Rama, sponsori i Berishës në SHBA

0
109

 

politikaGavrosh Levonja

 

Qëndrimet e shprehura nga Jonathan Moore gjatë vizitës së tij më të fundit në Tiranë, lidhur me mënyrën e menaxhimit të zgjedhjeve në kushtet e një KQZ-je, deri tani të cunguar, ishte e pritshme të shkaktonin reagime negative në kampin e mbështetësve të Ramës. Sigurisht, të ndikuar dhe nga reagimet e ambasadorit amerikan në Tiranë lidhur me KQZ, ata prisnin nga zoti Moore, të paktën një konfirmim qoftë dhe në trajtë aluzive të atyre që kishte deklaruar zoti Arvizu. Mirëpo, ideja e emisarit të Departamentit të Shtetit që një KQZ me katër antarë nuk përbënte ndonjë “hata të madhe” pasi, në fund të fundit, çdo problem i krijuar mund të gjente zgjidhje nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor nuk kishte si të mos zhgënjente mbështetësit e Ramës, të cilët ishin përgatitur që Jonathan Moore t’i a vinte Berishës “dy këmbët në një këpucë”. Natyrisht, reagimet, në të cilët, shprehej dukshëm dhe ashpër një pakënaqësi e madhe ndaj zotit Moore, ku nuk mungonin dhe hipoteza të tilla si ajo e lindjes dhe kultivimit të antiamerikanizmit tek shqiptarët i njohur si një popull a komb proamerikan, ishin plotësisht produkt i këtij zhgënjimi. Por, më shumë se cdo gjë në shkrimet kritike ndaj zyrtarit amerikan, më tërhoqi vemendjen fakti që gjithçka kishte të bënte me ato që kishte deklaruar zoti Moore, e lidhnin me emrin “Podesta Group”, një ndër kompanitë më të sukseshme të lobbingut në qarqet politike në Washington. Të trajtosh ato që tha zoti Moore në Tiranë ekskluzivisht si produkt i aktivitetit lobues të “Podesta Group” do të thotë të jesh jashtë realitetit. Në radhë të parë, kjo vjen si pasojë e konceptimit të lobbingut në mënyrë “alla shqiptarçe”, si formë korrupsioni, si një ryshfet ordiner, me anë të të cilit mund të blesh zyrtarët e çdo rangu, në varësi të shumës që paguan. Pa u zgjatur më tej, sipas tyre, qeveria shqiptare ka paguar “Podesta Group” dhe Tony Podesta i ka dhënë pjesën e tij zotit Moore që ky të bënte publik në Tiranë qëndrimin e përfolur lidhur me zgjedhjet në Shqipëri, qëndrim që pezmatoi “berishofobët” (nuk mund të quhen ndryshe ata që mbështetjen e Ramës e kanë vetëm si produkt të dëshirës për të ikur Berisha). Mirëpo, kjo do të thotë që SHBA nuk paska ndryshim nga një “republikë bananesh” ku me një “dorë parash” mund të ndikosh në qëndrimet zyrtare të saj duke blerë funksionarë shtetërorë. Një kongresmen a senator apo dhe ndonjë ish funksionar a ish diplomat, mund të shprehet si të dojë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje e probleme që kanë të bëjnë me vende të tjera; deri në një farë shkalle edhe mund të ndërhyjë pranë administratës për të ndihmuar grupime a politikanë të vendeve në fjalë, por një punonjës i kësaj administrate nuk mund të devijojë kurrë nga linja e përcaktuar zyrtare, në rast se nuk merr parasysh të ardhmen e karrierës së tij. Sa për shërbimet e “Podesta Group” ndaj qeverisë shqiptare çdo gjë është transparente pasi marrëveshja e nënshkruar ka kaluar nëpër filtrat e institucioneve të shtetit amerikan duke filluar më së pari, nga ato tatimore. Të pakënaqurit nga Jonathan Moore kanë preferuar rrugën më të lehtë pa u interesuar të rrëmonin në terrenin politik shqiptar. Personalisht, qëndrimin në fjalë të zotit Moore, nuk e konsideroj në asnjë mënyrë si mbështetje për Berishën dhe qeverinë e tij, por ama arrij të konkludoj se Edi Rama nuk është i pëlqyeshëm në Uashington. Kjo sepse shumë nga qëndrimet e lëvizjet politike të kreut të PS-së, të paktën që nga moment kur mori në duar timonin e saj, kanë qenë kontroverse. Kështu, pasi i mbajti deputetët e tij rreth gjashtë muaj jashtë parlamentit, një ditë të bukur, ndonëse asgjë nuk kishte ndryshuar sa të, nuk kishte asgjë që të përdorej si justifikim, i urdhëron të kalojnë pragun e tij. Më tej, pasi i futi njerëzit e tij në grevën e çadrave para kryeministrisë, krejt papritur, si pa gjë të keq detyron grevistët të ndërpresin grevën dhe merr rrugën për të darkuar tek “Krokodili” me Berishën në shoqëri të evropianëve. Mbi të gjitha nga mania për të dalë kundër çdo ndërmarrjeje të Berishës, ai, në disa raste, nuk ka llogaritur se po vepron edhe kundër interesave të Uashingtonit. “Rruga e Kombit”, pavarësisht se u bë përparësi e qeverisjes së Berishës, pavarësisht se është një ndër kontributet më madhore në bashkimin, të paktën fizik të kombit, i shërben dhe SHBA, të paktën përsa kohë do të kenë bazën e tyre ushtarake në Kosovë apo dhe vende të tjera të Ballkanit. Vetë ideja e ndërtimit të kësaj rruge do të hidhej nga kryeministri i athershëm, Majko, fill pas dislokimit të ushtarëve amerikënë në Boundsteel (Kosovë), që, në mungesë të një rruge nëpër Shqipëri, u shtrënguan të përdorin territorin maqedonas. Pra, të paktën në këtë aspekt, ajo nuk kishte si të quhej “rruga e asgjëkundit” dhe të dërgoheshin deputetët ushtarë deri në Kalimash për të bllokuar tunelin. Duke qëndruar tek rruga nuk mund të kalonin pa lënë gjurmë shpifjet dhe denigrimi i kompanisë “Bechtel” një kompani edhe kjo, amerikane, e cila operon në gjithë botën, shpesh, rekomanduar nga administrata amerikane. Në mënyrë të ngjashme, zotit Rama, i mbeti mbi shpinë dhe legjenda e “vjedhjes” së orës së presidentit, Bush në Fushë-Krujë, gjë që shtrëngoi Shtëpinë e Bardhë të bënte një përgënjeshtrim zyrtar mbi këtë eveniment imagjinar. Nuk di si mund të argumentojë Edi Rama këmbënguljen e verbër kundër votimit të gjykatës administrative për krijimin dhe funksionimin e së cilës Washingtoni kishte premtuar dhe një fond të posaçëm. Së fundi, qëndrimet anti-NATO dhe pengesat artificiale në drejtim të proceseve integruese në BE, nëpërmjet votës në parlament, votë kjo e urdhëruar nga Rama përbëjnë një arsye tjetër që Rama të shihet me një farë mosbesimi në Uashington. Ai me të vërtetë ka sabotuar hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt antarsimit në BE nga frika se do të futeshin në listën e sukseseve të qeverisë “Berisha”, por nuk ka marrë parasysh se me këtë ka shkuar dëm dhe përpjekjet e diplomacisë amerikane në drejtim të aleatëve evropianë për t’i hapur Shqipërisë dyert e NATO-s dhe BE.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency