjetjen e gruas së jetës ose divorcet e shpeshtë, të paraprirë e të pasuar nga sherre të vazhdueshme dhe depresion i tejzgjatur e shkatërrues jo vetëm për gjumin. Këta njerëz mbyllen në vetvete, bëjnë jetë bohemësh ose hipish, abuzojnë me gjumin, me seksin, me dozat e pijeve, bëhen agresivë, të dhunshëm, individualistë, arbitrarë…

Siç mund të kuptohet në këtë kategori njerëzish mund të futet edhe lideri i PS-së dhe i të majtës sonë, Edi Rama. Për të mos ia ngrënë hakën dhe për të qenë sa më objektiv, kur e erdhi nga Parisi më 1997 deri në fund të mandatit të parë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi ishte me vizion, projekte, dëshira dhe ëndrra, që shquheshin edhe për modernizëm, antikonformizëm apo antitradicionalizëm. Pikërisht për këto fitoi shpejt dhe masivisht tifozë dhe mbështetës, sidomos në radhët e rinisë. Por, lidhja e ngushtë me disa shokë apo ortakë nga fusha e biznesit; jeta si prej veterani në Pezë, abuzimet me lloj-lloj pijesh, me gjumin, ndoshta dhe me seksin; privilegjet, përfitimet  e tjera të bollshme të postit si kryebashkiak, nënkuptohet se duhet të kenë shkaktuar pagjumësi, plogështi, lodhje, ftohje të pasionit të fillimit, harresën e ideve dhe të projekteve novatore dhe zëvendësimin e tyre me mendësi dhe praktika të moçme dhe antidemokratike. Si rrjedhojë, erdhi vjetrimi e vegjetimi si kryebashkiak në dy mandatet e tjerë.

Me bllokimin prej afro një viti të 3 ligjeve si kusht për marrjen e statusit të vendit anëtar në BE, Edi Rama tregoi jo vetëm mungesë kulture konsensusi, kompromisi dhe bashkëpunimi në emër të interesave mbarëqytetare dhe kombëtare, por edhe mplakje të tij si politikan dhe  lider partiak.

Krahasuar nga ana konceptuale, kompozicionale dhe regjisoriale fushata e PD-së apo e Berishës, falë edhe konsulencës elitare ndërkombëtare, që betejën më të freskët e ka përmbyllur me fitore bindëse, duket më e larmishme, më moderne, më rinore, më konkrete dhe më sensibilizuese në shifrat e arritjeve dhe të premtimeve, më e besueshme për nga veprat, që nuk mbulohen dot me baltën dhe blozën që hedh mbi to propaganda e PS-së.

Edhe flakja nga radhët dhe listat e kandidatëve të PS-së e atyre që i shkaktuan telashe dhe kokëdhëmbje, në fund të fundit, shpreh se Edi Ramës i janë dobësuar apo mplakur nervat dhe durimi si dhe stili i drejtimit.

Duke e përmbyllur, në disa qëndrime, fjalime apo biseda televizive Edi Rama është dukur dhe po duket më “i moshuar” edhe se Dritero Agolli, Servet Pëllumbi, Alfred Moisiu…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency