Shqipëria: zgjedhjet kruciale edhe për Evropën

0
138

vota“Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë ambig për sa u përket zgjedhjeve në Shqipëri. Standartet evropiane duhen respektuar. Është e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, është e rëndësishme për të gjithë Evropën”, – shprehet në një intervistë, Gerald Knaus, drejtor i ESI-t, organizatës së ideve (Think Tank) Evropiane dhe Iniciativës për Stabilitet, si dhe bashkautor i raportit të fundit “linjat e kuqe për Shqipërinë-Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet parlamentare të qershorit”. Në një intervistë, Knaus ngre pyetjen se, çfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian për të evituar, që polarizimi aktual në Shqipëri, të falimentojë zgjedhjet e ardhshme.

Shumë zgjedhje paraardhëse kanë qenë kontroverse, me parregullësi dhe rezultate elektorale, të vëna në diskutim. Ka ndodhur edhe në zgjedhjet e fundit, në vitin 2009, kur pas tyre politika rezultoi e paralizuar, ndërsa parlamenti i bojkotuar. Mundet të shpresohet për një rezultat pozitiv, në këto zgjedhje qershori, por në fakt politika ndërkombëtare ka më shumë se kurrë frikë, se do të ndodhë e kundërta dhe zgjedhjet do të jenë në një fije peri. Ato rrezikojnë të jenë të kontestuara, sipas tyre, dhe çdo parti do të përpiqet, që të verë nën presion administratën elektorale. Në fund, kush do të humbasë, do të verë në dyshim rezultatin zgjedhor dhe do të protestojë. Në këtë skenar, humbësi i madh është vetë Shqipëria. Ky është alarmi, apo parashikimi me nota mjaft të errëta i Gerald Knaus.

Evropa e ka shprehur qartë se, nga politika shqiptare pritet që të respektohen standartet evropiane. Por, shpesh edhe vetë ndërkombëtarët, kanë qenë të paqartë se çfarë konkretisht janë linjat e kuqe, që nuk duhen tejkaluar nga politika e Tiranës. Nëse linjat e kuqe tejkalohen dhe thyhen rregullat, atëhere BE duhet ta denoncojë më bindshëm. Gjithsesi, duhet bërë brenda një norme, pa ulur fleksibilitetin e saj. Mbi të gjitha, ajo që po kërkohet nga këto “Think Tank”-e, është që Evropa të qëndrojë e bashkuar, pasi shpesh përballemi në mënyrë të vazhdueshme me deklarata kontroverse edhe nga vetë BE-ja.

Janë propozuar disa linja të kuqe, specifike, që kanë lidhje me elemente esenciale por, që përsëri sipas tyre, janë vënë në diskutim në Shqipëri: “Zgjedhjet e funksionarëve që kanë për detyrë mbarëvajrtjen e votës, numërimin, dhe procesin e vlerësimit të ankesave d.m.th gjykatave. Ankesat duhet të vlerësohen, në respektim të procedurave, të parashikuara nga kodi zgjedhor. Nëse ka probleme, ato mund të zgjidhen, përmes një procesi ankimimi, që funksionon, ku rol të rëndësishm luan KQZ-ja.

Ajo që ende ndërkombëtarët i bën ambigë, në deklarata, është se ata nuk kuptojnë mentalitetin politik partiak shqiptar. Ata ende nuk e kuptojnë se, mbetet në letër, ose në dëshirën e tyre, që marrëveshja politike të mund, të shndërrojë, apo prodhojë disa individë antipartiakë, apo të imunizuar nga politika dhe të veshur pastaj me pushtetin e ligjit. Këtë luks Shqipëria nuk e ka fituar ende. Dorëheqja e 3 anëtarëve të KQZ-së, tregoi pikërisht lidhjet e forta që kanë ende këta anëtarë të KQZ-së, me partitë që i kanë propozuar.

Një dorëheqje “en block”, siç ndodhi me anëtarët e KQZ-së, nuk tregon për një individ të pavarur në vendimmarrje. “Anëtarët e KQZ, thotë Knaus, zgjidhen mbi bazë politike, por pastaj shndërrohen në diçka tjetër, si p.sh, anëtarët e gjykatës së lartë amerikane, të zgjedhur nga presidenti dhe senati, ata bëhen gardianët e rregullave. Ka një motiv se, përse zgjidhen për 6 vjet dhe nuk mund të hiqen vetëm nëse kryejnë një krim. Ata duhet të veprojnë në bazë të ligjit elektoral dhe të mos jenë përfshirë në politikën e partive”, -shprehet Knaus. Në fakt, me këtë logjikë, edhe ligji elektoral, të cilit duhet t’i binden anëtarët e KQZ-së, nuk e parashikon dorëheqjen për motive morale, apo integriteti. Kjo gjithmonë, nëse e trajtojmë problemin thellësisht juridik.

Pikërisht ky është alarmi që paraqet Knaus: “Të pranojmë që KQZ nuk do të jetë kurrë apolitike, do të thotë që të largohemi nga standartet demokratike, që përpara se të hidhen votat. Kjo përcjell një mesazh të tmerrshëm”.

Por, sipas analizës së Gerald Knaus, nuk do të shkojë gjithçka mirë. Këtë e tregon e kaluara, kur gjithmonë zgjedhjet janë kontestuar. Ndërkohë, KQZ-ja nuk është një aktor i margjinalizuar në zgjedhje. Nëse do të shkojnë shtrembër zgjedhjet, ekziston nga ndërkombëtarët, frika që njerëzit do të kthejnë kokën prapa, në evokimin e anëtarit të KQZ-së, çka mund të shkaktojë kolapsin e këtij institucioni.

Në fakt, duket këtë herë se BE po merr një pozicion të qartë dhe të njëzëshëm. Është kjo një sfidë kruciale, ku BE në të kaluarën ka dështuar. Të gjithë e dinë, që parti të ndryshme në Evropë, kanë miq politikanë në Shqipëri. Kështu që parti të ndryshme politike Evropiane mbështesin tezat e partive të ndryshme politike. P.sh. Partia Popullore Evropiane mbështet Partinë Demokratike, ndërsa socialistët Evropianë mbështesin Partinë Socialiste Shqiptare. Kjo ka krijuar, jo vetëm ambiguitet, por edhe paaftësi për të zgjidhur çështje të rëndësishme

Kjo nuk duhet të jetë kaq e vështirë. Marrim p.sh. Kroacinë, këto 10 vitet e fundit. Partia popullore Evropiane ka qenë gjithmonë pranë HDZ-së së djathtë kroate. Ndërsa socialdemokratët Evropianë kanë qenë mbqështetës të socialdemokratëve të Zagrebit. Por, të gjithë i kanë vënë theksin, që zgjedhjet duhet të mbahen në mënyrë të lirë dhe të ndershme, që të ketë alternim pushteti dhe që Kroacia të integrohej në BE, pasi të ketë konsoliduar demokracinë. Në Kroaci, ka patur një konsensus të brendshëm mbi disa çështje që kalojnë përtej politikës, si trajtimi i raporteve me fqinjët.

Në 2009, Shqipëria ka prezantuar kandidaturën e saj për anëtarësim në BE. Më 2010-ën Komisioni Evropian ka vendosur të mos procedojë dhe i ka mohuar Shqipërisë zyrtarisht statusin e shtetit kandidat. Deri tani, është e njëjta situatë, ndërsa p.sh. Mali i Zi, Serbia, Maqedonia janë vende zyratrisht candidate, ndonëse shumë larg anëtarësimit. Kosova mbetet mbrapa, për shkak se është ende një shtet i pa njohur nga të gjitha vendet Evropiane, ndërsa Maqedonia është e bllokuar për shkak të emrit. Pra, sipas Knaus, kemi një grup shtetesh që bënë progres, Kroaci, Serbi, Mal i Zi, ndërsa të tjerë që mbeten prapa, pikërisht për shkak të mosarritjes së standarteve zgjedhore dhe mungesës së konsensusit të brendshëm.

Për ndërkombëtarët, do të jetë edhe më e vështirë t’i japësh përgjigje nëse do të arrijnë standarte zgjedhjet e 2013-ës. Kjo do të jetë një çështje kyçe për ata që do të monitorojnë procesin elektoral, dhe kjo do të jetë vendimtare, nëse monitorimi do të ketë sukses.

Vëzhguesit ndërkombëtarë janë koshientë që deklaratat e tyre kanë konsekuenca. Nëqoftëse ata deklarojnë që zgjedhjet nuk janë zhvilluar sipas standardeve, mund të shkaktojnë protesta të masave, siç ka ndodhr në Ukrainë, në vitin 2004. Kështu, ndërkombëtarët përmbyllen në një gjuhë ambigue.

Institucionet shqiptare konsiderohen nga Gerald Knaus, të brishta, ndërkohë që zgjedhjet janë shumë pranë. Edhe një parregullësi e vogël mund të ketë një impakt të madh – deklaron ai. Në 2009-ën, ODHIR-i, institucioni më profesional në fushën e monitorimit elektoral në botë, deklaroi: “edhe pse janë respektuar një pjesë e madhe e standarteve, këto zgjedhje nuk i kanë përmbushur plotësisht ato”.

Këtë vit ndërkombëtarët po shpresojnë, që zgjehdjet të jenë të lira dhe të ndershme për të mos dëgjuar shprehjen e gjithmonëpërsëritur, “zgjedhjet në Shqipëri kanë respektuar një pjesë të standarteve por, jo plotësisht potencialin shqiptar, për të arritur standartet më të larta të zgjedhjeve demokratike”.

Sipas Knaus, BE-ja duhet t’i kushtojë një vëmendje të madhe këtyre zgjedhjeve, që janë kruciale. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë një peshë të rëndësishme. Një peshë të madhe i jepet Italisë. e cila ka interesa dhe kompetenca. Italia është shumë afër gjeografikisht Shqipërisë, por edhe pas një krize të gjatë politike ndodhet në një qeveri koalicioni të gjerë, një qeveri që mund t’i flaësë të gjitha partive politike në Tiranë.

Mesazhi i kreut të think tank-ut ESI, Gerald Knaus është i fortë kur shprehet pa asnjë dyshim se, “ajo që po ndodh sot në Shqipëri, i intereson mbarë Evropës”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency